Miq,pas nje nderprerje tre javore vazhdojme nga libri im “Ekran TV Refleksione estetike per imazhin”, per me mire, per me shume ne dimensionin e pafund te magjise televizive. Lexim te mbare.
Fragmenti i pesembedhjete
Montimi i figurës në transmetimin e drejtpërdrejt
Në këtë moment duhet theksuar se, gjatë transmetimit të edicionit informativ,
regjisori duhet të ketë parasysh kalimet në ekran nga spikeri tek kronika dhe anasjelltas.
Kronikat e lajmeve të mbaruara tashmë janë depozituar në server dhe janë gati për start
sipas radhës që është menduar. Detyrimisht, regjisori i ka parë një e nga një dhe, për
secilën prej tyre, ka bërë shënimet e duhura për planin e parë dhe të fundit të tyre.
Përse? Sepse, nëse kronika fillon me një plan të madh, supozojmë spikeri me çfarë
plani duhet të kompozohet në çastin kur do e prezantojë atë? Me planin bust apo të
mesëm të tij? Ashtu sikundër fundi i një kronike, me çfarë plani mbaron që regjisori të
dijë se dalja sërish e spikerit do të jetë me një nga planet klasik bust, të mesëm apo të
madh? Kontrolli i kronikave bëhet jo vetëm për të parë pikërisht mundësinë që të japin
për të bërë profesionalisht montazhin në transmetimin e drejtpërdrejtë, por edhe që
regjisori të dijë dhe të ketë të qartë se çfarë po transmeton, pasi është shumë
domethënës të kuptuarit mirë të këtij procesi, rëndësia e të cilit qëndron në dukjen
bukur dhe në harmoni të së tërës në atë çka transmetohet në ekran. Asgjë më shumë
se kujdes në montimin e planeve të drejtpërdrejta nuk kërkohet për faktin që lidhja e
figurës me figurën pasardhëse, siç thuhet në gjuhën profesionale, të mos kërcejë.
Bashkëpunimi Gazetar-Regji
Ulja në pult e regjisorit është çasti final i një pune të kujdesshme, që mbartet
qysh me nisjen e gazetarëve për në vendin e ngjarjes. Prej aty, nga ai çast ka nisur
edhe puna e regjisorit.
Regjisori e udhëzon gazetarin të dijë:
– si të bëjë një stend-ap,
– si të qëndrojë para kamerës,
-si të flasë në mikrofon,
– si të ecë në vendin e ngjarjes duke folur në kamera,
– si dhe ku duhet të vështrojë në kamera,
– si të komportohet me të intervistuarin,
…dhe me të tjera pyetje që kanë të bëjnë me praninë e tij para kamerës dhe me
të folurin në mikrofon, të cilat i kemi trajtuar më lart.
Shpeshherë, merr pjesë edhe vetë në montazhin e kronikave, për të qenë më
afër realizimit dhe njohjes së tyre në çastin e transmetimit gjatë edicionit të
drejtpërdrejtë të lajmeve, por edhe për të ndërhyrë kur dhe nëse është e nevojshme për
të operuar më mirë dhe më me profesionalizëm në harmonizimin e planeve.
I theksuam të gjitha këto, pasi duhet kuptuar qartë dhe prerë se asgjë prodhuese
jashtë pranisë së regjisë në televizion nuk do të kishte rezultatin e saj.
Për profesionin e gazetarit në televizion, zhvillimin e tij në ekran, regjia është
kostumi më i mirë, më i domosdoshëm nga hapi i parë i punës deri tek dorëzimi i saj.
Konsultimi me regjisorin nga ana e gazetarit, për shumë forma të ndërtimit të kronikave,
por edhe të gjinive të tjera televizive, fjala vjen telereportazhet, dokumentarët apo
kronika me minutazhe të zgjeruara, kur kanë të bëjnë me bashkëpunëtorë, stend-ape,
lëvizje, bashkëbisedime etj., etj., duhet të jetë i një rëndësie, siç shprehemi, të dorës së
parë. Theksojmë për sa thamë më lart, kur gazetari nis një punë të pavarur, pa praninë
e regjisë, në ndërtimin e një gjinie të caktuar dhe rastet nuk janë të pakta.
Por, jo gjithmonë punët që bëjnë gazetarët televizivë do të duan praninë e
regjisë. Nëse gazetari ka bashkëpunuar me regjinë për një kohë relativisht të gjatë, si
edhe praktika e punës e ka bërë atë të përvetësojë mjaft mirë edhe shumë anë të
kërkesave regjisoriale, që, sigurisht, do të jenë bashkudhëtare në vijimësi në gjithë
punët e përditshme të tij. Nga ky bashkëpunim, gazetari ngarkohet profesionalisht dhe
pavarësia pastaj e bën atë më të zhdërvjelltë, më praktik dhe, sigurisht, e plotëson atë,
duke u bërë kështu më rezultativ në misionin e tij. Elementet që duhet të përvetësojë,
pra ato që përmendëm më lart janë të shoqërueshme për gjatë gjithë kohës, që prania e
tij do të jetë në një kanal televiziv. Ato bëhen profesionalisht të domosdoshme pjesë e
gazetarisë televizive.
Regjisori në Departamentin e Informacionit
Vjen një kohë prej së cilës kërkojmë dhe duam të mësojmë se si nisi transmetimi
i parë televiziv i lajmeve, pra nga erdhëm për të ndjerë ecurinë apo, pse jo, edhe
dështimet e formave të paraqitjes së tyre në vite e vite në përballje me shikuesin. Dhe,
padyshim që, nëse ulemi dhe ballafaqojmë të shkuarën me të tashmen, me siguri do të
vëmë re se aty ku kemi mbetur peng i një forme të caktuar, prej të cilës nuk kemi lëvizur
për të prurë paraqitje të tjera të reja, do të thotë se jemi peng i një rutine të
padëshirueshme, sepse ka rrëmbyer më shumë kohë tensioni i një politike të caktuar
lajmi, se vëmendja se si ky lajm do të shkojë më ndryshe në formë nga kanalet e tjera
tek shikuesi.
Duhet theksuar se, të transmetosh lajm është njëra anë, por mënyra se si do ta
transmetosh atë në ekran është diçka krejt tjetër. Lajmi asnjëherë nuk i mërzitet
shikuesve që e ndjekin nëpër çdo ditë të transmetimit, sepse gjithmonë ai është i
ndryshëm, jo vetëm nga dita në ditë, por edhe nga ora në orë, pasi kështu është e
ndërtuar jeta, me të papritura dhe zhvillime të cilat sjellin kërshëri tek ata që të ndjekin.
Por, nëse lajmi si lajm është i befasishëm për shikuesit dhe ata janë kureshtarë
për të mësuar gjithçka që ndodh, format që ne ia komunikojmë mbeten gjithmonë për të
dëshiruar.
Zhvillimi i teknologjisë elektronike televizive ka marrë përmasa të
jashtëzakonshme. Prurjet në këtë fushë kanë sjellë edhe shumë risi, të cilat udhëheqin
sot botën e lajmit televiziv. Si rezultat, kultura e të shikuarit në ekran nuk është më e
atyre viteve të ndërtimit klasik të dhënies së lajmeve spiker-kronikë-spiker. Shumë
kanale televizive në botë kanë sjellë forma të tilla që, për nga gjetjet, janë një shembull
se si duhet të ndërtohet një edicion informativ. Detyrë e regjisë është të ofrojë mundësi
që, për nga prurjet, të sjellë këndvështrime të tjera.
Sot nuk është vetëm ekrani që të informon për një ndodhi, pasi ato merren vesh
shumë shpejt nga shumë burime informimi si: celulari, radiot, gazetat dhe interneti.
Regjisorit dhe ekipit drejtues të lajmeve në televizion nuk duhet t’u interesojë fakti
që ai lajm është marrë vesh nga burime të tjera informimi. Nëse lajmi më parë kalon
dhe transmetohet si i parë nga ai kanal është tjetër gjë dhe mirë është që ata të jenë të
parët, por nuk do të merremi me këtë.
Në trajtimin tonë është dhe qëndron të kuptuarit se si ai lajm të shkojë ndryshe
tek teleshikuesi, duke përdorur format dhe mundësitë artistike dhe teknike për ta
tërhequr dhe mbajtur peng në kanalin e tyre. Ky është synimi profesional, kjo është
logjika e të vepruarit, kjo është të parit ndryshe në ekran, paçka se është i njëjti lajm si i
çdo kanali tjetër.
Ekrani nuk është gazetë. Ai ka elemente të tij, por kurrsesi nuk duhet parë dhe
vepruar njësoj. Një koncept që barazon faqosjen e një gazete me renditjen e tyre në
ekranin televiziv është jo vetëm një tezë sa absurde, por edhe një koncept që nuk duhet
shtruar për diskutim.
Të jesh gazetar televiziv nuk mund të kuptohesh si i tillë pa ditur dhe nxënë
ligjësi të teknikës, kamerës dhe regjisë. Të transmetosh lajme nëpërmjet ekranit është
një përgjegjësi edhe artistike. Brenda kësaj logjike duhet të veprohet dhe punohet.
Në një kronikë televizive, edhe në shumën e tyre, që përbëjnë një edicion
informativ brenda ka art. Kush vlerëson artin brenda tij, ka edhe suksesin e gjithë
edicionit në përgjithësi.
Një formë e gjetur bukur në ndërtimin e një edicioni me përbërës që flasin në çdo
detaj të tyre, të vendosur pa tepri në vendin e duhur dhe e freskuar herë pas here me
elemente të rinj që regjia sjell, hapet një dritare me një pamje të re, që cilido prej nesh
do ta vështrojë me kërshëri.
Përmendëm më lart se forma klasike e transmetimit spiker-kronik-spiker, prej
fillimit deri në fund të një edicioni sjell tashmë, pa dyshim, një shfaqje shumë të vjetruar
në ekran. Ajo ishte dhe qëndron në themel të historiografisë televizive, si një gjetje dhe
simbol i jashtëzakonshëm i atyre që e krijuan edicionin e parë informativ dhe vazhduan
për një kohë me atë. Besnikëria ndaj kësaj forme është e një kohe tashmë të shkuar.
Kush dëshiron, le ta mbajë.
Nëse flasim për një kanal serioz, që kërkon konkurrencën brenda një tregu
mediatik dhe që dëshiron të jetë në piedestal të transmetimeve analoge, detyrimisht
duhet të sjellë forma të reja transmetimi, të cilat teknika t’i ofron për t’u paraqitur
ndryshe.
Teknika dhe zhvillimi i saj janë ato që hapin para krijuesve mijëra e mijëra
mundësi për të shfaqur ide dhe forma, të cilat po të trajtohen si pjesë e konkurrencës,
do të sjellin pa dyshim një arritje të suksesshme.
Nëse nuk je pjesë e ritmit të ecjes, zhvillimit të teknikës me ndryshimet galoponte
që ajo sjell, nuk mund të jesh pjesë e vlerave që koha të kërkon për t’u dhuruar
shikuesve, qëllimin e destinës si departament informacioni në televizion.
Roli regjisorial është, pa diskutim, shumë i rëndësishëm. Ndodhia e lajmit, prej
çastit kur aty shkon kamera së bashku me gazetarin, fillon të menduarit me koncept
regjisorial, si për xhirimin nga ana e kameramanit, por dhe për mënyrën se si gazetari
do t’i bëjë pasqyrimin lajmit, me stend-ap, të lexuarin dhe, më pas, montimin ose si do
ta komunikojë drejtpërsëdrejti.
Nëse e menduar siç u shprehëm më lart, elementet regjisorialë,
domosdoshmërish, do të mbështillnin gjithë kronikën me rregullat, të cilat, me zbatimin
e tyre, do t’i sillnin më shumë lehtësi veprimi regjisë në transmetimin final të saj, por
edhe materialit, pra kronikës, do t’i shtonin edhe më vlerat televizive.
Roli aktiv i regjisorit qëndron edhe në faktin se, nëse gazetari mendon dhe
përpunon një kronikë, regjisori duhet të mendojë për të gjitha kronikat së bashku të
gazetarëve për trajtimin e tyre, edhe nga ana estetike në edicionin informativ.
Për gazetarin nuk rekomandohet asnjëherë shkëputja nga bashkëpunimi me
regjisorin. Që do të thotë se, herë pas here, ndërhyrja regjisoriale në punët e pavarura
të gazetarëve është e pashmangshme. Konsultimi gjithmonë sjell vlera të mëdha
profesionale.
E parë në këtë këndvështrim, do të arrijmë në përfundimin se:
Vlera e ndërtimit të një kronike pa elemente të mendimit regjisorial nuk do
të kishte kuptim televiziv.
Nëse themi për një kronikë, e ndërtuar me këto vlera apo shuma e tyre që
përbëjnë një edicion informative, detyrimisht kërkohet një përkujdesje akoma edhe më e
madhe. Tërësia e tyre duhet të shfaqet në ekran me një logjikë regjisoriale të përcaktuar
qartë dhe me detaje deri në imtësi, pa anashkaluar asgjë që i shërben ndërtimit të
edicionit.
Të gjitha çka përmendëm më lart janë dhe duhet të jenë në vëmendjen e
regjisorit. Puna e tij gjithëpërfshirëse kërkon një angazhim tejet të kujdesshëm, sepse
është në dorën e tij transmetimi final. Por, për të arritur deri aty, puna me këto koncepte
fillon qysh me nisjen për realizimin e kronikës e deri në finale.
Transmetimi i drejtpërdrejtë është një punë e shenjtë, që kërkon durim dhe
përqendrim absolut në pultin e regjisë, pasi janë shumë hallka që, padyshim, njohja me
to, në vëmendjen e tij, duhet të zënë vend si domosdoshmëri profesionale. Ato veprojnë
secila në vendin e saj dhe në kohën e duhur kur thirren për të plotësuar të tërën në
rrjedhën e transmetimit.
Nëse nuk do të jenë të qarta dhe të mirë ngulitura në mendjen e regjisorit
veprimet teknike, por edhe ato artistike, sipas radhës së tyre, nuk do të kemi harmoni
transmetimi. E kundërta, nëse ato veprime janë mendësish të qarta dhe të përcaktuara
mbi bazën e një mini skenari, rrjedha do të ketë vijueshmërinë e duhur.
I ndërgjegjshëm për ç’ka thamë më lart, regjisori mendon se si forma e
transmetimit e konceptuar prej tij do të ketë sukses tek shikuesi. Ai është i vetmi që, me
punën dhe angazhimin për gjetje formash, sjell në përditshmërinë e transmetimit dhe
vëmendjen e shikuesve, mbushjen e një kohe televizive që ka në dispozicion. E
rëndësishme është se si kjo kohë televizive, prej sekondës së parë e deri në të fundit,
do të mbushet me befasi të parapërgatitura kompozimesh. Sa ky prezantim, nga ana e
spikerit e kokës së parë të kronikës, nuk do t’i ngjajë prezantimit të kokës së dytë e
kështu me radhë deri në transmetimin e kokës së fundit në përfundim të edicionit.
Rëndësia duhet të qëndrojë në faktin e mos përsëritjes së daljes të spikerit si në
pozicionin e daljes së mëparshme. Nëse vazhdohet me të njëjtën dalje, me të njëjtin
kompozim, do të ofrojmë monotoni dhe asgjë tjetër. Nëse themi se lajmi me lajmin kanë
ndasi me të veçantat e tyre, po kështu duhet të jenë edhe prezantimet e kokave nga
ana e spikerit në kuptimin regjisorial të veprimit.
Mundësitë që studioja ofron, nëpërmjet skenografisë, duhet ta zhdërvjelltësojnë
punën e regjisë për të thyer monotoninë e kompozimeve. Ndërtimi i mizanskenave,
sigurisht të racionuara, por tejet të domosdoshme, i sjellin regjisë një hapësirë lirie
mendimi për të vepruar me masë në lëvizjet e spikerit, nëse komunikimi i tij do të
mendohet në këmbë.
Spikeri udhëzohet që e folura duhet të jetë dinamike, por edhe fiziku i tij të jetë
shprehje e kësaj dinamike në të gjitha lëvizjet e ndërtuara dhe të kërkuara nga regjisori
brenda hapësirave që skenografia e lejon. Ritmi i të lexuarit dhe lëvizja e spikerit,
pikërisht në këto hapësira, i japin jetë dhe rritëm gjithë edicionit informativ.
Spikeri mund të flasë ulur, mund të çohet duke folur, mund të flasë duke ecur
drejt një plazme, ku e pret në një lidhje direkt kolegu në x vend ngjarjeje. Mund të jetë
në këmbë, duke folur dhe lëviz për t’u ulur në postin e tij. Aty, ulur, bën një anonçim
tjetër, pas atij anonçimi mund të ketë një të ftuar në studio. Së bashku me të ftuarin,
mund të kenë një lidhje të drejtpërdrejtë për një x problem. Lidhja mund të jetë
telefonike ose e drejtpërdrejtë me figurë dhe zë. Nga i ftuari sërish kalon në një anonçim
tjetër kronike, më pas mund të ketë një tjetër koleg në studio për të folur rreth një teme
delikate të ditës, që mund të jetë nga fusha e politikës, sociales apo shëndetësisë etj.
Prej andej, mund të ngrihet sërish duke folur drejt një plazme, ku mund të tregojë një
grafik të domosdoshëm, që mund të ketë të bëjë, fjala vjen, me kurbën e një rënieje apo
ngritjeje të euros apo dollarit, statistika nga fusha të ndryshme të zhvillimit etj., etj., që
janë të domosdoshme për t’u treguar teleshikuesve. Prej aty, mund të lidhet me studion
e të dhënave të shërbimit sinoptik, mund të ketë sërish lidhje të drejtpërdrejtë po me
koleg nga një objekt tjetër, e kështu me këtë ritëm duhet të sillet dhe të veprojë
domosdoshmëria e regjisë në departamentin e informacionit.
Nëse nuk do të ishte ky ritëm, kjo thyerje që varion me të komunikuarin, nuk do
të mund të kuptohej një ekip profesionistësh të punësuar në një kanal televiziv.
Ofruam një formë regjisoriale, një mënyrë transmetimi informativ, por ka
pafundësi formash që e bëjnë edhe më interesante dhe akoma më të ndjekur pikërisht
një edicion lajmesh.
Të ndërtosh një edicion informativ nuk është një punë rutinë e zakonshme. Për
nga ndërtimi, ai duhet të jetë një spektakël që, me seriozitetin e të karakterizuarit, është
në konkurrencë të vazhdueshme me çdo lloj spektakli tjetër televiziv.
Theksuam edhe me lart se, një edicion informativ ka shikueshmërinë më të
madhe dhe jo vetëm gjatë një edicioni, por disa herë në ditë ai ofron para ekranit
miliona sy, gjë për të cilin krijuesit e spektakleve do ta kishin zili.
Një ekip që kërkon suksesin, një staf që u jep rëndësi informacioneve dhe kur në
përbërje të tij ka elemente drejtuesish emisionesh të zhdërvjelltë, të saktë në të
komunikuar, seriozë dhe bindës për çfarë flasin, kanë absolutisht suksesin e garantuar.
Të qenit regjisor në një departament informimi është më se i vlerësuar sot se një
regjisor i çdo gjinie tjetër televizive. Sigurisht që çdo gjini ka specifikat e veta, vlerësimet
e saj për punë edhe më të vështira, por edhe më të bukura artistikisht, që kanë brenda
thellësi mendimesh regjisoriale.
Por të jetosh me të drejtpërdrejtën e përditshme informative dhe disa herë në ditë
në përballje me shikuesit është një punë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe tepër e
vështirë. Ta vlerësosh një edicion informativ si një spektakël, do të thotë se, me punë,
kërkohen hapësira profesionale, të cilat janë baza e të fituarit shikues si kanal televiziv.
Për regjinë, të qenit aktiv në këtë departament përbën një shkollë të madhe, ku
fitohet mjaft përvojë praktike e vlefshme në karrierën e gjatë dhe të bukur televizive.
Shembujt sot në botë janë të shumtë. Mjafton t’i vështrosh dhe merr e mbushesh
me profesionalizëm. Vlerësimi i drejtë që u bëhet lajmeve, edicioneve të tyre, sidomos
për të dalë nga rutina e transmetimit klasik spiker-kronik-spiker, është shtruar për
zgjidhje në ekranet që lindin apo tek ekzistuesit që janë gjithmonë në kërkim të formave
të reja.
Nuk mjafton sot që një spiker apo spikere të ketë zërin e mirë dhe një portret me
fizik të pranueshëm. E rëndësishme është se sa këto karakteristika të spikerit, që ka në
dorë regjia, t’i sjellë dhe t’i vërë bukur aty ku qëndrojnë mirë profesionalisht, aty ku
zbërthimi regjisorial i mizanskenës pranon dhe u ofron shikuesve një mendim që ka
brenda një komunikim të bukur, etik, me ritëm, me sens.
Roli i regjisë është tejet thelbësor në atë që, në gjuhën profesionale, quhet “shitja
e punës”. Pa u kuptuar drejt roli i regjisë në ndërtimin dhe transmetimin e lajmeve, si
dhe me pjesëmarrjen aktive në to, në bashkëpunimin me gazetarët, një kanal televiziv
do të mbetet thjesht një pasqyrues i pavlerë.
Nëse përdorimi i metodës klasike të transmetimit spiker-kronikë-spiker është
pjesë e dëshiruar kështu, e kanalit televiziv nuk ka nevojë të jetë pjesëmarrës në të
regjia. Ajo mund të mbulohet fare mirë nga tekniku i figurës, pasi kemi të bëjmë thjesht
me veprime mekanike të transmetimit që vetëm transmetojnë dhe nuk zhvillojnë figurë,
kompozim në dinamikë të saj dhe çdo gjë tjetër që është profesionalisht e duhur për t’u
lëvruar në ekran.
Edhe gjetja e spikerit është meritë e regjisë. Ky është finalizuesi i punës
regjisoriale në ekranin televiziv. Nëpërmjet tij përcillet tek shikuesi puna e një kolektivi të
tërë gazetarësh…….vijon
Dhimiter Gjoka
“Mjeshter i Madh”
Burimi/Facebook


Leave a Reply