Në Salinas të gjithë e dinin që Shtetet e Bashkuara ishin kombi më i madh dhe më i fuqishëm në botë. Çdo amerikan kishte lindur me pushkë në dorë dhe secili prej nesh vlente sa dhjetë a njëzet të huaj në betejë.
Ekspedita ushtarake e Përshingut në Meksikë, që i qe qepur Vilës, për ca kohë na i tronditi mirë mitet. Kishim besuar vërtet se meksikanët nuk kishin nishan dhe se ishin dembelë e kokëtrashë. Kur skuadroni ynë C u kthye i telendisur nga kufiri, thanë se asnjë prej këtyre nuk ishte e vërtetë. Meksikanët ishin goxha nishanxhinj, që e mori dreqi e mori! Kurse kalorësit e Vilës i linin në bisht dhe nuk kishin të lodhur para djemve tanë të qytetit. Doli që dy net në muaj që bënin stërvitje, nuk i kishin argasur siç duhej. Dhe si për ta mbyllur, meksikanët na kishin dalë edhe më finokë, se e kishin shtënë Përshing Kërbaçin në pusinë që kishte ngritur vetë. Kur meksikanëve u doli në krah edhe aleati i tyre, dizenteria, punët u djallosën fare. Disa nga tanët s’e morën më veten për vite të tëra.
Nuk di pse, po ne nuk dalluam as edhe një lidhje mes gjermanëve dhe meksikanëve. Iu rikthyem edhe një herë me zell miteve tona. Një amerikan ishte i zoti sa për njëzet gjermanë. Duke e marrë për të mirëqenë këtë, na duhej vetëm që t’i shkreheshim një herë mirë kajzerit dhe ai do t’ia mbathte nga sytë-këmbët. As që do ta çonte nëpër mend të merrej me punët tona… po ja që u mor. Nuk do t’ia mbante të na fundoste anijet… po ja që na i fundosi. Budallallëk ishte, po ja që e bëri, ndaj nuk na mbeti rrugë tjetër veçse t’i përvisheshim.
Titulli: “Në lindje të Edenit”
Autor: John Steinbeck
Botues: Botimet Living
Përktheu: Anxhela Çikopano
Burimi/Facebook/


Leave a Reply