– Ndalimi i komunikatave ditore nga Policia ndez akuza për censurë dhe errësim të informacionit publikVendimi i ri i drejtuesit të Policisë së Shtetit, Skender Hitaj, për të ndaluar komunikatat ditore në të gjitha qarqet e vendit po konsiderohet nga gazetarë, juristë dhe qytetarë si një skandal i rëndë dhe një veprim i hapur antiligjor kundër transparencës publike.
Për herë të parë që prej vitit 1991, qytetarëve dhe mediave u bllokohet një nga burimet kryesore të informacionit mbi kriminalitetin, aksidentet, arrestimet dhe operacionet policore. Kritikët paralajmërojnë se ky vendim krijon një terr informativ të rrezikshëm dhe ngre dyshime të forta për tentativë kontrolli mbi lajmin dhe fshehje të realitetit kriminal në vend.
Ekspertë të medias theksojnë se Policia e Shtetit është institucion publik dhe nuk mund të vendosë censurë mbi informacionin që lidhet me sigurinë dhe interesin publik. Sipas tyre, ndalimi i komunikatave bie ndesh me parimet e transparencës dhe të drejtës së qytetarëve për informim.
“Kur mbyllet informacioni zyrtar, hapet rruga për manipulim, propagandë dhe mosbesim publik,” – reagojnë gazetarët, ndërsa në rrjetet sociale qytetarët e kanë quajtur vendimin “alarm për demokracinë” dhe “rikthim të mentalitetit të errët të kontrollit mbi median”.
Shumë komentues kërkojnë reagim urgjent nga organizatat e medias dhe institucionet ndërkombëtare, duke paralajmëruar se heshtja përballë këtij precedenti mund të sjellë kufizime edhe më të mëdha ndaj informimit publik në të ardhmen.
Burimi/Facebook/Gazeta E Albania


Leave a Reply