Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka vijuar goditjen e paligjshmërisë në disa drejtime, duke kryer ndalime, arrestime dhe procedime penale për një sërë veprash penale.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë u bë ndalimi i shtetasit Emanuel Buçi, 23 vjeç, banues në Shkodër, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Gjithashtu, për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën “Arrest në burg” edhe për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Në vijim të informacionit paraprak për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër–Koplik”, në fshatin Grizhë, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 24 vjeç, banues në Itali, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Po ashtu, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për disa shtetas:
* E. B., 77 vjeç, banues në fshatin Trush, pasi në Velipojë, duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi, është përplasur me një motomjet dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Si pasojë është dëmtuar lehtë drejtuesi i motomjetit, i cili pasi mori ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër, u largua në banesë;
* E. M., 48 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, pasi u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë nisën procedimin penal ndaj shtetasit L. P., 46 vjeç, pronar i një subjekti, pasi gjatë ndihmës që po i jepte një 73-vjeçari, ky i fundit ka rrëshqitur dhe ka pësuar dëmtime fatale.
Nga Komisariati i Policisë Malësi e Madhe janë referuar materialet në Prokurori për:
* S. D., 18 vjeç, banues në Koplik, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua një shkop druri i ngjashëm me atë të bejsbollit;
* F. T., 34 vjeç, M. T., 45 vjeç dhe N. T., 40 vjeç, banues në fshatin Reç, të cilët dyshohet se në fshatin Razëm kanë dëmtuar gardhin rrethues të një prone, me pretendimin se u përket atyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Burmi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply