Mjegulla po ma puthte ballin. Po ecja, si t’isha në nji botë ku forma s’asht ma e randësishme se fryma.
Ndalova te ajo kinemaja e vogël, aty ku pinte kafe ai artisti legjendar që puthi Ana Mofon, Ava Gardnerin e sa e sa yje të Holivudit.
“Po e ndaloj kohën,” mendova, dhe në mungesë telefoni e shkrepa nji fotografi, me sytë e mjegulluem, me kujtesë. Se fotografinë e mendjës nuk e han dot myku i harresës.
— E sheh? – i fola mjegullës. – Tash të due.
S’me frikson si n’bjeshkët e Nemuna. N’qytet s’i tut as qentë që janë ma t’lirë se unë, ma të dashtun e ma t’përkëdhelun. T’urreja në Bjeshkët e Malsorit, se atje ma fusje frikën n’palcë. Çdo kaçubë me bahej ujk.
Nuk me pushonte goja tue i bërtitë qenit; – Sharov mi ruej delet prej ujqëve. Pse nuk po leh sharov?
Sot ka mjegull n’qytet dhe mua sytë me lotojnë nga kjo lagështi e freskët e nuk shoh kur shkeli në baglat e qenve, vetëm e ndjej se shkela në diçka të butë e qeshi me vetën time; – asht mbushë qyteti çokollata qenësh!
U ula në një kub guri. Aty ku ecte dikur ai aktori ynë që e donim në Cinecitta, kur luante me Irene Papas, dhe e urrenim në Avala Film kur luante me Olivera Vuçon! Me Enverin krenoheshim kur e luante shqiptarin në Beograd, por e urrenim n’Prishtinë; – ja ky që luan në filmat serb, i thojshim!
– Ne shqiptarët gjithmonë u kemi gjetë veve behane!
Tani ajo rrugicë ishte përplot kubëza gurësh me lloje ngjyrash. Aty ndalova, se aty e stopova edhe kohën me një foto në sytë e mjegulluem dhe i fola mjegullës:
— E sheh?
E kërkojnë Robert De Niron për me luejt plakun e Reçakut; e unë jam këtu, tue folë me ty, e njerëzit e mi nuk më shohin ma.
E mohojnë artistin e vet, ia matin leshin mbi vesh. Këtu gjithçka matet me qime, jo me shpirt.
Flas me mjegullën, e mjegulla i përpin fjalët e mia.
I urrej ata që të tjetërsuan, – i fola rrugës!
Ata që i zhbinë katrorët e granitit dhe e zhveshën nga arti e kultura rrugën që të çonte deri të nji teatër me plotë Ervehe, Gjon Nikollë Kazaza, Halila e Hajria, Kaligula, Hamlet e Ofeli!
– Ata që e lyen kulturën me bojë partie dhe artin e kthyen në pllaka të pajeta, ata i urrejë.
Mjegull!
Në qytet të dua, jo në bjeshkë: se këtu i mbulon mutsihanet e njerëzve e lutëm që kallakangja jote ti merr këta patriotet e rremë të partive e tua thyej qafën bashkë me llavën e analistëve që ulërijnë mbramjeve në televizorët e rrugaçëve, që ne t’paktën të flejmë n’qetësinë tonë të vorfun!
Sot nuk piva kafe.
Mjegull piva.
Mjegull deshta në qytetin që nuk zgjohet kurrë prej andrrave t’helmueme të politikës, e thash me vete:
Ujku don mjegull.
E partitë, n’mjegull, e shohin zgjidhjen.
Se n’mjegull gjithçka duket e barabartë – edhe gënjeshtra, edhe e vërteta.
15.11.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply