
Numri lartë i këngëtarëve nga Shkodra në Festivalin e Këngës 64 ka rikthyer në vëmendje rolin e veçantë që ky qytet ka pasur dhe vazhdon të ketë në muzikën shqiptare. Përfaqësimi i gjerë shkodran në këtë edicion shihet si dëshmi e një tradite që nuk është shuar, por që vijon të ushqehet brez pas brezi.
Në këtë kontekst ka reaguar edhe deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, e cila përmes një statusi në rrjetet sociale ka theksuar se Shkodra është ndër ato qytete ku muzika, fjala dhe arti kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës së përditshme. Sipas saj, nga ky qytet kanë dalë artistë që kanë lënë gjurmë të thella në kulturën shqiptare, jo si rezultat i shtytjeve artificiale, por falë një mjedisi që di të rrisë talentet me natyrshmëri dhe dinjitet.
Koçeku ndalet edhe te prania e shumtë e këngëtarëve shkodranë në Festivalin e Këngës 64, ku Shkodra përfaqësohet nga Rigersa Loka, Alis Kallaci, Margherita Shllaku, Luna Causholli, Rezarta Smaja dhe Savjana Vjerdha.
Koceku shkruan:
Shkodra asht ndër ato qytete që kurr s’i asht shue zani, sepse muzika, fjala e arti kanë kenë gjithmonë pjesë e jetës së përditshme, pjesë e shpisë, e rrugicave, e festave edhe e dhimbjeve. Prej ktij qyteti kanë dalë artista që kanë lanë gjurmë të thella, e breza që kanë ardhë mbas tyne, jo pse dikush i ka shty përpara, por pse Shkodra ka ditë me i rrit talentet me natyrshmëni e me dinjitet.
Edhe sot kjo vazhdon me u pa kjartë. Në Festivalin e Kangës 64, marrin pjesë Rigersa Loka, Alis Kallaci, Margherita Shllaku, Luna Causholli, Rezarta Smaja dhe Savjana Vjerdha , emna që vijnë prej Shkodre e që përfaqësojnë jo veç veten e tyne, por edhe nji traditë të gjatë kulture e muzike.
Kta artistë meritojnë me u ndigjue e me u mbështetë, sepse kur Shkodra flet përmes zanit të tyne, flet nji histori e vjetër që vazhdon me u shkrue edhe sot. Le t’jemi afër tyne dhe le ta mbajmë Shkodrën nalt, ashtu siç ka kenë gjithmonë.
Burimi/Facebook/Portali Shkodra Sot


Leave a Reply