Skandali i fundit në Big Brother VIP ka rikthyer me forcë një debat të vjetër, por gjithnjë aktual: deri ku shkon spektakli dhe ku nis përgjegjësia morale e medias? Rasti i banorit Keijsi Hyseni, i cili ka ofenduar hapur dhe rëndë banoren Stelina, duke përdorur një gjuhë vulgare, denigruese dhe thellësisht fyese, nuk është thjesht një incident i izoluar emocional, por një simptomë e një problemi më të madh.
Vetëm një Prime më parë, Keijsi i shpëtoi një nominimi si pasojë e “zarfit të zi”, pikërisht për shkak të gjuhës ofenduese të përdorur nga ai dhe disa banorë të tjerë. Megjithatë, duket se ky “paralajmërim” nuk ka shërbyer si kufi, por si licencë për të vazhduar të njëjtin model sjelljeje. Këtë javë, sërish në nominim, banori ka zgjedhur të luajë në limitet e durimit publik, duke mos kontrolluar as veten dhe as gjuhën, veçanërisht ndaj ish-partneres së tij, Stelinës.
Pamjet dhe citimet e transmetuara – të shpërndara gjerësisht në media – janë tronditëse jo vetëm për përmbajtjen, por për normalizimin e tyre. Kur fyerje të tilla jepen pa filtra, pa ndëshkim real dhe pa distancim të qartë nga produksioni, mesazhi që përcillet është i rrezikshëm: se bullizmi, seksizmi dhe gjuha e urrejtjes janë pjesë e lojës, madje një mjet për të marrë vëmendje.
Ndërkohë që publiku përballet me këtë realitet, Top Channel dhe portalet e tij zgjedhin të promovojnë lajme të tipit “ndodhi puthja e parë në Big Brother”, duke anashkaluar thelbin e asaj që po ndodh realisht në shtëpi. Një puthje që shumica e publikut dhe vetë banorët e kanë kuptuar se lidhej drejtpërdrejt me strategjinë e nominimit, shitet si romancë, ndërsa dhuna verbale dhe bullizmi mbulohen me heshtje ose relativizim.
Akoma më shqetësuese janë perceptimet publike se ky banor gëzon mbështetje nga persona brenda produksionit – perceptime që nuk lindin rastësisht, por ushqehen nga mungesa e reagimit, nga mosndëshkimi dhe nga vazhdimësia e privilegjeve televizive. Komentet e shumta në rrjetet sociale tregojnë qartë se publiku nuk është i verbër dhe as i painteresuar.
Pyetja që shtrohet është thelbësore:
A është kjo ajo që duhet të përcjellë Big Brother?
A është kjo fytyra që Top Channel dëshiron t’i tregojë publikut të gjerë dhe rinisë shqiptare?
Në një shoqëri ku dhuna verbale, bullizmi dhe gjuha e urrejtjes janë tashmë probleme reale, një format kaq i ndjekur nuk mund të fshihet pas justifikimit të “lojës” apo “emocioneve të momentit”. Televizioni nuk është vetëm pasqyrë e realitetit, por edhe formues i tij. Kur ofendimi shpërblehet me vëmendje dhe tolerohet nga produksioni, ai kthehet në model.
Big Brother nuk ka detyrimin të jetë shkollë morali, por ka detyrimin minimal të mos promovojë sjellje që dëmtojnë dinjitetin njerëzor. Heshtja përballë gjuhës denigruese nuk është neutralitet – është bashkëfajësi.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi.
Luigj Shkodrani
Gazetar dhe drejtues i radios shqipe Projekt 21 ne Danimarke


Leave a Reply