Gjuha shqipe si komponent qendror i identitetit etnik, kulturor dhe politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut
Nikollë Loka
Gjuha shqipe përbën një nga elementet themelore të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe njëkohësisht një nga faktorët kryesorë të mbijetesës së tyre historike si komunitet etnik në Ballkan. Në dallim nga shumica e kombeve të rajonit, identiteti kombëtar shqiptar nuk është ndërtuar kryesisht mbi bazën fetare, por mbi një bazë gjuhësore dhe kulturore.
Studiuesi Eric Hobsbawm e përkufizon popullin shqiptar si një shoqëri me “vetëdije protonacionale të padiskutueshme”, e cila është formësuar përmes gjuhës, zakoneve dhe praktikave kulturore të përbashkëta. Në këtë kuadër, gjuha shqipe është shndërruar në instrumentin kryesor të rezistencës kulturore ndaj proceseve historike të asimilimit dhe dominimit politik në hapësirat ku jetojnë shqiptarët.
Shumica e studimeve mbi nacionalizmin shqiptar theksojnë rolin determinant të gjuhës në formësimin e identitetit modern kombëtar. Shqipja, si gjuhë indo-evropiane më vete, ka shërbyer si kriter dallues ndaj popujve fqinjë sllavë dhe grekë, duke mundësuar ndërtimin e një vetëdijeje të veçantë etno-kulturore dhe politike.
Në historiografinë shqiptare dominon teza e prejardhjes ilire të shqiptarëve, e cila lidhet ngushtë me vazhdimësinë historike të gjuhës shqipe si trashëgimtare e një pjese të fondit gjuhësor ilir. Kjo vijimësi gjuhësore është interpretuar si dëshmi e rezistencës së gjatë kulturore të shqiptarëve, përfshirë edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë ruajtur gjuhën e tyre pavarësisht presioneve të ndryshme historike.
Gjatë periudhës së sundimit romak dhe bizantin, trojet shqiptare u përfshinë në struktura politike ku latinishtja dhe greqishtja kishin status dominues administrativ dhe kulturor. Megjithatë, gjuha shqipe mbijetoi si gjuhë e popullsisë vendase, veçanërisht në zonat rurale dhe malore, ku strukturat shoqërore tradicionale lehtësuan ruajtjen e saj.
Në periudhën osmane, sistemi i miletit e përcaktonte identitetin mbi baza fetare, duke e zbehur dimensionin etno-gjuhësor. Shqiptarët e Maqedonisë së sotme, si pjesë e kësaj hapësire, u përfshinë në këtë sistem kompleks identifikimi. Megjithatë, nga shekulli XVI e tutje, filloi të forcohej ndërgjegjja gjuhësore dhe kulturore shqiptare. Rilindja Kombëtare shqiptare e vendosi gjuhën dhe arsimin në shqip në qendër të projektit të emancipimit kombëtar.
Perandoria Osmane e pengoi zhvillimin e arsimit shqip, për shkak të frikës se nacionalizmi shqiptar do të çonte në pavarësinë e territoreve shqiptare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) dhe Shoqëria e Stambollit (1879) shënuan fillimin e një etape të re në luftën për shkollën dhe gjuhën shqipe. Kongresi i Manastirit i vitit 1908 unifikoi alfabetin shqip dhe krijoi bazën e standardizimit kombëtar të gjuhës. Në këtë periudhë, të shkruarit dhe mësimi në gjuhën shqipe u shndërruan në simbol të rezistencës kombëtare ndaj sundimit osman dhe propagandave greke e sllave.
Pas vitit 1912, shqiptarët në Maqedoni u përfshinë në struktura shtetërore ku dominuan politika asimiluese dhe kufizuese ndaj arsimit në gjuhën shqipe. Mbyllja e shkollave shqipe dhe ndalimi i përdorimit të saj kontribuan në margjinalizimin institucional të shqipes. Gjatë periudhës së Mbretërisë Jugosllave, arsimi shqip u shtyp sistematikisht, ndërsa politikat shtetërore synonin integrimin e detyruar kulturor.
Pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët në Maqedoni fituan një status formal si pakicë kombëtare brenda Federatës Jugosllave, me disa të drejta të kufizuara gjuhësore dhe arsimore. Megjithatë, krahasuar me shqiptarët e Kosovës, pozita e shqiptarëve në Maqedoni mbeti më e kufizuar. Universiteti i Shkupit, i themeluar në vitin 1946, funksionoi ekskluzivisht në gjuhën maqedonase, duke kufizuar aksesin e shqiptarëve në arsimin e lartë. Në këtë kontekst, zhvillimet në Kosovë, veçanërisht themelimi i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë (1958), Shkollës së Lartë Pedagogjike në Gjakovë (1967) dhe Universitetit të Prishtinës (1970), patën ndikim të rëndësishëm edhe te shqiptarët e Maqedonisë, duke krijuar qendra të rëndësishme të emancipimit arsimor dhe kulturor shqiptar në shtetin jugosllav.
Por duhet theksuar se shqiptarët e Maqedonisë u përballën me kufizime më të theksuara në përdorimin institucional të gjuhës shqipe, veçanërisht në administratë dhe arsimin e lartë, si rezultat i statusit të tyre politik dhe kushtetues si pakicë etnike në Republikën e Maqedonisë..
Me shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991 dhe miratimin e Kushtetutës së re, gjuha shqipe humbi statusin e mëparshëm të përdorimit më të gjerë institucional dhe u kufizua kryesisht në nivel lokal. Kjo situatë u interpretua nga shqiptarët si një formë përjashtimi politik dhe institucional, duke u reflektuar edhe në qëndrimin abstenuese të përfaqësuesve shqiptarë gjatë miratimit të Kushtetutës.
Një zhvillim i rëndësishëm në mbrojtjen e arsimit në gjuhën shqipe ishte themelimi i Universitetit të Tetovës në vitin 1994, si përgjigje ndaj mungesës së institucioneve të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Maqedoni. Pavarësisht mosnjohjes fillestare nga shteti, ky institucion u mbështet nga faktorë akademikë shqiptarë në rajon dhe u shndërrua në simbol të rezistencës kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve në Maqedoni.
Konflikti i vitit 2001 dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit shënuan një kthesë të rëndësishme në statusin juridik të gjuhës shqipe. Marrëveshja parashikoi zgjerimin e përdorimit të shqipes në administratë, arsim, dokumente zyrtare dhe institucione publike në njësitë ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë. Kjo marrëveshje e institucionalizoi lidhjen mes gjuhës dhe statusit politik të shqiptarëve, duke e bërë përdorimin e shqipes një nga instrumentet kryesore të garantimit të përfaqësimit të tyre në shtet. Megjithatë, zbatimi i saj i pjesshëm tregon se edhe statusi i shqiptarëve mbetet i lidhur me nivelin e realizimit të të drejtave gjuhësore. Zbatimi i këtyre dispozitave ka mbetur i pjesshëm dhe shpesh i kufizuar në praktikë, veçanërisht në nivel qendror të administratës shtetërore. Kjo situatë ka prodhuar debate të vazhdueshme politike dhe institucionale mbi statusin real të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Pavarësisht këtyre sfidave, periudha pas Marrëveshjes së Ohrit ka sjellë një avancim të rëndësishëm institucional për shqiptarët në Maqedoni, përmes zgjerimit të arsimit në gjuhën shqipe dhe krijimit të institucioneve të reja akademike si Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore.
Në përfundim, gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk përfaqëson vetëm një mjet komunikimi, por një komponent qendror të identitetit etnik, kulturor dhe politik të shqiptarëve. Ajo ka funksionuar historikisht si mekanizëm i ruajtjes së kohezionit komunitar dhe si instrument i afirmimit të subjektivitetit politik të shqiptarëve në shtet. Për këtë arsye, ruajtja dhe avancimi i statusit të saj mbetet një çështje themelore për barazinë qytetare, integrimin shoqëror dhe stabilitetin ndëretnik në Maqedoninë e Veriut. Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, zgjerimi i përdorimit të shqipes është reflektim i avancimit të statusit të tyre nga “pakicë e kufizuar” drejt një komuniteti politikisht të barabartë
Burimi/Facebook


Leave a Reply