Nuk rrëshqet, por rri bulëz në xhepin e vështrimit, në pritje të një kohe për të hapur petalet dhe për të zbritur mbi faqe. Isha e ulur përballë tij dhe mendoja mbi bukurinë. Loti kishte qëndruar edhe mbi mua, por nuk di të vëzhgohem. Të ndjehem, po.
Shoh syrin e vajzës dhe prek sytë e mi, por nuk kam lot.
– Përse fytyra e tjetrit identifikohet me fytyrën tonë? Edhe dhimbja bashkë me të?
Vëzhgoj ende vajzën dhe i zgjas sytë si pasqyrë për t’u parë. Ndoshta, kur ta vështroj bukurinë e trishtimit, do të krijoj bulëza të tjera.
– Derisa loti krijon bukuri a është i bukur trishtimi?
Mbrëmë kisha marrë për të lexuar Hillman. Për ta përcjellë, kisha vënë një melodi me zhurmën e shiut. Por imazhet që duhet të më çonin drejt shiut më humbnin, sepse shiu binte brenda meje dhe m’i qullte ato.
– Imagjinatë e orientuar! kritikoj veten.
Gjërat janë këtu dhe presin përdorimin apo shpërdorimin tonë.
Zgjas dorën drejt komodinës dhe fik muzikën, për t’i dhënë errësirës figura.
– Më ço aty ku do, i them, dhe e urdhëroj ëmbël të mos më sjellë te ty.
Imazhi i shiut që nuk bie jashtë nuk më lë të rri në trup. Rrumbullakosem si çadër, e ngjashme me xhamat transparentë, dhe shoh qiellin. Kallamat e shiut rrëshqasin mbi fytyrë, pika të shumta të bashkuara për të lëvizur së bashku në të njëjtin drejtim; andej nga i çon era dhe fryma ime.
Ashtu shkon edhe njeriu, pas së shumtëve.
Pastaj, pika të vetme që qëndrojnë në trajektoren e tyre dhe gëzojnë lëvizjet e lira. Të vogla, të pavarura, për aq sa munden të mendojnë ende me kokën e tyre.
Mendja më vështron sytë e vajzës: shtrydhjen e tyre dhe krijesën e saj, lotin.
Loti ka misterin e humbjes, të ikjes. Por ka interpretim, rrëfehet; ndërsa vdekja jo. Ajo mbetet e verdhë, e fshehtë, me pëlhurën e errët mbi kokë, për të mos u shfaqur. Është ajo që na mban këtu për të kuptuar misterin, që më vonë do të na përtypë ndër dhëmbë si një fije bari, pa e kuptuar pse ishim.
Me zë të ulët do të na flasë:
– Prita të ndryshosh, u lodha duke mos bërë asgjë; prandaj, për çfarë të duhet jeta?
Edhe tani që po shkruaj, vdekja më sheh nga sipër. Dua t’ia mbush mendjen se jam e zënë me jetën dhe po shkruaj shumë. Por të dy e dimë që nuk mjafton.
Mua s’më mjafton më.
Është një moment kur vetja e kalon veten dhe nuk e mbush. Pastaj gjendesh me një vete të huaj, që rri e vogël. Të mbetet brenda në derë. Apo më keq: as nuk mund të hapësh derën për të ikur nga aty dhe të shkosh në botë, sepse ajo është e sëmurë.
Një lugë druri i është futur brenda dhe e përzien, e përzien. Njerëzit rrotullohen mbi karusel. Qeshin deri në çmenduri.
Kështu që jam në dilemë: vetja kërkon të dalë, të ikë jashtë meje… Po ku?
Kur të marr frymë, botën do ta thith dhe do të më sëmurë si ajo.
Ndoshta jeta është, e gjitha, provë: të hapësh derën e vetes dhe të dalësh jashtë për t’u çmendur sa më pak, sepse në fund të gjithë e thithim botën dhe të gjithë bëhemi, nga pak, pacientë.
Ndërsa unë dëshiroj të jem e shtrirë poshtë pemës dhe të harrohem nën rënien e gjetheve të kuqërremta. Një gjethe, një shpirt që zbret në tokë për të shkuar në qiell.
Më duhet një lot që s’rrëfehet. Nuk ka fjalë për t’u mbytur brenda tij dhe të më mbesë në fyt, duke krijuar nyjën e madhe ku nuk del zëri. Kur më ka ndodhur, kam evituar mbylljen e syve, sepse më duhet një vend për ta mbështetur dhimbjen. Trupi nuk di ta mbajë dhe çahet.
Por po e hoqa nga vetja, në mes të barkut do të më krijohet boshllëku që do të më hajë. Nuk e paskam ditur që dhimbja më ka ushqyer. Boshti i saj peshon dhe ka një gojë që nuk qetësohet.
Instinktivisht vë dorën mbi të, i them të heshtë. Nuk është koha e saj tani dhe nuk jam gati për një tjetër rënie.
Këto ndjesi m’i komunikonte loti i vajzës. Ai i ndiente sensacionet që hynin lirshëm në trupin tim. Tashmë vajza kishte mbyllur sytë dhe loti tentonte të zbriste, besnik ndaj butësisë së faqes. Prekja, rrëshqitja me të do t’i dukej atdhe për lotët e tjerë që do të vinin.
Imagjinova rrëzimin e trupit. Rënia e saj më kërciti në shpirt.
– Ndiqi parfumet. Do të çojnë diku. Ndoshta askund, por nuk të lënë të jesh këtu.
Ka fotografi bardhë e zi që tymosen në fytyrën e saj. Vijnë nga kohëra që nuk i njoh. I nxjerr nga ajo dhe i ngjis në mur. Burra, gra të panjohur me të vetmen histori të njohur. I afroj përpara syve për të gjetur veten: kush isha, ku isha fshehur, në çfarë vështrimesh isha strukur?
Por nuk gjendem. Vetja nuk më gjendet.
Me fijen e barit që përtypet mes dhëmbëve pyetem pse më kujtohen jetët e shkuara. Pyetem pse fytyra e vajzës së panjohur, e cila kishte nxjerrë lotin në shëtitje drejt një bote të re, ka rrëfime kaq të vjetra.
Historitë janë njëlloj: burrat luftojnë për “atdheun” dhe gratë i qajnë.
Sikur kjo të kishte qenë devotshmëria jonë: të qanim burrat. (Gjyshja e kishte bërë, edhe ime më.)
Do të kishte pasur kuptim, sikur burri të na kishte ne atdhe. Por ata kanë harruar çfarë është toka, rrënjët, jeta, njeriu. Nuk marrin distancën për të kuptuar. Luftojnë kundër një armiku që ekziston vetëm në kokën e tyre. Përballë më ulet pëllëmba e një burri, e mbështetur mbi prehrin e gruas. Ajo dorë nuk thotë “ik”, por “rri këtu”. Thotë: pa ty nuk mundem.
Ajo pjesë e trupit ku rri dora është toka e premtuar, atdheu, shtëpia. Burrat nuk luftojnë më për to, as për mua, as për fëmijët e mi dhe as për ditët që do të vijnë. Ata luftojnë për të justifikuar forcën dhe frikën nga rëniet e lartësive të kota.
Detyra e tyre është veç mbrojtja e shtëpisë. Por harrojnë ta bëjnë. Harrojnë të na duan, të na puthin shpirtin, të na rrinë pranë kur pikon loti, kur trupi nuk ka peshë dhe bie. Ata nuk janë aty me ne dhe ne mbajmë brenda syrit lotin që nuk i qanë më.
Nuk e di nëse vajza e percepton që i kam pikturuar dhimbjen në telajet e mia të vjetra, të deformuara. Në poltronin përballë, pëllëmba e burrit të moshuar qëndron mbi prehrin e gruas. Sytë nuk e shohin gruan. Janë larg. Aty diku, afër vdekjes.
– Lauraolld
(Rrëfimet e metrosë)
(Tetor 2025 – Janar 2026)
Burimi/Facebook


Leave a Reply