Shan Pici është një nga figurat më të rëndësishme të fotografisë shqiptare, një mjeshtër që i dha jetë këtij arti në një periudhë sfiduese për vendin. I lindur në Shkodër më 1904, ai nisi rrugëtimin e tij si shegert në studion “Marubbi”, duke mësuar aty themelet e zanatit. Vetëm pak vite më vonë, në 1924, hapi studion e vet “Fotografia Pici”, të ndërtuar me ndriçim natyral, siç ishte tradita e kohës.
Në periudhën kur fotografia bëhej bardh e zi dhe çdo shkrepje varej nga drita e diellit, Pici u dallua mes emrave të mëdhenj të fotografisë shqiptare. Për më shumë se pesë dekada krijimtarie, ai la pas një fond gjigant me rreth 70 mijë pllaka filmi dhe negative që dëshmojnë jetën shqiptare, portrete të personaliteteve dhe ngjarje historike.
Ndër punimet më të spikatura të tij janë fotografitë e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë në Tiranë, portretet e familjes mbretërore dhe dokumentimi i banorëve të Mirditës gjatë pajisjes me pasaporta. Udhëtimet e shpeshta në zonat veriore – nga Malësia e Madhe deri në Kukës e Tropojë – e bënë atë pionier të fotografisë turistike në Shqipëri, duke e lënë veriun të dokumentuar në detaje unike.
Shan Pici njihet edhe si “fotografi i popullit”, sepse punimet e tij pasqyrojnë jetën reale të njerëzve, vështirësitë dhe kontrastet sociale të kohës. Ai ishte i pari që fotografoi rrethin e parë çiklistik në vend, duke u renditur ndër fotoreporterët e parë sportivë shqiptarë.
Trashëgimia që ka lënë pas është një thesar kombëtar, një arkiv i gjallë që ruan historinë dhe identitetin e një Shqipërie në ndryshim.
Burimi/Facebook/Realiteti Post


Leave a Reply