Historikisht Shkodra ka qenë në ballë të përpjekjeve të popullit shqiptar për lirinë e Kosovës.
Në qindra vjet, ajo kishte qenë vatër e ngrohtë e atdhedashurisë,strehë e sigurtë e luftëtarve të lirisë e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Edhe sot, Shkodra ruan në gjirin e saj katër monumente që e lidhin me historinë e Kosovës dhe sigurisht mund të ketë edhe të tjerë.
Në Shkodër u themelua e zhvilloi veprimtarinë, ”KOMITETI MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” e themeluar më 1 maj 1918, e drejtuar nga Hoxhë Kadri Prishtina, me organin e vet “POPULLI”, drejtuar nga Sali Nivica; në Shkodër lartësohet me hijeshi shtatorja madhështore e ISA BOLETINIT; në Shkodër u themelua shoqata Atdhetare-Kulturore “KOSOVA”; në Shkodër u kompozua monumenti i muzikes shqiptare,
”XHAMADANI VIJA VIJA”; në Shkodër…!
Sot, më 5 shkurt 2026, mbushen 35 vjet nga dita e themelimit në këtë qytet të shoqatës atdhetare-kulturore “KOSOVA”.
Ideja e themelimit të një organizate patriotike që do të vihej në shërbim të lirisë e pavarësisë së Kosovës, lindi menjehërë me fillimin e lëvizjes demokratike në Shqipëri, në dhjetor të vitit 1990.
E bisedova me disa nga njerezit më të afërt të asaj kohe, hartuam statutin dhe programin e lëvizjes dhe më 5 shkurt 1991 shkuam drejt themelimit.
Në zyrën e artistit, Bashkim Alibali, brenda kishës së Fretenve, (në atë kohë e kthyer në kinema “PUNËTORI”, në fshehtësi të plotë u mblodhëm dhe vendosëm themelimin e organizatës “KOSOVA”.
Ishte organizata e parë në Shqipëri që themelohej e vihej në dispozicion të lëvizjes kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Përgjegjësia ishte shumë e madhe dhe angazhimi ynë në shkallën më të lartë për kohën.
Rreth 17 vjet me rradhë deri më 17 shkurt 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës, kjo organizatë kreu veprimtari për t’u vlerësuar, që lanë gjurmë në historinë e Kosovës, Shqipërisë e mbarë trojeve shqiptare.
Organizatat e luftës në Kosovë ndanë për veprimtarët tanë fletënderi dhe mirënjohje, të cilat na dhanë krahë e na motivuan më tej për të punuar në mbështetje të luftës e përpjekjeve të gjthanshme të Kosovës për liri.
Në ditët e para te pasthemelimit, me ne u bashkuan Mentor Quku, Arif Gashi, Nikolla Spathari, Ilir Mula, Tonin Fistani, Bajram Xhafa, Rifat Dajti, Sandër Curri, familja Grezda e familja Shala-Shkodër; familja Duraku, familja Hadri-Gjakovë e shumë të tjerë. Ata ishin ndër njerëzit më të mirë të qytetit të Shkodrës si dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë.
Në 2 shtator 1991, ne i dhuruam Shkodrës gazeten “BESA”, gazeta e parë e shtypit pluralist në Shkodër dhe një nga të parat në Shqipëri.
Në drejtimin e saj si kryeredaktor të parë emëruam gazetarin e mirënjohur, shkrimtarin dhe publicistin Nikolla Spathari.
Ky veprimtar i shquar, më pas sekretar i përgjithshëm i organizatës tonë, qëndroi me mua dhe Ahmet Osjan (zv/kryetar) pa u larguar asnjëherë deri ditën e pavarësisë së Kosovës.
Në detyrën e zv/kryetarit të organizatës sonë, në periudha të ndryshme, punuan edhe Mentor Quku, Arif Gashi e Fadil Kraja.
Ndërkohë, degë të kësaj organizate u krijuan në Shkodër, Tropojë, Tiranë, Durrës,Gjakove,Elbasan, Lezhë, Mirditë, Kukës, Vlorë, Pukë etj.
Në këto degë drejtuan dhe bashkëpunuan, Nikollë Toma-Mirditë; Gjon Simoni-Lezhë; Esat Bicurri, Ismet Peja, Xhevdet Spahija, Xhevat Koshi-Gjakovë; Selim Lokaj, Idriz Binakaj-Deçan; Berhan Hoti, Gjergj Vlashi-Durrës; Hasan Neza, Selim Matoshi, Riza Lata-Tropojë e shumë të tjerë.
Personalisht pata fatin e madh ta drejtoj organizatën KOSOVA nga themelimi, më 5 shkurt 1991, deri në shpalljen e pavarësisë, më 17 shkurt 2008.
Në ketë përvjetor të themelimit falenderoj krejt familjen time që më ndihmuan në veprimtarinë atdhetare, sidomos në vitet e luftës në Kosovë 1998-1999.
Një falenderim i veçantë shkon për shoqen time të ndjerë ESMERALDA URUÇI, e cila punoi në përkthimin e shumë materialeve në ndihmë të KOSOVËS, në hartimin e letrave e peticioneve që ne derguam drejt Kabinetit të presidentit BILL CLINTON e të tjerë.
Ajo ndihmoi pa u lodhur edhe për pritjen e familjeve të Beqir e Arif Bajraktarit nga Isniqi i DEÇANIT, me 13 anëtarë së bashku me 2 anëtarë të familjes Mustafë e Cano Miroci nga Juniku të cilët qëndruan tek familja ime rreth 11 muaj e gjysmë.
Gjithashtu falenderoj edhe mjekët e familjes tonë ,motrën ZANA dhe dhëndrin Agron Agolli që punuan pa u lodhur për shendetin e të ardhurve nga Kosova në Shkodër me rrethina.
Në vitet 2000-2001, qendra e organizates “KOSOVA” u transferua nga Shkodra në kryeqytetin Tiranë.
Në këto vite unë përgatita një përmbledhje të veprimtarisë 10 vjeçare të organizatës sonë, librin me titullin “PRANVERË E VONUAR”
Ndërkohë, Presidenti i Republikës REXHEP MEIDANI i dha SHOQATËS ATDHETARE KULTURORE “KOSOVA”, Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë”me motivacionin”Për veprimtari të çmuar në fushën atdhetare e kulturore, për kontributin e dhënë në evidentimin e kulturës sonë kombëtare, si dhe të luftës që ka bërë populli shqiptar i Kosovës për liri e pavarësi”,me dekret 2772,date 27.10.2000.
Mirënjohje Shkodrës heroinë, mirënjohje themeluesve dhe veprimtarëve të tjerë të shoqatës “Kosova”, që bënë aq sa mundën në ato kohë të vështira për lirinë e popullit shqiptar të KOSOVES.
Zgjodha dy fotografi të asaj dite të madhe dhe shumë i përmalluar po i paraqes përpara shokëve te mi dhe veprimtarëve të dëshmuar të shqiptarisë.
Shumica prej tyre nuk jetojnë më, por lanë tek unë dhe qytetarët shqiptarë kujtime të paharruara për veprën madhore që lanë pas.
Në fotografi, në ditën e themelimit, më 5 shkurt 1991:
1.Në foton siper është grupi themelues.
Ulur poshtë, nga e majta në të djathtë, Përparim Duraku, Dashamir Uruçi, Skënder Drini, Menduh Dërguti.
Në këmbë, nga e majta në të djathtë: Zef Deda, Marketin Martini, Nikollë Tusha, Ahmet Osja, Isa Alibali, Isuf Shpuza, Bedri Islami, Bashkim Alibali.
2.Në foton poshte është një grup shokësh duke firmosur aktin e themelimit.
Nga e majta në të djathtë, Mark Martini, Nikollë Tusha, Dashamir Uruçi, Ahmet Osja.
Në foton themeluese mungon Ali Spahija, mjek, i cili u largua për një urgjencë në spitalin e Shkodrës.
Dashamir Uruçi
Ish kryetar i organizatës “KOSOVA”,
Tiranë, më 5 shkurt 2026.

Burimi/Facebook


Leave a Reply