Pjesa e parë
Në dyqanin ku punoja, ngjitur ishte një magazinë që shiste gjëra të përdorura. Shpeshherë i thoshim njëra-tjetrës “mirëmëngjes”. Ishte një grua rreth të pesëdhjetave, mesatare në trup, e bardhë në fytyrë, me flokë të ngjyera bionde, e lezetshme. Nuk më ngjante për vendase.
“Refugjate do të jetë”, mendova, si puna ime… ndonjë ruse? Po prapë nuk e kuptoja çfarë ishte.
Më përgëzonte sa herë më shihte, me një buzëqeshje, dhe shpesh më thoshte:
“Ju jeni një zonjë e respektuar… dukeni nga sjellja.”
Më shihte kur mbaronim punë dhe, nëse kishte ngelur ndonjë gjë e pjekur nga dyqani i pronarit, ai më thoshte ta merrja. Por unë i çoja te një kishë e vogël që kishim përballë, aty ku ndodhej stacioni i autobusave. Mendoja se dikush tjetër do ta kishte më shumë nevojë se unë.
Gjithmonë shikoja punën time dhe mundohem me shpirt të ndihmoja të tjerët.
Një ditë më ndalon dhe mundohet të më mbushë mendjen të vija në shtëpinë e saj me qira. Do ma jepte me pak lekë dhe do më jepte të vjehrrën që t’i bëja shërbime në orët e pasdites, kur ajo të kishte nevojë.
Në pamje të parë më dukej njeri i mirë.
E diskutova mendimin e saj me bashkëshortin tim dhe, meqë do ta kishim afër, pse mos ta mbanim të moshuarën, thashë. Kisha shumë nevojë për ndihmë ekonomike: kisha katër fëmijë në shkollë dhe të ardhurat ishin mesatare. Punoja me 3.30 euro ora.
Vendosëm ta merrnim shtëpinë e tyre me qira. Kur shkova për ta parë me një shoqen time, hymë në një oborr të madh. Ishin dy shtëpi: njëra brenda oborrit, shumë e mirë, dhe tjetra nga ana e rrugës.
“Po hajde,” thashë, “se me pak lekë vetëm plehnicë është,” i thashë shoqes.
Ajo qeshi:
“Hajde moj, hajde… se do ta pimë kafen te oxhaku, do kënaqemi.”
“Epo mirë,” thashë, “ta shikojmë njëherë e pastaj vendosim.”
U drejtuam nga porta tjetër dhe i ramë ziles. Nuk përgjigjej njeri.
“Hajde të ikim,” thashë, “se do na gjejë ndonjë e do thonë: çfarë doni?”
Kur papritur u hap dera. Doli një plakë me shkop në dorë. Rreth të nëntëdhjetave. Zeshkane, e gjatë, kapedane, e veshur me të zeza, me një jelek të kopsitur bukur. Dukej e mbajtur.
“Mirëmbrëma,” tha.
“Mirëmbrëma,” ja kthyem.
Na ftoi brenda:
“Hajdeni… tani do vijë djali me nusen, rrini pak t’i prisni.”
“Jo,” i thashë, “nuk ka nevojë… do vijmë një ditë tjetër.”
Por ajo filloi të lutej. Shoqja ime tha:
“Hajde, po i presim.”
Hymë brenda dhe po prisnim.
Më ngrinte gjaku. Nuk isha mësuar të hyja në shtëpinë e botës e të prisja, sidomos kur zonja e shtëpisë mungonte.
“Nanë,” i thashë, “të ikim ne, se do vijmë prapë.”
“Jo,” ma ktheu, “prisni… kam frikë vetëm.”
Ajo nuk e dinte që edhe mua më ishte bërë gjaku ujë.
U hap dera. Erdhi një djalë rreth 27 vjeç, i gjatë, esmer, me pak mjekër.
“Ua,” i thashë shoqes me zë të ulët, “ça na bëre…”
“Mirëmbrëma,” tha ai.
I shpjegova gjithçka, për zonjën që më kishte ftuar, për nënën që kishte frikë.
“Epo mirë,” tha djali. “Tani mund të ikni.”
Plaka i lutej të mos ikte derisa të vinin nusja me djalin tjetër. U kuptua që kishte frikë të rrinte vetëm.
Sa gjynah, i thashë shoqes… shumë plak mu duk, e vetmuar.
Djali doli pas nesh, e mbylli derën dhe i tha plakës se do vinin më vonë.
Ikëm… por mendja nuk më hiqej nga ajo grua.
Pas disa ditësh e takova prapë zonjën e dyqanit dhe i tregova gjithçka.
“Po s’ka gjë,” tha ajo, “ashtu u thotë të gjithëve, gjoja se ka frikë.”
Aty u futa në dyshim.
Megjithatë, për shkak të punës dhe nevojës, vendosëm ta merrnim shtëpinë. I kërkova letra dhe një kontratë.
“Duhet të prisni pak për kontratën,” më tha.
Prisëm.
Dhe e morëm shtëpinë…
Vazhdon…
5.2.2024 – SH.A.V. – Athinë

Burimi/Facebook


Leave a Reply