Gazeta daneze Information i ka kushtuar një artikull situatës së njerëzve të pastrehë në Kopenhagë. Në kuadër të reportazhit, gazeta ka vizituar një strehimore për të pastrehët “Grace Kbh på Nørrebro i København”, në lagjen Nørrebro të kryeqytetit danez.
Sipas Information, në Kopenhagë ka rreth 1.300 persona pa strehë. Megjithatë, kapacitetet e strehimoreve nuk mjaftojnë për të gjithë dhe jo të gjithë kanë mundësi të kalojnë natën në një vend të sigurt. Për këtë arsye, në disa strehimore vendet e fjetjes ndahen përmes llotarisë, ku vetëm një numër i kufizuar personash përzgjidhen çdo javë për të pasur një shtrat gjatë natës.
Njëri prej tyre është Ilir Ahmeti, një 42-vjeçar shqiptar, i cili aktualisht jeton pa strehë në Nørrebro. Ai kishte ardhur në Kopenhagë gjatë një udhëtimi nga Suedia drejt Gjermanisë, por pa para dhe pa rrjet mbështetës, u detyrua të gjente strehë në një shtëpi të braktisur jashtë qytetit. Atje u plagos rëndë, kur në errësirë u përplas me xham të thyer që iu ngul në bark.
Ngjarja ndodhi rreth një muaj më parë. Si pasojë e plagëve, mjekët u detyruan t’i heqin njërën veshkë.
Sot, Ilir Ahmeti qëndron në qendrën ditore Grace Kbh në Nørrebro, ku gjatë dimrit ofrohen edhe vende emergjente për fjetje. Pesë netët e fundit ai ka pasur fatin të përzgjidhet në llotari dhe të sigurojë një shtrat për natën.
Për të tjerët, nata mbetet ende pa adresë, pa ngrohje, pa ushqim dhe shpesh nën qiell të hapur, në temperatura që zbresin deri në minus 10 gradë. Në këto kushte, rreziku për sëmundje serioze apo edhe për humbje jete është i lartë.
Për këtë arsye, kushdo që e takon Ilir Ahmetin, apelojmë që ta ndihmojnë sipas mundësive apo ta drejtojë drejt ndonjë klubi shqiptar, xhamie apo shoqate humanitare, ku ai mund të strehohet përkohësisht dhe të marrë ndihmën e nevojshme.
Përktheu dhe përshtati
Adnan Aliti
Burimi/Facebook


Leave a Reply