Kancelari gjerman, Friedrich Merz, paralajmëroi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i anashkalojnë vendet evropiane në negociatat e mundshme me Rusinë lidhur me Ukrainën, duke theksuar se çdo marrëveshje pa dakordësinë e Evropës nuk mund të sjellë paqe të qëndrueshme.
Gjatë fjalimit të tij në Bundestag, Merz tha se evropianët janë të interesuar të shohin sa më shpejt përfundimin e luftës në Ukrainë, por nënvizoi se marrëveshjet e arritura “mes fuqive të mëdha”, pa pëlqimin e Ukrainës dhe Bashkimit Evropian, do të ishin të papranueshme.
“Në këtë moment të vështirë për Ukrainën, për Evropën dhe për aleancën tonë me SHBA-në, dua të jetë krejtësisht e qartë: çështjet evropiane mund të vendosen vetëm me dakordësinë e Evropës,” deklaroi Merz.
Ai shtoi se Evropa nuk është një pion në arenën ndërkombëtare, por një aktor sovran që ndjek interesat dhe vlerat e veta. Merz theksoi se lufta do të mund të përfundonte menjëherë nëse Rusia do të ndalonte agresionin dhe do të tërhiqte trupat nga territori ukrainas.
Lideri konservator gjerman mirëpriti ndryshimet e bëra në planin fillestar me 28 pika të presidentit amerikan, Donald Trump, pas takimit të delegacioneve të SHBA-së, Ukrainës dhe përfaqësuesve evropianë në Gjenevë të dielën.
“Bashkimi është thelbësor, bashkimi brenda Evropës, bashkimi me Ukrainën dhe bashkimi brenda aleancës transatlantike,” theksoi ai.
Merz bëri thirrje që vendet perëndimore të rrisin presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, me qëllim që ta detyrojnë Kremlinin të ulet në tryezën e negociatave.
Burimi/Facebook/Besainfo Ch


Leave a Reply