Për mua ai është një telent të ri të prozës së shkurtër shqiptare, jo për shkak të vlerësimit si finalist të çmimit Kadare për vitin 2025 (çmime për të cilat nuk kam përgjithësisht ndonjë vlerësim), por për vetë stilin mbërthyes të të shkruarit.
Më pëlqejnë gjithmonë shkrimtarët që e kursejnë fjalën dhe kanë aftësinë që me tre fjali të shprehin atë që shumë të tjerë e bëjnë me faqe të tëra. Ai e bën këtë në mënyrë të shkëlqyer dhe pa e ngarkuar fjalinë me fraza të rënda e patetike, por me një depërtim të thjeshtë e të drejtpërdrejtë në karakteret dhe ngarjet që krijon.
Tregimet e tij ofrojnë copëza dramash të vogla të përditshme, të cilat zbulojnë realitetin e vërtetë, shpeshherë të hidhur e të paturp, që fshihet përtej perdes së normalitet tonë. Një kolektiv i madh personazhesh, krejt normalë, por edhe normalisht me mjaft defekte, dobësi, huqe, fiksime apo edhe perversione të brendshme, parakalojnë në skenën e tij, si para një skaneri që na ofron diagnozën e një shoqërie neurotike e traumatike. Të qenit psikolog në profesion, duket se e ndihmon shumë për këtë dhe i jep atij qartësinë e nevojshme në zbërthimin e nënvetëdijes sonë.
Mbi të gjitha, ajo që më pëlqen tek Enridi është se ai nuk ekzagjeron dhe nuk bëhet aspak patetik, si shumica e shkrimtarëve shqiptarë që njoh. Sensi i masës, por edhe humori i hollë i herë-pashershëm, e bëjnë të këndshëm dhe të vërtetë rrëfimin e tij, duke na përfshirë në lumturitë dhe tragjeditë e vogla dhe krejt të zakonshme të personazheve të tij.
Uroj që libri i tij i parë, të mos jetë i fundit!
Burimi/Facebook


Leave a Reply