Shqipëria/ Alisi – në Eurovizion!
Nga, Lisjana CALI
Shqipëria këtë vit ka zgjedhur të përfaqësohet me të vërtetën e saj më njerëzore dhe më të kulluar. Në Eurovision 2026, skena e Vjenës do të flasë gegnisht përmes zërit të Alis Kallacit, djalit shkodran që po dëshmon se gjenialiteti i vërtetë lind aty ku suksesi takohet me natyrshmërinë.
Kënga e tij, “Nan”, vjen si një monument muzikor, një himn që nuk kërkon shpjegime, por vetëm ndjesi.
Historia e Alisit i ngjan një skenari filmik që ka nisur mes tastierës së pianos dhe aromës së tokës shqiptare.
Deri pak kohë më parë, ai ishte artisti i heshtur që mbante gjallë frymën e “Mrizit të Zanave”. Atje, me gishtat që vallëzonin mbi piano, Alisi ishte i pari që u uronte mirëseardhjen emigrantëve që ktheheshin në atdhe. Djaloshi shkodran u dhuronte bashkëkombësve të tij një copëz shtëpie përmes tingujve, duke u shëruar mallin me muzikalitetin e tij të lindur.
Kush do ta mendonte se ai djalë që përshëndeste me aq talent ata që vinin nga larg, sot është zëri që do të përfaqësojë çdo shqiptar në një skenë ndërkombëtare?
Me tekstin e shkruar nga e dashura e tij Desara Gjini dhe muzikën e përshtatur me mjeshtëri nga vetë Alisi, “Nan” është një produkt dashurie që ndihet në çdo notë. Përdorimi i dialektit gegë vjen si një gjuhë që depërton te dëgjuesi pa pasur nevojë për përkthim apo titra. Emocioni që Alisi përcjell është aq i fortë dhe universal, saqë çdo vesh botëror mund ta kuptojë dhimbjen, përkushtimin dhe dashurinë pa asnjë ndërmjetës gjuhësor.
Gjithçka që vargu nuk mund ta thotë, e plotëson me një estetikë mahnitëse videoklipi i këngës, i cili vjen si një dëshmi vizuale e këtij rrugëtimi. Imazhet e klipit flasin aty ku hesht muzika, duke zbërthyer shtresat e shpirtit të Alisit dhe duke i dhënë formë çdo ndjesie që përmban teksti. Videoklipi shërben si një pasqyrë e artit të tij, ku drita, hija dhe peizazhi ndërthuren për të treguar atë që fjalët ndoshta nuk e nxënë dot plotësisht. Ai është pjesa e fundit e kësaj puzzle-i artistik, duke e bërë projektin “Nan” një përvojë të plotë shqisore.
Alis Kallaci paraqitet si një multiartist i plotë, një figurë që e zotëron hapësirën me një elegancë të lindur. Ai flet me maturinë e një poeti, performon me një siguri që të magjeps dhe rrezaton një estetikë të kuruar ku modernia shkrihet natyrshëm me traditën më të mirë shkodrane. Ai nuk mjaftohet me interpretimin e një kënge, ai e jeton çdo tingull, duke e shndërruar prezencën e tij në një akt të mirëfilltë artistik. Në maj, Vjena do të dridhet nga emocionet e një artisti që i njeh mirë rrënjët e tija dhe vlerën e identitetit. Alisi dërgon në atë skenë gjigante sinqeritetin e rrugëtimit të tij, shpirtin e Shkodrës dhe një copëz Shqipërie të paprekur nga klishetë. Ai është prova e gjallë se kur arti buron nga e vërteta dhe bëhet me dashuri, kufijtë pushojnë së ekzistuari. Suksese Alis Kallaci në këtë rrugëtim që sapo ka filluar të shkruhet në faqet e arta të historisë sonë muzikore.
Burimi/Facebook/Gazeta Nikaj-Mërtur Faqja Zyrtare


Leave a Reply