E kemi lënë pas Barcelonën, për të cilën do të shkruaj më vonë, sepse do të rikthehemi
sërish gjatë ditëve të udhëtimit tonë nepër gadishullin iberik dhe kemi marrë rrugën drejt
kryeqytetit spanjoll, Madridit. Kalojmë me radhë provinca të ndryshme të tokës spanjolle, si
Lleida, Aragona e të tjera. Në qytetin e vogël por simpatik të Lleidas, me një kështjelle mbi
kodrinë, ndalemi të hamë mëngjesin. Na bënë përshtypje brioshët e mëdhenj, me përmasa
të frikshme, më shumë se dyfishi i brioshëve të zakonshëm
Na tërheqin vëmendjen tokat gurishtore herë me rrafshnalta te gjëra e herë kodrina të ulta dhe të thata të shfrytëzuara për bimë mjekësore industriale. Në rrafshnaltë ka plantacione të pafundme
pjeshkësh. Pemë plot me fruta të pjekura, disa në vjelje, me lartësi jo më të madhe se ajo e trupit të njeriut. Kësisoj vjelja bëhet më e lehtë. Diku lexojmë një tabelë ku thuhet se po
kalojmë Meridianin e Grinuiçit. Pikërisht aty ku kalon meridiani, ështe një tra në formë
harku përmbi rrugë. Përgjatë rrugës shikojmë se si mbi majë kodrash, në vende mjaft të
dukshme, ekspozohet figura e demit, si një nga simbolet e jetës kulturore e sportive
spanjolle me ndeshjet e toreadorëve me demat nëpër arena.
Ecim më tej dhe në zemër të provincës së madhe e të njohur historike të Aragonës,
ndalemi për një drekë në qytetin e bukur të Saragocës. Ajo përshkohet nga Lumi Ebro, i cili
ka një gjatësi mbi 900 kilometra , i cili buron që nga malet e Cantabrias dhe përshkon tërë
Spanjën, derisa derdhet në Detin Mesdhe. Ky është lumë i rëndësishëm në ekonominë e
Spanjës por lidhet edhe me ngjarje historike nëpër shekuj. Romakët ndërtuan mbi të ura
duke i dhënë zhvillim ekonomisë. Gjatë Luftës së Spanjës, në vitin 1938 është zhvilluar një
nga betejat më të përgjakshme, me emrin Beteja e Ebros. Kësaj ngjarjeje i është kushtuar
në Shqiperi edhe një këngë me titull “Lumi Ebro'”, te cilën e ka kënduar artisja jonë e madhe, Vaçe Zela.
Përgjatë rrjedhës së tij janë ndërtuar shumë qytete, një ndër të cilët është edhe qyteti i
bukur i Saragocës. Kalojmë nëpër njërën nga urat dhe gjendemi në sheshin e bukur Pilar, ku
është edhe Bazilika e Shenjtores Pilar, e cila, me kupolat shumëngjyrëshe dhe kullat
elegante, është nje nga simbolet e qytetit. Ky tempull ështe një veper e lartë e stilit barok,
që bashkon besimin fetar me arkitekturën.
Pas bazilikës bëjmë një shëtitje nëpër monumentet, sheshet dhe rrugët e qytetit, pastaj
shijojmë një drekë të këndshme në njërin nga lokalet e qendrës, me prodhime të kuzhinës e
verëra spanjolle. Lëmë prapa edhe Saragocën dhe vazhdojmë drejt Madridit.






Burimi/Facebook


Leave a Reply