Shikoni nga ku po ju shkruej: nga rruga, ku ju s’kaloni kurrë, sepse ju fluturoni ndër andrra. Unë punoj e shkruej, jo pse s’kam me hangër, por pse due me jetue deri në frymën e fundit prej djersës sime.
Ju gjithçka po thoni, e unë gjithçka po lexoj. Po ec rrugëve e po djersitem nga mjerimi juaj.
Po shfryheni si shakujt e frymë me erë. Po shiteni ma shtrenjtë se samari që mbani mbi kurriz. Po kërkoni ma shumë kashtë se ç’ka jasteku i samarit. Aq shumë e keni zgjatë hijen tuej, sa s’po dihet a jeni ju, apo hija po ju bart juve.
Po ja nisi me t’parin.
Albin,
Ti penin e ke lidhë në palcën e dhambit. S’e nxjerr dot pa të dhimbë krejt koka; po s’e nxorre, kalbet nofulla. Kjo asht halli yt.
Mos i beso fjalës sate ma shumë se syve të popullit. Fjala, kur s’e ushqen e vërteta, bahet tym. Tymit i vjen era djegie edhe kur nuk ka zjarr.
Ti dikur i besoje dheut, gurit, barit e atdheut. Sot po duket sikur po i kërkon malit me ulë kryet që të dukesh ma i gjatë. Mali s’është rritë për me ta matë hijen.
T’kemi votue me ndreqë shtetin, jo me e matë botën me kutin tand.
Kaq me ty.
Lumir,
Mos e pyet pasqyrën sa i bukur je; pyete sa i vërtetë ke mbetë.
Ke fluturue para se me t’u forcue krahët. E fluturimet e parakohshme zakonisht mbarojnë në baltë.
Je ba si guri i mullinit: kur ka ujë shumë, djeg miellin; kur s’ka ujë, e ban drithin krunde.
Shtëpia nuk mbahet gjithmonë me dry. Kur thyhet dera, del jashtë edhe uria, edhe marrëzia.
Ardian,
Shkrove:
“Edhe gjysmën e Qeverisë edhe Presidentin me na e dhanë, na nuk vimë me ty.”
E lexova dy herë.
Kur mendja fryhet ma shpejt se buka, njeriu kujton se flet si histori, e në të vërtetë tingëllon si jehonë në një pus të thatë.
Qysh se u bane kryetar, po sillesh sikur Çabrati qenka rritë mbi supet tua.
Për fund
Ju jeni mjerimi ynë.
Po edhe ne jemi mjerimi juej.
Sepse ju ushqejmë me duart tona, ju rrisim me votat tona, e mandej çuditemi pse na shikoni prej ballkoneve.
Ti Hamza, po sillesh sikur Kosova s’asht ma shtet, po sofër ku hanë të ngopunit, (qiftat si ti), ndërsa të urit i numërojnë lugët.
Ikni sa e keni derën hapun.
Se populli asht si lumi. Rri gjatë i qetë. Duron gurë, baltë e ura mbi shpinë. Por, kur del prej shtratit, nuk pyet ma kush e ka fajin.
Atë ditë nuk kanë me ju mbulue veç fjalët. Ka me ju mbulue turpi.
07.08.2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply