Bari njomë kishte zgjatur fijet dhe ngjyra e tij e gjebër thyhej nga luledelet me petalet e bardha që kishin nxjerrë kokat sipër. Pemët kishin nisur të çelnin gjethin dhe jeshilja dukej sikur ngjitej lart e bashkohej me gjelbërimin e sfondit në shpatin të malit Madalena. Përsipër horizontit herë-herë shfaqeshin re të bardha, çka do të thoshte se moti me faza që alternoheshin, kishte ndalur dukuritë eknkas. Disa rrugë harkoheshin përgjatë parkut dhe rreth një liqeni të vogël që ndodhej në mes. Poshtë disa pemëve ishin vendosur shumë stola e tavolina pikniku. Rruga që të ftonte të hyje në park, të çonte në një shesh rrethor të shtuar. Nga njëra anë e sheshit ishte një rrethim që ndante me liqeninin dhe përballë ishin në formë harku shkallë e gjithçka merrte formën e një teatri veror.Mes disa pemëve ishin varur disa tenda me qëndisma të rralla, të sjella nga piktorja e talentuar shkodrane Alketa Bercaj. Punime artistke kishte ekspozuar edhe piktorja dhe artizania duarartë Ninfa Pema. Në një tavolinë ishin ekspozuar fanella me simbolin e Centro Cuturale ODA dhe afër tyre ishte bashkëpunëtori Spiro Nipoli. Disa punime të veçanta kishte sjellë nga Bologna miku ynë Pirro Qendro, i cili kishte ardhur bashkë me vajzën e tij. Grupe fëmijësh ishin organizuar nga mësueset Blerta Arapi dhe Lirie Prela, të merreshin me punëdore, piktura e shumë prej tyre vizatonin në fytyra simbole të ndryshme, për t’i dhëne festës alegrinë … Sa për alegrinë, ishte dhe një tavolinë ku ishin servirur ballakumet e famshme, sa antike, aq moderne dhe Silvana Guga i shpërndante me konfeksion dhe një çantë simbolike. Me një fjalë, një miniatdhe me një Elbasan të madh.
Ky ishte ambienti ku dje e mësynë një numër i madh bashkatdhetarësh, shumica familje me të rritur e fëmijë, për të kaluar momente feste me rastin e Ditës së Verës. Tonaliteti i festës nisi i fortë nga këngëtari me zë të ëmbël Kosta Bonshi, me një kolazh këngësh nga Shqipëria e Mesme. Pak fjalë mbi origjinën e kësaj feste dhe ruajtjen me fanatizëm nga populli i Elbasanit, foli Sekretari i Centro Culturale ODA, sipërmarrësi Edmir Çekrezi. Shoqata Alba e feston çdo vit që nga krijimi i saj. Është viti i dytë që kësaj feste i jep sens e përmasa më të mëdha bashkëpunimi me Odën. Këtë e përmendi në fjalën e saj Presidentja e Shoqatës Alba, Miranda Bruçi. Moderatorja e talentuar Rajmonda Mara në gjuhën shqipe dhe Avv. Artan Bashli, në italisht, thirrën në plate disa veshje karakteristike nga shumë treva shqiptare, të femrave dhe të burrave. Mes tyre ishin dhe dy vogëlushe që ishin veshur me rroba karakteristike; njëra të Mirditës dhe tjetra, si mami i saj, të Çermenikës. Edhe kësaj here spikati prezantimi nga Mimoza Kurtulaj i xhubletës së Malësisë së Madhe, pasuri që mbrohet nga UNECO. Të rreshtuar të gjithë përpara publikut, krijuan një kolorit që bënte efekte nën rrezet e vakëta të diellit dhe tundjes në erë të shamive. Më shumë u tunden shamitë, kur të gjithë ata nisën një valle që më pas u bë një rreth i madh, i madh …
Publiku dëgjoi me shumë kureshtje live tingujt e bilibilit e më pas të çiftelisë, nga djali i talentuar e i pasionuar Ndrek Gjoka, i cili kishte ardhur me gjithë babain e tij. Dikush provoi të këndonte, por ishte e vështirë të sfidonte artistin tonë Kosta Bonshi, që me ardhjen e tij të jashtëzakonshme, i dha zmalt ditëfestës. Përsëri këngë të zgjedhura nga të gjitha trevat, të dashura nga publiku.
Sheshi mbushej herë pas here me valltarë rrathë-rrathë nga publiku dhe dukej sikur nuk u shuhej kurrë etja. Një moment një djal e një vajzë, të veshur me rroba karakteristike të Çermenikës, prezantuan vallen e bukur me vlera kombëtare, Vallen e Rajcës. Një dyshe fantastike, ritmike dhe e harmonishme, një kavalier e një vashë, me lëvizje e kombinime të hijshme, çifti Amandja dhe Landi Skapi, stimuluan të gjithë të pasionuarit dhe u rrethuan nga djem e vajza që i shoqëronin e duartrokisnin.
Bukuri të veçantë i dhanë festës fëmijët. Me çiltërsinë e tyre, loznin sa në shesh, aq në bar dhe shesh u bënë edhe protagonistë. Dua që akoma nuk i ka mbushur pesë vjeç, recitoi poezin “Manushaqja”. Një moment Presidenta e Centro Culturale ODA, Valbona Xibri, përmendi faktin e bukur që u rihap një shkollë me përkujdesjen e dy shoqatave bashkëunuese dhe hapjen e një kursi të gjuhës shqipe për të rriturit që janë të intersuar. Me këtë rast u prezantuan edhe mësueset Blerta Arapi, Lirie Prela, Lnda Gjoni, Erjola Çekrezi, Xhuliana Bardhi.
Bukuria e kësaj feste konsiston edhe në faktin që njerëzit janë të lirë të vijnë e të shkojnë gjatë gjithë aktivitetit. Grupe-grupe bënin muhabete, pasi mundësitë e takimit janë të rralla, për arsye të angazhimeve të shumta që ka çdo familjar. Disa luanin shah. Dikush bënte një ecje rrugëve joshëse të parkut. Fëmijët vraponin e rrotulloheshin mbi barin e njomë.
Edhe ne bashkëpunëtorët gjetëm momentin të bisedonim, pasi komunikimin e kemi pasur gjithë kohën online. Dhe para aktivitetit, u ndërtua gjithçka, që çdo gjë të shkojë si një mekanizëm i kolauduar. Ballakumet kishin ardhur nga vendlindja. Tavolina, karrige, stenda, tenda, gjenerator e shumë mjete të tjera për të kompletuar logjistikën, të cilat kërkojnë një angazhim të madh, u përballuan nga Altini, Edi, Jeta, Admiri, Ninfa, Liria, Durimi …
Edhe pse disa u lodhën vërtet shumë, lexohej një gëzim në fytyrat e të gjithëve, sepse ajo që doli në evidecë, ishte bashkëpunimi i sinqertë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply