A është bërë tashmë domosdoshmëri kombëtare ndalja e hemoragjisë së pandërprerë të nacionit të vendosun në rreshtin e dëbimit me kamxhik nga një entitet i padukshëm por i kuptueshëm?
A duhet që Shqipëria të bëhet sërish një Atdhe ku shqiptarët jo vetëm të dëshirojnë të qëndrojnë, por edhe të mund të kthehen tek rrënjët, trualli i të parëve për ta ringritur, kullën, votrën, jetën e brezave të ardhshëm, si plotësim i një amaneti të Etënve?
A mund të vazhdohet ma tej me këtë proces të përditshëm, të heshtun, pothuajse të padukshëm, por të qëndrueshëm, të zbrazjes dhe të ndryshimit të përbërjes së popullsisë së Arbërisë?
A mund të jemi edhe më tej deshmitarë të stepur dhe të frikësuar të nënshkrimit të marreveshjeve/çmendurive të përmuajshme dhe të pamandatuara nga sovrani, për ndërrimin e popullsisë së atdheut me emigrantë të programuar enkas nga vende të botës së tretë?
A mund të pranohet më tej që vendi të jetojë nën peshën e padrejtësisë, arbitraritetit, korrupsionit galopant, pastrimit të parave, paaftësisë institucionale dhe ligësisë së ngritur në sistem mbi njeriun e thjeshtë?
Deri kur Shqipëria do të jetë një vend i kthyer në mundim, një vend ku jeta është shndërruar në një betejë të përditshme me shtetin, administratën, vagabondët, pleq dhe të rinj, në krye të degëve të institucioneve, një vend i bërë bela për qytetarët e vet?
Mbi të gjitha: sa gjatë mund të vazhdojë një shtet të humbasë njerëzit e vet, ndërsa vendin e tyre e bëjnë gjithnjë e më pak të jetueshëm ata që kanë për detyrë ta qeverisin, ta mbrojnë dhe ta bëjnë të denjë për qytetarët e tij?
Deri kur duhet të presin qytetarët që në këtë vend të ketë drejtësi shtetërore, të barabartë për të gjithë dhe të çliruar nga arbitrariteti?
A ka ardhur koha që sistemi i drejtësisë (me perjashtim SPAK) t’i nënshtrohet një korrigjimi rrënjësor institucional, të menduar dhe të udhëhequr nga një ekip i vogël dijetarësh dhe juristësh të shkolluar jashtë, të pavarur nga Kasta aktuale në konflikt interesi, me integritet të sprovuar dhe autoritet të padiskutueshëm profesional?
A ka ardhur koha që të rishikohen rrënjësisht, të zëvendësohen nga ekipi i lartpermendur i dijetarëve atdhetarë, strukturat e ndërlikuara të KLP e KLGJ, mekanizmat e vetëqeverisjes së drejtësisë, të cilat, në vend që të garantonin meritokracinë dhe përgjegjshmërinë, riprodhuan taraf të ri, mbyllje korporatiste dhe mungesë llogaridhënieje?
Dhe pyetja më e rëndë është kjo: a kemi ndërtuar pas vitit 2016 një drejtësi vërtetë më të pavarur dhe më të drejtë, apo kemi lejuar të krijohet një kastë e re, edhe më e mbyllur, më pak e kontrollueshme dhe, në praktikë, më e paprekshme se ajo që synuam të zëvendësonim?
Në fund, dy fjalë për Shkodrën dhe shkodranët.
Mos lejoni ma që qyteti dhe krejt krahina e jonë, Labiatia, me Alpet, Bregdetin, qendren historike të bashkimit të komuniteteve vllaznore, hapësinat historike urbane, të shndërrohen në vende eksperimentesh që, në emën të nji zhvillimi pa masë e pa kujtesë, rrezikojnë me e ba të përditshmen e të mbetunve peng në qytet, gjithnjë e ma të pajetueshme.
Mos lejoni ma ngritjen e kullës mbi Shkodrën e Idromenos, Rezortit kilometrik ne Baks- Rrjoll, ndalini ato sa ma parë! Mos pranoni resorte që, nën maskën e investimit, cenojnë pasuninë private dhe plazhet publike të qytetarëve të Bashkisë Shkodër dhe krijojnë hapësina lulëzimit të fondeve që vijnë nga qoshkat e fshehta anonime; mos lejoni tjetërsimin e pronës publike dhe dhunimin e tokave komunitare të njësive administrative e të bashkësive shekullore të Alpeve tona.
Shkodra nuk asht vend eksperimentesh. Shkodra nuk asht pronë e askujt dhe as hapësinë për plotësimin e andrrave të urdhnuesve të luogotenentëve, që në vend të shërbimit në tokën e paraardhësve, vendosin tarifa randuese mbi lëvizjen e lirë të bashkëqytetarëve drejt Tiranës dhe Gjakovës, bajnë vërtetë dy pune të mira, por ndërkohë kryejnë dhjetë përkulje të mbrapshta me pasoja të pakthyeshme dhe afatgjata për traditën e qytetit tonë.
Një thirrje të veçantë ua drejtoj socialistëve shkodranë. Kujtoni ata djelm dhe vajza shkodrane të së Majtës, që themeluen degën e Partisë Socialiste në Shkodër në vitin 1991. Ata u sollën në këtë qytet me dinjitet dhe, pavarësisht dallimeve të forta politike të kohës, u trajtuen me dinjitet prej bashkëqytetarëve të tyne të përkundërt politikisht, mbasi të gjithë kishim Shkodrën të përbashkët dhe të paprekshme nga askush prej komandave të ndërlikueme. Tridhjetë e pesë vjet ma vonë, ju, brezi i ri i së Majtës, nuk mund të viheni në shërbim të interesave të errëta që rrezikojnë ta shndërrojnë Shkodrën në laborator eksperimentesh shpopulluese, shpronësuese dhe shndërruese urbanistike, siç për fat të keq ju shohim sot në Këshillin Bashkiak dhe jo vetëm. Çdo ndërhyrje arbitrare mbi pronën, çdo deformim i kryer në Kadastër, në degët e mbështetjes ekonomike dhe financimit të infrastrukturës krahinore, çdo heshtje përballë cenimit të pasunisë së qytetarëve, nëse provohet, asht një sjellje e padenjë për cilindo që ka punuar për arsye politike në institucione.
Shkodra nuk mund të drejtohet me luogotenentë, që sjellin sipërmarrje prej askundit, pa punëtorë dhe pa makineri, për t’ia ndërtue me metoda mesjetare urat, rrugët dhe veprat qytetit, duke ia përcaktuar fatin për dekadat që vijnë. Shkodra ka dije, profesionistë, sipërmarrës, arkitektë, inxhinierë, pedagogë dhe qytetarë që duhet të kenë zanin e tyne në çdo vendimmarrje madhore.
Autonomia jonë administrative duhet të përdoret pikërisht për këtë: për ta ngritë në nji nivel tjetër mendimin dhe veprimin administrativ; për me ia kthye qytetarit vendimmarrjen bashkiake: ka disa rregulla dhe marrëveshje qytetare në anët tona, të lanuna trashëgim prej Etenve, që nuk mund të shkelen nga askush; ka nji kërkesë emergjente në çdo cep të Labiatisë për forcimin jo formal, por thelbësor, të rendit publik dhe sundimit të ligjit; për mbrojtjen e pronës dhe trashëgimisë; dhe, mbi të gjitha, për rikthimin e bijve dhe bijave të diasporës sonë në jetën e qytetit.
Fëmijët e Shkodrës që janë sot në Europë, në Amerikë e kudo në botë duhet të ftohen me u kthye dhe me marrë pjesë në rindertimin e jetës ne vendilindje, në Universitet, në Këshillin Bashkiak, në shkollat e qytetit, në Shkollën e Muzikës, në gjimnaze, në kulturë, në administratë dhe në sipërmarrje. Shkodra duhet t’ua hapë dyert njerëzve të vet, jo t’i shtyjë ata me ikë.
Sepse sfida e vërtetë për Shkodrën sot nuk asht vetëm kundërshtia për një kullë, një resort, një rrugë apo një parcelë. Asht beteja për të drejtën tonë me vendosë se çfarë qyteti do t’u lamë nesër fëmijëve tanë.
Shkodra nuk asht laborator eksperimentesh për deformimin e traditës dhe trashëgimisë sonë. Shkodra asht shtëpia jonë, të cilën nuk duhet ma ta lejojmë që ta prekin në themelin e saj askush.
Burimi/Facebook


Leave a Reply