Çdo ditë, mbi 10 orë punë! Tani po pi një kafe. Ç’të them? Është ndoshta nga romanet më aktualë të shkrimtarit, ndonëse i mbetur disi në hije.
Por pikërisht ky roman ka qenë vlerësuar përveçmas nga mjeshtrat e mëdhenj në Europë. Për mua, përpos temës së mprehtë të identitetit të kësaj moshe delikate në familjet e përziera, romanin e përshkon një ide themelore filozofike e metafizike: kërkimi torturues i ndjenjës së atësisë. Atësia është, sidomos, një ndjenjë e parëlindur, vendimtare, që sot është reduktuar në një surrogato konvencionale; është ndjenja me peshën më torturuese. Rolin e babait në psikikën e fëmijës janë munduar ta katandisin politikat feministe në rolin e mashkullit si te bletët. Por atësia është një kryegur themeli në psikikën e fëmijës. Mungesa e atësisë bën që ky univers të ndjehet jetim, që familja të bëhet një fuçi e dhimbshme frustrimi.
Këtë ide, që nis nga Iliada me kërkimin e atit (Odiseut) nga Telemaku, sikundërse lidhjet atë e bir tek “Eneida” e Virgjilit, e rimer me gjeninë e vet Dostojevski. Kjo ide e kërkimit të ndjenjës së atësisë dhe birësisë përshkon dhe romanin “Uliksi” të Xhejms Xhojsit.
Si e patën përjetuar shkrimtarët e shekullit XX romanin e Dostojevskit “Adoleshenti”?
Bie në sy fakti se pikërisht kjo vepër ka ngjallur vëmendjen dhe meditimin më të kujdesshëm të një sërë shkrimtarësh të mëdhenj: mjafton të kujtojmë Herman Hesen, Franc Kafkën, André Giden, Thomas Mannin dhe Robert Musilin.
Për Franc Kafkën dihet — siç dëshmon miku i tij Max Brod — se “ishte veçanërisht i mahnitur nga Adoleshenti dhe ma lexoi mua”, domethënë vetë Brodit, “me zë të lartë, i kapluar nga frymëzimi, fillimin e kapitullit të pestë, ku shpaloset qëllimi fantastikisht paradoksal i heroit për t’u bërë jashtëzakonisht i pasur”. Dhe pikërisht këtë kapitull të pestë të pjesës së parë, që Kafka e lexoi me zë të lartë “i pushtuar nga frymëzimi”, e nënvizon gjithashtu André Gide në librin e tij mbi Dostojevskin. Gide i shton studimit të vet një shtojcë me dy fragmente, nga tetë faqe secili, që ai i konsideron më përfaqësuesit për artin e Dostojevskit: njërin e merr nga Adoleshenti, tjetrin nga Idioti. Teksti i zgjedhur nga Adoleshenti është po nga ai kapitull i pestë që e kishte mahnitur Kafkën.
Së fundi, Thomas Mann shënon në ditarin e tij, më 16 gusht 1952: “Nisa të rilexoj Vitet e formimit (Werdejahre). Faqet e para të Zeitblomit janë ndjeshëm të ndikuara prej tij (romanit të Dostojevskit — H.J.G.), gjë që s’e dija më par딹. Werdejahre është, bashkë me Junger Nachwuchs dhe Ein Werdender — ose Der Jüngling dhe Ein grüner Junge — një nga titujt me të cilët Adoleshenti është botuar në gjermanisht.
Thomas Mann vëren me habi se e kishte zhvilluar hyrjen e Doktor Faustit — domethënë tonin rrëfimtar tipik të Serenus Zeitblomit — nën ndikimin e pavetëdijshëm të Adoleshentit. Një vërejtje tejet domethënëse për psikologjinë e krijimit!
Para se të kthehemi te vetë Adoleshenti i Dostojevskit, duhet përmendur edhe një tjetër koment i një shkrimtari. Robert Musil, në shënimet e ditarit të viteve 1940–1942, vëren se Ibseni, njësoj si Dostojevski, qe “përshkrues i vullneteve dhe konflikteve të tyre”. Më pas ai shkruan: “Arkadi, në Adoleshenti, e edukon veten në një frymë asketike. ‘Ideja’ e tij është të bëhet një Rothschild. Vullneti për pushtet — dhe burimi i tij. Për një estet, kjo është krejt e painteres, por është interesante në shkallë madhore.”
Dhe ja përsëri, papritmas gjendemi te kapitulli i pestë i pjesës së parë, që pati tërhequr vëmendjen e Kafkës dhe të Gide-it. Kësaj, Musil i shton këtë mendim: “E njëjta gjë si në vitet e formimit të H[itlerit?]. Çfarë duhet bërë për të fituar pushtet dhe si do ta përdor atë — pyetja e rinisë së tij dhe e fillimit të tij politik. I nxitur nga ndjenja e kundërshtisë pas një lufte të humbur.”
Përveç Robert Musilit, askush tjetër nuk ka vënë ndonjë paralelizëm mes Adolf Hitlerit dhe Arkadi Dollgorukit, heroit adoleshent të Dostojevskit. Musili vijon kështu: “Pakënaqësia e Arkadit me ‘marrëzinë’ e vet përsëritet si gjendje depresive. Ajo lidhet me ndjesinë se ai është i thirrur për një vepër të madhe dhe se një ditë do të mund ta arrijë qëllimin e vet”.
Kësisoj, Robert Musil sheh në Adoleshentin e Dostojevskit shfaqjen e një tipi njerëzor, të një individi pa pushtet, por të mbushur me ambicie, që do të donte të bëhej një Rothschild, por që, në rrethana të tjera, mund të shndërrohej edhe në një Hitler; sepse ato ëndrra të artikuluara për pushtet janë të një nëntëmbëdhjetëvjeçari pa fuqi, të brengosur nga ndjesia e thellë e pafuqisë së vet.
Pa dyshim, Robert Musili, pa dhënë ndonjë gjykim estetik, ka njohur potencialin e rëndë e serioz që fshihet në rrëfimet e Dostojevskit për jetën e një të riu njëzetvjeçar. Dostojevski përshkruan ferrin e adoleshencës si një luhatje mes vetëdijes morale dhe veprimit të dëshpëruar kriminal.
Burimi/Facebook


Leave a Reply