Duke nisur nga muaji qershor i këtij viti, Bashkia Lezhë do të menaxhojë vetë shërbimin e pastrimit dhe mbetjeve, përmes krijimit të ndërmarrjes së saj publike.
Strategjia e re parashikon hedhjen e mbetjeve sipas orareve të përcaktuara, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale. Për më tepër, do të ketë ditë të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme, atyre të gjelbra, mbetjeve elektronike si dhe mobilieve. Strategjia u prezantua nga Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, gjatë një takimi informues me të gjithë aktorët e përfshirë në proces.
“Në qershor bashkia e Lezhës merr komplet shërbimin e menaxhimit të mbetjeve. Kompanitë private nuk do të kontaktohen më nga ne. Pastrimi i territorit nuk ka qenë në cilësinë që duhet dhe kontrata nuk është zbatuar. Kjo nuk është çështje politike, por standard jetese që duhet të kapim tani,” tha Pjerin Ndreu.
Me këtë model të ri të menaxhimit, Bashkia Lezhë synon të bëhet një nga njësitë e para vendore në Shqipëri që zbatojnë standarde evropiane, duke përmirësuar pastrimin dhe reduktuar ndotjen në territor.
Burimi/Facebook/Portali Shkodra Sot


Leave a Reply