Letra e Viktor Hygos për Zhulietën shpërthen nga zemra e një stuhie historike. Vetëm disa javë pasi Louis-Napoleon Bonaparte, i cili së shpejti do të kurorëzohej Perandori Napoleon III, kishte kryer një grusht shteti, duke shkatërruar Republikën e brishtë Franceze dhe duke shpërndarë parlamentin e saj, poeti që kishte ngritur zërin kundër tiranisë u detyrua të arratisej. I zhveshur nga gjithcka dhe i përndjekur nga perandori, ai u cilësua një njeri i kundërligjshëm, ndaj u detyrua të fshihej nga një vend në tjetrin, duke mbajtur vetëm penën, bindjet republikane dhe peshën e ndarjes nga familja e tij. Kur Franca rrëzohet, kurorat përplasen, republika fiket si një qiri në erë, poeti endet nëpër territoret e mërgimit si një hije pa strehë. Por në këtë natë të gjatë politike ndizet një yll: Juliette Drouet (Zhuliet Drue), jo gruaja e tij, por metresë, apo dashnorja e tij. Zhuliet Drue (10 Prill 1806 – 11 Maj 1883) ishte një aktore franceze e përshkruar nga ata që e njihnin si e pavarur, impulsive dhe me temperament të nxehtë. Ajo konsiderohej gjithashtu nga shoqëria pariziene si një kurtizane tipike që vishej shkëlqyeshëm, shpenzonte para në mënyrë të shfrenuar dhe ishte jashtëzakonisht e bukur. Zhulieta kishte sy të kthjellët e të shndritshëm, një hundë të hollë e të skalitur, një gojë të vogël e të kuqe të ndezur të vendosur në një fytyrë vezake, të rrethuar nga një masë flokësh të zinj me refleks blu. Në vitin 1833, ndërsa luante rolin e princeshës Negroni në veprën teatrale Lucrezia Borgia (Lukrecia Borxha), ajo takoi Viktor Hygon, gruaja e të cilit, Adèle, kishte një lidhje dashurie me kritikun Sainte-Beuve. Roli i saj i fundit skenik ishte ai i zonjës Xhejn Grej në veprën “Marie Tudor” të Hygos në vitin 1833, pas së cilës ajo braktisi karrierën e saj skenike dhe ia kushtoi pjesën tjetër të jetës dashnorit të saj. Ajo u bë sekretare dhe shoqëruese udhëtimi e Hygo-s. Për shumë vite ajo jetoi një jetë të tërhequr nga bota dhe dilte nga shtëpia vetëm në shoqërinë e tij. Në vitin 1852, ajo e shoqëroi atë në mërgim në Jersey dhe më pas në vitin 1855 në Guernsey. Zhuliet Drue, e dashura e Hygos prej gati njëzet vjetësh, rrezikoi jetën e saj për të organizuar arratisjen e tij të rrezikshme. Ndërsa shpërthyen përleshje të dhunshme në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera franceze, Zhulieta siguroi dokumente identiteti të rreme dhe një sërë shtëpish të sigurta ku Hygo mund të fshihej ndërsa priste të hynte në Belgjikë. Duke përdorur një pasaportë të rreme, Hygo mbërriti në Bruksel më 12 dhjetor. Zhulieta iu bashkua atij dy ditë më vonë. Ajo kishte marë me vete një valixhe që kishte brenda të gjitha veprat e mëparshme të Hygos dhe disa që ende nuk ishin botuar.
Zhulieta në mërgim bëhet port, bëhet dritare, bëhet dritë për shkrimtarin e madh. Në botën që e shpalli Hygon të jashtëligjshëm, ajo e shpalli të dashur. Çdo trokitje e dorës së saj në derë është si një agim që thyen terrin. Frika tretet, ndjekësit zhduken, dhe dhoma e fshehtë merr frymën e një katedraleje të vogël ku dashuria është lutje. Figura e Zhulietës ngrihet në qiellësi kozmike. Ajo është si yjet që derdhin dritë pa u varfëruar, si një pranverë që përtërihet sa herë dhuron. Dashuria e saj është ligji i vetëm që nuk e rrëzon asnjë perandor. Letra e Viktor Hygos drejtuar Zhulietës përfaqëson një dokument të rrallë ku ndërthuren përvoja historike e mërgimit politik me dimensionin intim të dashurisë. Teksti ndërtohet mbi një kontrast të fuqishëm simbolik midis errësirës dhe dritës: autori paraqitet i dëbuar, i varfër dhe i plagosur shpirtërisht, por prania e Zhulietës e transformon menjëherë realitetin, duke u bërë shenjë shpëtimi dhe hiri hyjnor.
Mrekullia e letrës qëndron në shenjtërimin e së përditshmes. Dy kolltuqe të lodhur bëhen fron, një vakt i thjeshtë bëhet kungim, pëshpërimat e saj bëhen psalme. Elementet konkrete si dhoma e errët, mobilimi i thjeshtë, apo vakti modest e materializojnë këtë përkushtim dhe e bëjnë të prekshëm përjetimin, ndërsa gjuha e lartë poetike e sublimon atë drejt përjetësisë. Historia ulërin jashtë, por brenda, dy zemra ndërtojnë një univers që nuk pushtohet.
Hygo, ky kolos i letërsisë dhe tribunave, para saj bëhet njeri që dridhet. Ai e pranon burimin e forcës: qetësia e tij lind nga sytë e saj, qëndrueshmëria e tij nga duart e saj. Heroizmi shkrihet në përqafim. Madhështia bëhet mirënjohje.
Kështu mërgimi shndërrohet nga shkretëtirë në shtëpi. Nga dënim bëhet bekim. Këtu nuk shohim më një burrë të fuqishëm, por një burrë të plagosur që shërohet nga prania e gruas që nuk iku.
Në planin etik, Zhulieta ngrihet në figurën e besnikërisë absolute. Hygo e pranon se qetësia dhe qëndrueshmëria e tij burojnë prej saj, çka e zhvendos heroizmin nga individi te marrëdhënia. Dashuria nuk është vetëm ndjenjë, por energji morale që e mban gjallë subjektin në kohë rreziku.
Edhe kur poeti e imagjinon veten hi, një pluhur të ftohtë në duart e kohës, ai kërkon një pavdekësi tjetër: të mbetet një rrahje në zemrën e saj. Bota le të mbajë mendimet e veta, ndërsa ajo do të mbante dashurinë e tij. Përfundimi sintetizon gjithë filozofinë e letrës: përballë paragjykimeve, ajo që mbetet si vlerë supreme është dashuria.
Në këtë kuptim, letra mund të lexohet si një manifest humanist mbi fuqinë shpëtuese të lidhjes njerëzore.

Letra
Për Zhulietën, 31 dhjetor 1851
Engjëlli im i ëmbël dhe i dashur, ja ku po mbaron dhe ky vit, që ishte një vit hidhërimesh, një vit vështirësish, një vit sprovash. Viti që po nis tani do të jetë viti i shpresës, i gëzimit dhe i dashurisë. Mos dysho për këtë, sepse këtë po ma thotë e gjithë zemra ime.
Jam i ndaluar, i dëbuar, i ndarë nga familja ime, i varfër, endacak, i plagosur në zemër. E megjithatë, kur vij para teje, më duket sikur shoh vetë Zotin duke më buzëqeshur.
Gjatë këtyre ditëve të errëta dhe të vështira, ti ke qenë për tu admiruar, Zhulieta ime. Nëse do të kisha nevojë për guxim, ti do të ma kishe dhënë. Por ajo, për të cilën kisha nevojë ishte dashuria dhe bekuar qofsh ti, sepse ma dhe. Në një nga vendet e rrezikshme ku unë fshihem, pas një nate pritjeje plot ankth, kur në mëngjes dëgjova çelësin e derës sime të dridhej nën dorën tënde, harrova gjithçka. Nuk ndjeva më rrezik apo errësirë përreth meje. Ishte drita ajo që hyri.
Oh, le të mos i harrojmë kurrë ato orë të tmerrshme, por kaq të ëmbla, kur ishe pranë meje në mes të luftës! Do ta kujtojmë për gjithë jetën atë dhomë të vogël e të errët, ato tapete të vjetra, ato dy kolltuqe pranë njëri-tjetrit, ato vakte modeste në cep të tavolinës me pulën e ftohtë që solle, ato biseda të buta, përkëdheljet e tua, shqetësimet e tua, përkushtimin tënd. U habite nga qetësia dhe kthjelltësia ime. A e di nga vjen kjo qetësi dhe kthjelltësi? Vjen nga ti. E sheh, Zoti nuk godet kurrë plotësisht; ai na hodhi këtu, por së bashku. I bekuar qoftë Ai.
Në këto vite që mjerisht, kanë kaluar kaq shpejt, shpirti yt ka shpenzuar thesare butësie, përkushtimi, besnikërie, virtyti e megjithatë ky shpirt i bukur është më i pasur se kurrë. Sytë e tu më kanë dhënë shumë buzëqeshje, goja jote më ka dhënë shumë puthje e megjithatë fytyra jote e ëmbël është më e re se kurrë. Ti dhe gjithçka dhe ruajte gjithçka. Unë kisha gjithçka dhe ti ke gjithçka. Vetëm yjet e qiellit mund të dhurojnë pa pushim rrezet e tyre kështu pa e zbehur dritën e tyre.
Viti që kaloi ka qenë i trishtueshëm. Gjysma e zemrës sime ka vdekur. Oh! Sa e butë ke qenë me mua në ato orë ankthi! Zoti të shpërbleftë dhe të bekoftë! Dashuria jote, o engjëlli im, i ngjan virtytit. Mezi pres të të shoh sonte. Duket sikur rrahjet e zemrës sime duan të përshpejtojnë tik-takun e orës për të mbërritur aty sa më shpejt. Kur të mos jem gjë tjetër veçse hi i ngrirë, kur sytë e mi të lodhur të mbyllen për të mos e parë më dritën, nëse kujtimi im është i ngulitur në zemrën tënde, thuaji vetes:
Bota ka mendimet e saj
Unë, kisha Dashurinë e tij.
Viktor Hygo
Përgatiti tekstin dhe përktheu letrën:
Laureta Petoshati
Burimi/Facebook


Leave a Reply