Pjesa gjashtë
(Aliu)
U ndava nga kujdestar Kristaqi me shpresë e besim se do ta përfitoja bursën e plotë, domosdoshmëri për vazhdimin e kësaj shkolle të lakmuar nga kushdo.
– Gjithçka varet nga drejtori, ai zotëron situatën dhe imponon vendimmarrjen në drejtori – mendoja me vete ndërkohë që këmbët po më çonin në drejtim të grupit të shokëve, nga të cilët isha ndarë kur më thirri Kristaqi.
Politeknikumi mbahej dhe ishte shkolla më e mirë në vend ngaqe përbërësit e saj, nxënësit, pedagogët dhe drejtuesit ishin nga më të mirët në qarkullim.
Gjergji Canco ishte drejtori i kësaj shkolle para se në këtë detyrë të vinte Ali Progri, drejtori që unë gjeta dhe lashë gjatë kryerjes së kësaj shkolle.
Veçoj më sipër cilësinë maksimale të përbërsve të kësaj shkolle dhe ndërsa për kohën time të qëndrimit aty jam vet dëshmitar i asaj që them, për cilësinë e dretorit të mëparshëm, Gjergj Cancos, shprehet bukur fare miku im dhe ish polikumsi i 63 – 67 -ës, Adam Buzi, me si më poshtë :
”Gjergj Canco, një kollos me cilësinë e përzgjedhjes së pedagogëve si Ibrahim Babamusta, Qazim Xhepa, Mehmet Çami, Xhemil Abazi, Hajrulla Uruçi, Robert Harito etj”.
Ali Progri, docent dhe një prej mëndjeve më të zgjuara të kohës në fushën e shkencës dhe teknikës, ishte pasues i denjë i Gjergj Cancos, dhe ashtu sikurse për Gjergjin, edhe për Aliun mund ta përdorje pa frikë se gaboje superlativën ”Kollos”.
Kur unë shkova në politeknikum mbaj mend se gjeta Mehmet Çamin si Kryetar të Degës Elektrike dhe Hajrulla Uruçin si pedagog në të, të dy këta përzgjedhje e Gjergji Cancos.
Por Ali Progri kishte meritën e tij në përzgjedhjen e pedagogëve cilësor, mes të cilëve mund të përmënd Hyjnor Minarollin, Suvorov Backën, Bujar Kaltanjin, Demir Alizotin, Qazim Baronin, Nuri Leskajn dhe shumë të tjerë që i gjeti nga Gjergji apo i rekrutoi vet.
Theksoj cilësitë e drejtuesit të politeknikumit Ali Progri për ta bërë më të kuptueshëm vendimmarrjen në favorin tim momentin e shqyrtimit të kërkesës sime për akordim burse.
Kur kujdestar Kristaqi më kërkoi të sillja vërtetime për pagë reale të prindërve, unë u ”detyrova” të shkoja në shtëpi për ti marrë.
Kjo shkuarje në shtëpi kishte të keqen se duheshin para për vajtje – ardhje Tiranë – Q.Stalin dhe anasjelltas, por kishte edhe të mirën e shmalljes me prindërit, motrat e vëllezërit.
Por veç këtyre, kjo vizitë në shtëpi pati edhe një çast të pakëndshëm që të nesërmen u kthye në ndjenjë pozitive.
– Hajde qethu nesër se je bërë si gogol – më tha im at tek hanim darkë atë ditë të vajtjes sime në shtëpi.
– Po, po, do qethem se më është rritur shumë floku, por…..
– E di, e di, nuk po të qortoj, po të them që të vish e të qethesh nesër – më tha im at duke e ndërprerë justifikimin tim për flokët e gjata.
Të nesërmen shkova në berberanë për t’u qethur dhe gjeta të lirë vetëm tim at.
Në moment më pushtoi një mërzi që do të përfundoja në duart e tim eti që qethte me stilin e soçëm, por që në atë kohë nuk preferohej, sidomos nga rinia.
Im at ishte mjeshtër në zanat, gjithë paria e kohës, drejtues, oficerë dhe intelektual me zë tek ai qetheshin, që, edhe pse ishin vlera, përsëri ishin të paktë në krahasim me ata që preferonin llojin tjetër të të qethurit.
Unë bëja pjesë tek shumica, nuk qethesha tek im at, por këtë e bëja me marifet, qethesha ditën kur ai ishte pushim.
Edhe rastin në fjalë e lashë apostafat qethjen në minutën e fundit, për t’u ulur tek dikush tjetër nëse im at do të ishte i zënë me punë.
Por zoti e ndëshkoi hilenë time, kur hyra në berberan gjeta tim at të lirë dhe si pasoj vura kokën time në dispozicion të tij.
I miri baba, idhulli im, qëndisi mjeshtërisht ballaboksin e tij në kokën time duke krijuar në shpirtin tim një mëzi të tejzgjatur që me shoqeroi gjate gjithe rruges per ne Tirane.
Të nesërmen e kthimit tim, të hënën në mëngjes, na rrjeshtojnë në oborrin e shkollës, pikërisht para hyrjes së godinës së degës së radios.
Do të fliste drejtori i shkollës për rëndësinë dhe nevpjshmërinë e paraqitjes së jashtme të nxënësve të shkollës sonë.
Mes të tjerave ai nënvizoi edhe kundështinë ndaj mbajtjes së flokëve të gjata dhe pantallonave kaubojs nga djemtë.
Ishte viti 72 dhe era e liberalizimit kishte depërtuar edhe tek ne, megjithë punën intensive e cilësore që bëhej aty për të mos u ndikuar nga shfaqjet e huaja.
Dhe pikërisht kur ishte duke folur për sa më sipër, i vajti syri tek unë dhe tha:
– Hajde këtu ti djalë, dil këtu përpara….shikoni ju të tjerët si duhet mbajtur vetja, si duhet qethur e si duhet veshur – tha drejtor Aliu duke më rrotulluar si në paradat e modës që ta shihnin të gjithë ballaboksin e tim eti në kokën time.
– Ta dish ti o drejtor sa i mërzitur kam qënë e jam unë nga kjo qethje, jo vetëm që shembull për mirë nuk do të më bëje, por edhe me sy nuk do më shihje – thashë me vete teksa kthehesha në rrjesht tek shokët.
Por në anën tjetër, pse ta fsheh, më erdhi mirë e ndjeva një gëzim në shpirt që alamet Aliu i asaj alamet shkolle, më bëri shembull për mirë përpara gjithë shkollës.
Dhe kjo falë tim eti, falë atij idhulli që edhe kur bënte gjëra të paplanifikuara, pësëri perëndia e shpërblente për atë që Ai ishte.
Pas dy – tre ditëve më takon Kristaqi dhe më jep lajmin e mirë që kërkesa ime për akordim burse ishte aprovuar.
– Rri i qetë tani, thuaju edhe prindërve të gëzojnë. Ata e ndjejnë më shumë këtë barrë, kur të bëhesh prind vet do ta ndjesh, edhe pse sot mund ta kuptosh – më tha i miri kujdestar i buzëqeshur në fytyrë.
– Çfarë thua, ishe vet ti në mbledhje ? – pyeta kujdestarin më tepër ngaqë duhej të thosha diçka pas atij lajmi të madh.
– Po si nuk isha, biles isha relatuesi i çështjes, edhe pse, të them të drejtën, të gjithë të pranishmit ishin dakord që ty të akordohej bursa. E mban mend atë ditë kur drejtor Aliu të mori si shëmbull pozitiv në paraqitjen e jashtme? E pra, kur u interesua se cili ishe dhe unë i thashë që :
‘- ‘Është ai nxënës që ju e moret shembull për mirë para disa ditëve për mënyrën e të qethurit”, Ai menjëherë tha:
– Ouuuu, e mbaj mend. Atij djali i kemi edhe një borxh me proçkën që bëri Sadetja (sekretarja) ditën e regjistrimit. Ndaj, nëse edhe ju jeni dakord, le t’ia akordojmë bursën e plotë këtij nxënësi të mirë e të sjellshëm.
– Kështu tha dhe kështu u bë…po ajo proçka e sekretares, si është puna e saj ? – më pyeti kujdestar Kristaqi dhe unë i tregova historinë e ditës së parë në këtë shkollë, ditën kur u regjistrova, histori qe e kam treguar ne pjesen e dyte te ”UNE DHE POLITEKNIKUMI”.
vijon
Burimi/Facebook


Leave a Reply