Elez Kadria (1941-2015). Aktor, regjisor. Lindi në Shkoder, më 6 maj. Kreu shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu”, më 1965 dhe po atë vit filloi punë në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Aktor me ngarkesë të plotë rolesh në shumë premiera të suksesshme të këtij teatri, ku ka marrë pjesë në rreth 50 premiera në role kryesore dhe të dyta, për të cilat ka punuar me këmbëngulje duke synuar për realizimin e tyre me një nivel sa më të lartë artistiko profesional. Për nivelin e tyre ato janë vlerësuar në shkallën më të lartë jo vetëm nga teatri por edhe nga opinioni artëdashës i teatrit.
Nga këto role do të veçonim disa: Jonuz Bruga – “Familja e Peshkatarit” dramë nga S. Pitarka, regjisor A. Skanjeti, Leka – “Migjeni” dramë nga T. Shoshi, regjisor E. Oktrova, Qemali – “Njerëz të ditëve tona” dramë nga F. Kraja, regjisor S. Fanko, Sulltan Mehmeti – “Shqiponjat” dramë nga grup autoresh, regjisor S. Fanko, Vuci Pasha – “Nora e Kelmendit” dramë nga A. Skanjeti, regjisore V. Sekuj, Xha Demiri – “Djem të mbarë” dramë nga F. Kraja, regjisore V. Sekuj, Azem Galica – “Drenusha e Drenicës” dramë nga A. Skanjeti, regjisor E. Kadria, Plaku i Urtë – “Gjaku i Arbërit” dramë nga F. Kraja, regjisor S. Fanko, Babai – “Hija e Fajit” dramë nga M. Tukaj, regjisor S. Fanko, Bogeri – “Hetimi” dramë nga Peter Vais, regjisor S. Fanko, Vanani – “Korrupsion në Pallatin e Drejtësive” dramë nga Ugo Beti, regjisore M. Koka, Maksi – “Vëllai i Zotit Tonë” dramë nga Papa Gjon Pali II, regjisor T. Ujka, Plaku – “L’Ultime Lune” dramë nga Furio Baldone, regjisor F. Smaja (rol kanditat për çmimin e parë, vlerësuar nga juria, shtypi dhe spektatorët në Festivalin e Aktrimit në Fier, viti 2003). Është cilësuar nga Drejtoria dhe Këshilli Artistik i Teatrit “Migjeni” “Aktor i Kategorisë së Parë”.
Elez Kadria ka interpretuar në 12 filma artistikë të Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe TV Shqiptar. Nga rolet e realizuara në këtë fushë do të veçonim disa nga rolet e tij të vlerësuara për nivelin e tyre të lartë artistik: Fatosi – “Detyrë e posaçme” Kinostudio – Regjisor: Kristaq Dhamo, Maliqi – “Oshetimë në bregdet”: Kinostudio – Regjisor: Hysen Hakani, Pjeter Ukakeqi – “Besa e kuqe” Kinostudio – Regjisor: Piro Milkani, Qamil Boronica – “Gracka” Kinostudio – Regjisor: Saimir Kumbaro, Gjon Vusha – “Shokët” Kinostudio – Regjisor: Kujtim Çashku, Qarkkomandanti – “Militanti” Kinostudio – Regjisor: Piro Milkani, Curr Beja – “Ditët që sollën pranverën” 2 seri TV Shqiptar – Regjisor: Vladimir Kasa, Miku – “Koha nuk pret” 2 seri, TV Shqiptar – Regjisor: Kujtim Meçe etj.
Si regjisor i teatrit “Migjeni” ka realizuar 18 premiera (drama dhe komedi), nga të cilat për vlerësimin që i është bërë në realizimin e tyre me nivel të lartë artistik, veçojmë: “Mbi gërmadhat” dramë nga F. Paçrami, “Cuca e maleve” dramë nga L. Papa, “Shpartallimi” dramë nga F. Kraja (e cilësuar si një ndër shfaqjet më të mira të realizuara me nivel të lartë artistik në shkallë kombëtare, në vitin 1976), “Drenusha e Drenicës” dramë nga A. Skanjeti, “Lulet e Shegës” dramë nga K. Jakova, “Një fund i tille” dramë nga M. Tukaj, “Vizita e Inspektorit” dramë nga Xhon Pristli (e cilësuar si shfaqja më e mirë në realizimin e saj artistik në shkallë kombëtare, në vitin 1980), “Shtëpia e Benarda Albës” dramë nga Frederiko Garcia Lorka, “Një burrë skarco” komedi nga Dhimitër Psathia, “Fati i tersit” komedi, (përshtatje mbi motivet e një komedie të Dh. Psathia), “Milioner pa asnjë kacidhe” komedi nga D. Budani, “Midis dy dhimbjeve” dramë nga F. Kraja.
Ka marrë pjesë si regjisor në realizimin e disa koncerteve të fjalës artistike, gërshetuar me këngë dhe humor, në nivel lokal dhe kombëtar, në skenën e teatrit “Migjeni”. Regjisor dhe përpunues i materialeve artistike për shfaqjet në studion “Zef Jubani”, me punë individuale të aktorëve të dramës dhe të estradës mbi dhjetë shfaqje të tilla, të cilat janë mirëpritur dhe vlerësuar shumë nga spektatorët e pranishëm që mbushin sallën si dhe është falenderuar prej tyre për këtë inisiativë me vlerë të rëndësishme artistike dhe profesionale. Në keto shfaqje kanë marrë pjesë edhe aktorë me emër nga Teatri Profesionsit “A. Moisiu” i Durrësit të cilët e kanë vlerësuar shumë këtë aktivitet si një mundësi që aktorët të tregojnë vehten në ato drejtime që ata dëshirojnë. Elez Kadria ka qenë dhe skenograf në teatrin “Migjeni” dhe në grupet amatore.
Elez Kadria ka bashkëpunuar dhe me autorë të ndryshëm si: Fadil Kraja, Kerit Halluni, Skënder Drini, Mustafe Tukaj, Miljano Stefa, Sheri Mita, Loni Papa, Andrea Skanjeti, etj., për realizimin e veprave të tyre dramatike duke fituar vlera më të rëndësishme artistike, gjithashtu ka bashkëpunuar me skenografët e Teatrit “Migjeni”, si dhe me skenograf të jashtëm, Agim Zajmi, Shaban Hysa etj si dhe me kompozitorët Tonin Daija, Zef Çoba, Ilir Zoga etj.
Aktori Elez Kadria është vlerësuar me fletë nderi dhe lavdërimi dhe dekoruar me “Urdhërin N. Frasheri” Kl. II-të, “Urdhërin N. Frasheri” Kl. I-rë dhe për nivel të lartë artistik të roleve në skenë dhe film, nivel të lartë artistik të shfaqjeve të realizuara, për kontribut të dhënë për zhvillimin e dramaturgjisë kombëtare, si dhe me vlerësimin “Mirënjohje” nga Prefektura e Shkodrës me motivacionin:-Për kontributin shumë vjeçar me nivel të lartë artistik në zhvillimin e artit dhe kulturës në 100 vite shtet. Mban titullin Artist i merituar.
Ndahet nga jeta në gusht të vitit 2015.
Burimi/Facebook/Aktoret Shqiptar


Leave a Reply