Hyrja e gazetares Luela Myftari, teksa ndalet te vallja e Osman Takës dhe thotë: “Sepse disa valle nuk kërcehen vetëm, kërcehen me miqtë, kërcehen me familjarët, kërcehen për t’u treguar, për mos u harruar kështu është edhe për ne vallja e Osman Takës”, më rikthen në një kujtim personal të thellë: verën kur e kërceja këtë valle me të ndjerin babain tim. Edhe pse kjo është një valle burrash nga Konispoli dhe unë jam grua, kjo nuk u bë pengesë që ta ndaja atë çast me të, duke ndjekur hapa që m’i kishte mësuar më herët, me rolin tim përpara dhe babain pas meje.Vallja është regjistruar nga vëllai im dhe për ne ka mbetur një kujtim i shtrenjtë familjar, që i shton një peshë edhe më të fortë emocionale rëndësisë së saj historike.
Historia e valles së Osman Takës është e ndërthurur ngushtë me figurën e tij legjendare, një trim i Çamërisë që, sipas rrëfimeve popullore, e kërceu këtë valle për herë të fundit në çastet para vdekjes. Ajo nuk ishte thjesht një kërcim, por një përballje e qetë dhe krenare me fatin, një mënyrë për të mos u nënshtruar dhe për ta ruajtur dinjitetin deri në fund.
Enver Kushi, studiues dhe komunikues i trashëgimisë
Në episodin e Çamikos, studiuesi Enver Kushi shfaqet si një ndër interpretuesit më të ndjeshëm dhe më të qartë të kësaj trashëgimie. Ai e trajton vallen e Osman Takës jo thjesht si një formë kërcimi, por si një rrëfim historik dhe shpirtëror, ku çdo hap, ndalesë dhe qëndrim i trupit bart dinjitet, kujtesë dhe identitet. Me një gjuhë të kthjellët dhe një komunikim të ngrohtë, Kushi dëshmon se është jo vetëm një studiues i mirëfilltë, por edhe një komunikues i shkëlqyer, një katalizator i komunikimit që di ta afrojë publikun e gjerë me thelbin e traditës.
Kam pasur nderin ta njoh personalisht studiuesin Enver Kushi, dhe për veprën e tij kam shkruar edhe më herët në një status, si shenjë vlerësimi për kontributin dhe mënyrën e tij të veçantë të të komunikuarit. Aftësia e tij për të ndërtuar ura mes studimit shkencor dhe ndjeshmërisë njerëzore e bën fjalën e tij të besueshme, të kuptueshme dhe të gjallë.
Vazhdimësia e traditës
Në shpjegimet e tij, Kushi ndalet te pjesëmarrja e valles së Osman Takës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 1971, sjell vlerësimin e studiuesit Nexhat Agolli dhe përmend mendimin e arvanitasit Aristidh Kola, i cili thekson se kjo valle mësohet edhe në shkollat greke, por jashtë truallit të saj i mungon shpirti. Për këtë arsye, vallja e Osman Takës mbetet një valle triumfale, ku identiteti dhe krenaria ecin bashkë.
Episodi pasurohet me interpretimin madhështor të mjeshtërve Taip Mejdani (interpretuesi kanonik i kësaj valleje në skenë) dhe Rexhep Çeliku në një moment familjar, nën zërin e Eli Farës, ndërsa mbyllet me valltarin bashkëkohor Puen Bajrami, i cili ndjek me përkushtim hapat e të mëdhenjve që e kanë luajtur këtë valle ndër breza. Në interpretimin e tij, vallja e Osman Takës dëshmon se tradita nuk është e ngrirë në kohë, por vijon të jetojë, të përcillet dhe të marrë kuptim në çdo brez njësoj si kujtimet, historia dhe emocionet tona më të thella.
Vallja e Osman Takës është si një urë prej hapi, e ndërtuar mbi kujtesën dhe dinjitetin, që lidh të shkuarën me të sotmen. Çdo lëvizje është si një fije drite që kalon nga një trup në tjetrin, nga një brez në tjetrin, pa u këputur kurrë. Ajo nuk shuheton kur muzika ndalet, por vazhdon të rrahë si një zemër e vjetër në gjoksin e kohës, duke na kujtuar se ka tradita që nuk ruhen në arkiva, por në hapin që merr guximin t’i çojë përpara.
Burimi/Facebook


Leave a Reply