Nga Dr. Mujë Buçpapaj
Portreti i një intelektuali që pagoi me liri çmimin e mendimit të pavarur.
Mund të kalojnë dhjetëra vite, të ndryshojnë sistemet politike, të shemben regjimet, të ndërrohen brezat dhe të zbehen shumë nga hollësitë e së kaluarës, por disa pamje mbeten të pandryshuara në kujtesë. Ato nuk kërkojnë të rikthehen; rikthehen vetë.
Për mua, një nga këto pamje lidhet me shkollën e mesme të Tropojës dhe me emrin e mësuesit eurdit dhe ploglot Osman Islami, ish i denuar politik i regjimit komunist intelektuali që pagoi me liri çmimin e mendimit të pavarur.
Unë isha dy vjet ma vonë nxënës i asaj shkolle. Isha në një moshë kur bota na dukej ende e madhe dhe e hapur, edhe pse jetonim brenda një vendi të mbyllur. Ne zbulonim letërsinë, lexonim librat që mund të gjendeshin në bibliotekën e shkollës, diskutonim për poetët dhe shkrimtarët, përpiqeshim të kuptonim botën përtej kufijve që nuk mund t’i kapërcenim fizikisht. Unë kisha nisur të botoja poezi në shtypin e Tiranës qysh nxënës në shkollën 8-vjeçare të Tplanit dhe vijova edhe gjatë shkollës së mesme te Tropojës duke patur një mendim timin për shumë gjëra përfshirë edhe letërsinë.
Në atë mjedis, fjala kishte një peshë të veçantë por flsinim për mesues Osmanin. Por atëherë nuk e kuptonim plotësisht se sa e rrezikshme mund të bëhej fjala në një shtet ku pushteti kërkonte të kishte jo vetëm kontrollin mbi jetën e qytetarëve, por edhe mbi mendimet e tyre.
Sot, duke u kthyer pas në atë periudhë, e kuptoj më qartë se shkolla jonë ishte një nga ato hapësira ku përplaseshin dy botë: bota e dijes dhe bota e dogmës.
Në njërën anë ishin librat, letërsia, historia, filozofia, dëshira për të ditur. Në anën tjetër ishte një sistem politik që kërkonte të përcaktonte paraprakisht se çfarë duhej të mendonte njeriu. Në mes të kësaj përplasjeje ishte mësuesi.Dhe njëri prej mësuesve që e përjetoi më tragjikisht këtë konflikt ishte Osman Islami.
Ish-nxënësit e tij gjithnjë tregonin se Osman Islami ishte një nga ata mësues që nuk kufizoheshin te programi. Ai kishte përfunduar studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi shqipe me rezultate të shkëlqyera dhe njihej për kulturën e tij të gjerë. Ish-nxënësit dhe ish-kolegët e kujtojnë si një intelektual erudit, me njohuri të shumta dhe me një aftësi të veçantë për t’i lidhur disiplinat e ndryshme të dijes.
Letërsia ishte fusha e tij, por ai mund të kalonte natyrshëm nga letërsia te historia, nga historia te filozofia, nga filozofia te gjeografia, madje edhe te matematika.Kjo nuk ishte thjesht një shenjë e inteligjencës. Ishte një mënyrë e të menduarit.
Për të, dija nuk ishte e ndarë në dhoma të mbyllura. Ajo ishte një sistem lidhjesh. Një ide të çonte te një tjetër; një libër hapte një tjetër libër; një pyetje prodhonte një tjetër pyetje.Një mësues i tillë ishte veçanërisht i rëndësishëm për një brez të ri që jetonte në një shoqëri të izoluar. Por pikërisht një mësues i tillë ishte edhe i papërshtatshëm për një sistem që kërkonte bindje. Sepse një njeri me kulturë të gjerë nuk pranon lehtë të jetojë vetëm brenda një të vërtete të shpallur nga pushteti.
Këtu nis edhe dimensioni filozofik i historisë së Osman Islamit. Hannah Arendt, në analizën e saj të totalitarizmit, e shihte lirinë jo thjesht si një privilegj juridik, por si kusht të ekzistencës njerëzore në hapësirën publike. Për të, një nga rreziqet e totalitarizmit ishte shkatërrimi i aftësisë së individit për të marrë pjesë në një botë të përbashkët, ku njerëzit mund të mendojnë, flasin dhe veprojnë së bashku. Arendt e lidhte këtë edhe me atë që ajo e quante “e drejta për të pasur të drejta” — pra të drejtën themelore për të qenë pjesë e një bashkësie politike dhe njerëzore.
Në këtë kuptim, mësuesi ishte shumë më tepër se një funksionar i arsimit. Ai ishte një portë drejt botës. Dhe një pushtet që kërkonte ta mbyllte botën duhej të kontrollonte edhe portat e saj.
Më 18 shkurt 1977 ndodhi ajo që do të mbetej një nga skenat më të dhimbshme të kujtesës së shkollës së mesme të Tropojës. Rreth orës dhjetë të paradites, Osman Islami u arrestua në mjediset e shkollës nga organet e Sigurimit të Shtetit komunist. Sipas dëshmive të ish-nxënësve Kadri Berisha, Asllan dhe Haxhi Doçi , Halil Geci, Xhbane Dunisha dhe Bujana Malaj, por dhe kujtimeve të atyre që e përjetuan ngjarjen, arrestimi u bë në mënyrë demonstrative, përpara nxënësve. Ai u lidh me duart pas shpine si një kriminel dhe u shoqërua drejt automjetit të organeve të punëve të brendshme. Nuk ishte vetëm një arrestim. Ishte një spektakël frike.
Diktaturat e kuptojnë shumë mirë fuqinë simbolike të një skene publike. Ato nuk ndëshkojnë vetëm individin; përmes individit komunikojnë me të gjithë të tjerët. Mesazhi ishte i qartë: Nëse prek kufirin e lejuar të mendimit, ky mund të jetë fati yt.Nxënësit e rrethuan me keqardhje. Por ai nuk mund t’u jepte asnjë shpjegim. Në atë çast, një vështrim zëvendësoi fjalët. Një lamtumirë me sy. Dhe pastaj makina u largua. Për një nxënës, kjo pamje është e vështirë të harrohet. Për një shoqëri, ajo duhet të jetë e pamundur të harrohet.
Pse u arrestua Osman Islami? Në një shtet normal, kjo pyetje do të kërkonte prova për një vepër penale. Në diktaturë, pyetja ishte tjetër: A kishte menduar ai në mënyrën e duhur? Një nga akuzat lidhej me dëgjimin e Radio Prishtinës, e cila në atë kohë ishte e ndaluar nga regjimi, pasi ssitemi komunist jugosllav qe formulonte politken editoriale ishte ma liberal krahasuar me regjimin Stalinist te Tiranes. Në një Shqipëri të izoluar nga bota, edhe informacioni radiofonik mund të konsiderohej kërcënim politik. Por pas kësaj qëndronte një problem shumë më i madh: Osman Islami kishte një mënyrë të pavarur të të menduarit.
Ai kishte diskutuar edhe çështje teorike që preknin drejtpërdrejt doktrinën zyrtare. Në ligjëratat dhe diskutimet e tij kishte prekur edhe çështjen e marrëdhënies midis kapitalizmit dhe socializmit, si dhe mundësinë apo pamundësinë e ndërtimit të komunizmit në një shtet të vetem, në kushtet e izolimit nga zhvillimet ndërkombëtare. Biles kishte cituar edhe ideologun komunist K. Marks, i cili kishte mohuar një mundësi të tillë.
Në një mjedis akademik, një diskutim i tillë do të ishte krejtësisht normal. Por në Shqipërinë e Enver Hoxhës, teoria politike nuk ishte objekt studimi. Ishte dogmë. Kritika nuk ishte debat. Ishte devijim. Dhe devijimi mund të bëhej krim.
Këtu na ndihmon shumë koncepti i Isaiah Berlin për lirinë. Berlin dallonte midis lirisë negative, lirisë nga ndërhyrja dhe detyrimi, dhe lirisë pozitive, që lidhet me vetëqeverisjen dhe aftësinë për të qenë zot i jetës së vet. Ai paralajmëronte gjithashtu për rrezikun që ideja e një “lirie të vërtetë”, të përcaktuar nga një autoritet që pretendon se e di të vërtetën për të gjithë, të kthehet në justifikim për shtypjen e individit.
Kjo është një nga paradokset më të mëdha të sistemeve totalitare. Ato flasin në emër të lirisë së kolektivit, ndërsa e zhveshin individin nga liria. Flasin në emër të së ardhmes, ndërsa kontrollojnë të tashmen. Flasin në emër të së vërtetës, ndërsa ndalojnë pyetjen. Dhe kur pushteti pretendon se zotëron të vetmen të vërtetë, kundërshtari nuk është më thjesht një kundërshtar. Ai bëhet “gabim”.Pastaj bëhet “armik”. Dhe më në fund bëhet objekt ndëshkimi.
Regjimi shqiptar kishte ndërtuar një sistem të jashtëzakonshëm izolimi. Vendi ishte shkëputur jo vetëm nga demokracitë perëndimore, por gradualisht edhe nga aleatët e tij të mëparshëm socialistë. Megjithatë, propaganda duhej ta paraqiste këtë vetmi si fitore. Shqipëria, sipas narrativës zyrtare, nuk ishte e izoluar; ajo ishte e pavarur. Nuk ishte e varfër; po sakrifikonte për socializmin. Nuk ishte e frikësuar; ishte vigjilente. Nuk kishte mungesë lirie; kishte unitet ideologjik. Kjo gjuhë e dyfishtë ishte një nga themelet e sistemit.
Karl Popper, në kritikën e tij të “shoqërisë së mbyllur”, e vendoste në qendër pikërisht aftësinë e individit për të marrë vendime dhe për t’i nënshtruar bindjet ndaj kritikës. Shoqëria e hapur, në kuptimin e tij, nuk e pranon dogmën si të pakorrigjueshme; ajo jeton përmes diskutimit, kritikës dhe mundësisë së korrigjimit. Në këtë kuptim, historia e Osman Islamit mund të lexohet si një përplasje midis dy koncepteve të shoqërisë. Në njërën anë, shoqëria e mbyllur, ku pushteti shpall të vërtetën. Në anën tjetër, mendja e hapur e mësuesit, ku pyetja është pjesë e dijes. Osman Islami nuk kishte nevojë të organizonte ndonjë veprimtari politike për t’u bërë i dyshimtë. Mjaftonte të mendonte ndryshe.
Pastaj erdhi mekanizmi i njohur i denoncimeve. Në procesin ndaj tij u përfshinë edhe akuza nga kolegë për qëndrime në mbledhje, për diskutime, për marrëdhëniet me njerëzit e Partisë në shkollë, për karakterin e tij të pavarur, për mënyrën e sjelljes dhe për episode që në një shoqëri të lirë nuk do të kishin asnjë vlerë juridike.
Kjo ishte një nga teknikat më të frikshme të sistemit represiv. Kur pushteti nuk mund të provonte një “krim”, ai ndërtonte portretin e “armikut”. Njeriu nuk gjykohej më për veprën. Gjykohej për karakterin. Për shoqërinë. Për mendimet. Për reputacionin. Për atë që kishte thënë. Për atë që dikush pretendonte se kishte thënë. Në këtë mënyrë, individi humbiste edhe të drejtën për t’u mbrojtur si person. Ai bëhej një dosje.
Këtu filozofia e totalitarizmit takohet me tragjedinë konkrete njerëzore. Individit nuk i kërkohet më të përgjigjet për një veprim të caktuar; ai duhet të provojë pafajësinë e ekzistencës së vet. Kjo është pikërisht arsyeja pse kontrolli totalitar është më i thellë se një diktaturë e zakonshme: ai nuk kënaqet me bindjen e jashtme. Ai kërkon të hyjë në ndërgjegje. Osman Islami u dënua me burgim dhe vuajti vitet e tij e rinisë në burgjet politike të diktaturës, ndërsa familja e tij u përball me pasojat e persekutimit. Por regjimi nuk u mjaftua me ndëshkimin e tij. Ai goditi edhe familjen.
Këtu kujtesa ime personale kryqëzohet me historinë e familjes së Osman Islamit.
Motra e tij, Sosja, ishte nxënëse e shkëlqyer. Ajo ishte rreth tre vjet më e madhe se unë dhe e kishte pasur Osmanin vëlla por edhe mësues kujdestar. Në pushimet mes orëve diskutonim shpesh për letërsinë. Bashkë me Agron Gjedinë, Ramadan Çelakun, Kadri Berishën, Feride Nezirin, Zog Muhametin, Lulash Mulën, Riza Malajn dhe shokë të tjerë, krijonim atë lloj rrethi të vogël letrar që lind natyrshëm në çdo shkollë ku ka nxënës që duan librin.
Më kujtohet sidomos etja për të lexuar. Biblioteka e shkollës ishte për ne një botë.Por ishte një botë me kufij. Lexonim autorët shqiptarë dhe ata të letërsisë klasike europiane që lejoheshin nga regjimi. Letërsia moderne perëndimore ishte e ndaluar. Megjithatë, edhe brenda atij kufizimi, ne kërkonim hapësira. Unë kisha botuar që atëherë poezi në shtypin e Tiranës, shkruaja në një stil hermetik dhe botimet bëheshin me shumë vështirësi. Sosja i kishte lexuar pothuajse të gjithë autorët e rëndësishëm që gjendeshin në bibliotekën e shkollës.
Ajo kishte talent dhe dëshirë për të vazhduar studimet e larta për letërsi. Por biografia politike e familjes u bë më e fuqishme se talenti i saj. Nuk iu lejua të ndiqte rrugën arsimore që meritonte. Edhe notat,shpesh ndikoheshin nga kriteri politik. Kjo ishte tragjedia e dytë. Diktatura nuk mjaftohej me burgosjen e një intelektuali. Ajo përpiqej të kontrollonte edhe të ardhmen e familjarëve të tij. Një sistem i tillë nuk kishte frikë vetëm nga kundërshtari i sotëm. Kishte frikë edhe nga fëmija i tij nesër. Këtu qëndron një nga ndryshimet më të dhimbshme midis fajit juridik të individit dhe “fajit politik” të familjes. Në një rend demokratik, përgjegjësia është personale. Në një sistem represiv, ajo mund të bëhet trashëgimore, kolektive.
Dhe kjo është një nga format më të thella të mohimit të lirisë.
Në këtë atmosferë, rrethi letrar i shkollës kishte një rëndësi që sot mund të mos kuptohet plotësisht. Mësuesi Ukë Haxhia, një pedagog i shkëlqyer dhe dashamirës i të rinjve me prirje letrare, e drejtonte këtë rreth me përkushtim. Për ne, ai ishte një territor i vogël lirie. Atje flitej për letërsinë, për poezinë, për autorët, për gjuhën, legjendat e veriut, tarshëgiminë kulturore, për jetën. Në një sistem që kërkonte të kontrollonte çdo hapësirë të mendimit, edhe një bisedë letrare mund të kishte një funksion emancipues. Letërsia nuk të mëson domosdoshmërisht të rebelohesh. Por të mëson të shohësh. Të krahasosh. Të dyshosh. Të imagjinosh. Të kuptosh se bota mund të ishte ndryshe. Dhe ky ishte një rrezik i madh për çdo diktaturë. Në këtë kuptim, edhe biblioteka e shkollës, edhe rrethi letrar, edhe një bisedë mes nxënësish ishin forma të një lirie të brendshme.
Ndoshta nuk e kuptonim atëherë, por po mësonim diçka që nuk gjendej në programin zyrtar: se mendimi nuk mund të ketë vetëm një përgjigje të detyruar.
Sot, pas dekadash, mendoj se Osman Islami duhet parë në një kontekst më të gjerë se historia e tij personale. Ai ishte pjesë e një brezi intelektualësh shqiptarë që u përplasën me një sistem ku liria e mendimit ishte e kufizuar nga pushteti politik. Në këtë kuptim, ai i përket historisë së mësuesve dhe intelektualëve shqiptarë të persekutuar nga komunizmi. Një histori që përfshin emra të mëdhenj të kulturës shqiptare, por edhe qindra figura të tjera lokale, të harruara ose të njohura vetëm nga nxënësit, familjet dhe komunitetet e tyre.
Historia e tyre nuk është periferike. Është pjesë e historisë kombëtare. Por kjo histori shqiptare bëhet edhe më e qartë kur vendoset përballë Europës Lindore.
Represioni politik ishte real edhe në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera komuniste të Europës Lindore. Disidentë u burgosën, u internuan, u pushuan nga puna dhe u mbajtën nën survejim. Por pas vdekjes së Stalinit, sidomos pas Kongresit XX të Partisë Komuniste Sovjetike në vitin 1956, nisi një proces de-stalinizimi që solli një zbutje relative të terrorit masiv dhe lirimin e një pjese të të burgosurve politikë.
Edhe në Europën Lindore pati periudha liberalizimi, revolta, represioni dhe më pas hapësira të reja për mendimin kritik sin ë Poloni apo Hungari. Në Çekosllovaki, Václav Havel u përball me burgim dhe represion. Por figura e tij do të bëhej një nga simbolet më të fuqishme të disidencës europiane. Në ish-Jugosllavi, sistemi kishte veçoritë e veta dhe represioni ndaj kundërshtarëve politikë nuk mungoi, por distanca nga modeli sovjetik pas përplasjes Tito–Stalin krijoi një hapësirë politike e kulturore të ndryshme nga ajo e Shqipërisë së Hoxhës.
Shqipëria ndoqi një rrugë tjetër. Ndërsa në pjesë të Europës Lindore nisi një distancim i pjesshëm nga format më të ashpra të stalinizmit, regjimi shqiptar e ruajti dhe e thelloi modelin e vet të izolimit, luftës së klasave dhe kontrollit ideologjik. Kjo e bën veçanërisht domethënës rastin e Osman Islamit. Ai nuk ishte thjesht një mësues i burgosur për mendimet dhe fjalët e tij. Ai ishte një intelektual të cilin ndëshkimi politik thuajse e shkatrroi. Dhe këtu historia e tij merr një dimension të veçantë shqiptar: individi mund të dënohej për mendimin e vet, ndërsa familja mund të mbante pasojat e atij mendimi për vite të tëra.
Xhaxhai im Fasli Buçpapaj, ishte një i denuar politik i regjimit komunist me 12 vjet heqje lirie. Ai e akuzoi Enver Hoxhën se e kishte shitur Kosovën tek serbët, pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte një akuzë e përhershme ndaj nesh në në sytë e regjimit dhe në dosjet e tij. Vellai i nanës time Isuf Meshi nga Hasi, vuajti 25 vjet burg politik si kundërshtar i regjimit komunist. Gjithë familja e tij me vellezer dhe motra, me nipa dhe mbesa u persekutuan, nuk u lejuan te vazhdonin studimet e larta as të merrnin punë që meritonin. Mua dhe vellezerve te mi, gjithnjë na thuhej “jeni nipat e armikut të regjimit komunist” Isuf Meshi. Kjo situatë e izoloi familjen, e vuri përpara kërcenimeve të njëpasnjëshme. Babën tim Mehmetin erudit, njeriu më antikomunist që kam njohur në jetë, e nxorën para frontit si armik të partisë, pasi motra e madhe u martua me nipin e Tahir Hoxhës së Gashit, njërit prej armiqve të regjimit komunist i arratisur pas ardhjes se komunistëve në fuqi. Ai ishte pasardhës i një familje të madhe të Gashit që kishte luftue në breza për lirinë dhe pavarësinë e Shqipnisë, por ato nuk kishin asnjë vlerë për regjimin. Te jatin Abdullah Hoxha e kishin varur pushtuesit osmanë në Gjakovë bashme me udhëhqësin e Krasniqes Shaban Binakin Mulosmani, më 1910.
Im atë shpëtoi nga burgu falë mbështëtjes dhe mbrojtjes që i bëri masivisht populli I fshatit tim, Tplanit të Krasniqes. E solla këtë shëmbull përsonal, thjeshtë për të ilustruar fatin e Soses dhe të familjeve të të mijëra të denuarve politik të regjimit komunist në Shqipëri.
Václav Havel, në esenë e tij të famshme The Poëer of the Poëerless, përdor një koncept që është jashtëzakonisht i përshtatshëm për të kuptuar figurën e Osman Islamit: “Të jetosh me të vërtetën”.
Për Havelin, sistemi i gënjeshtrës nuk mbahet vetëm nga policia dhe burgjet. Ai mbahet edhe nga pjesëmarrja e përditshme e njerëzve në një realitet që ata e dinë se nuk është i vërtetë. Pikërisht për këtë arsye, akti i thjeshtë i të jetuarit me të vërtetën mund të ketë një fuqi politike të jashtëzakonshme.
Mësuesi erudit Osman Islami nuk kishte nevojë të ishte disident i organizuar në kuptimin klasik të fjalës. Atë nuk e lejonte kurrë regjimi. Mjaftonte që ai të mos e përshtaste mendimin e vet me atë që kërkonte pushteti. Mjaftonte të pyeste. Të diskutonte. Të dëgjonte një burim tjetër informacioni, ta zëmë radio Prishtinën. Të mos pranonte automatikisht një tezë vetëm sepse ishte shpallur nga autoriteti. Në një shoqëri të lirë, këto janë gjeste të zakonshme. Në një diktaturë, ato mund të bëhen akte të rrezikshme të autonomisë. Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e mësuesit Osman Islami. Ai nuk e kishte luksin e një tribune politike.Kishte vetëm klasën.Kishte vetëm dijen. Kishte vetëm fjalën.
Ai mendonte se liria është një e drejtë për të qenë vetvetja. Isaiah Berlin na ndihmon ta kuptojmë edhe më thellë këtë konflikt. Liria nuk është vetëm mundësia për të lëvizur pa pengesa. Është edhe e drejta që vendimet e tua të mos përcaktohen nga vullneti i dikujt tjetër.
Në këtë kuptim, liria e Osman Islamit ishte cenuar shumë përpara se të mbyllej dera e burgut. Ajo ishte cenuar në momentin kur shteti vendosi se çfarë kishte të drejtë të dëgjonte. Çfarë kishte të drejtë të lexonte. Çfarë kishte të drejtë të thoshte. Çfarë kishte të drejtë të mendonte.Dhe akoma më tej: çfarë mund të mendonte familja e tij.Kjo është arsyeja pse liria e mendimit është më e thellë se liria e fjalës. Fjala është shfaqja e mendimit. Por pushteti totalitar synon pikërisht burimin: mendjen. Berlin paralajmëronte për rrezikun e një ideje të vetme që pretendon të dijë se cila është e mira e vërtetë për të gjithë. Kur një pushtet pretendon se e di këtë përgjigje dhe e imponon me forcë, liria e individit rrezikon të kthehet në një fjalë boshe. Osman Islami u përplas pikërisht me këtë pretendim të pushtetit për të pasur të drejtën e fundit mbi të vërtetën.
Pas rënies së komunizmit, mësues Osmani u rehabilitua dhe hyri në jetën politike të Shqipërisë së re demokratike. Në Tropojë u bë një nga figurat e njohura të Partisë Demokratike antikomuniste dhe mori pjesë në jetën publike të zonës.Për një njeri që kishte njohur burgun politik, ky ishte një kthim i vonuar në hapësirën publike.Por rehabilitimi politik dhe juridik nuk mund të kthente kohën.Nuk mund të kthente vitet e humbura.Nuk mund të fshinte traumën e arrestimit. Nuk mund të kthente vitet e humbura të familjes.Nuk mund t’i kthente Soses atë që i ishte mohuar.Drejtësia historike nuk përfundon me rehabilitimin. Ajo fillon aty. Ajo kërkon kujtesë. Kërkon dokumentim. Kërkon që historitë e njerëzve të mos humbasin në heshtjen e arkivave. Sepse një vend nuk mund të pajtohet me të kaluarën e vet duke harruar viktimat e saj.
Unë e takova mësues Osmanin në vitin 1992. Erdhi në Tiranë tek Gazeta Tribuna Demokratike që e drejtoja me një grup publicistësh të rinj, shumë të talentuar. Më përgëzoi për shkrimet e guximshme tek Gazeta ”RD” dhe tani tek “Tribuna”. Ma pas takoheshim shpesh kur vinte në Tiranë dhe diskutonim për politikën, letërsinë, diktaturën dhe totalitarizmin. Burgu i gjatë e kishte shkatrruar fizikisht, por nuk ja kishte prishur memorien. Ndërroi jetë para kohe, ashtu në heshtje dhe në modesti, si një shënjt.
Sot, kur mendoj për Osman Islamin, nuk më shfaqet para syve vetëm figura e një ish-mësuesi. Më shfaqet një epokë. Më shfaqet oborri i shkollës. Më shfaqen nxënësit. Më shfaqet një burrë që largohet i shoqëruar nga njerëzit e dhunshëm të Sigurimit komunist përpara nxënësve të tij. Më shfaqet Sosja me dashurinë e saj për librin. Më shfaqen shokët me të cilët diskutonim letërsinë. Më shfaqen librat e bibliotekës. Më shfaqet rrethi letrar i Ukë Haxhisë. Dhe mbi të gjitha më shfaqet pyetja që koha na e ka lënë trashëgim: Çfarë ndodh me një shoqëri kur pushteti vendos se çfarë duhet të mendojë mësuesi? Përgjigjen e kemi parë. Shkolla pushon së qeni vend i dijes dhe kthehet në instrument kontrolli. Mësuesi pushon së qeni udhëheqës i mendimit dhe kthehet në zbatues të vijës zyrtare. Nxënësi pushon së qeni qytetar në formim dhe bëhet objekt edukimi ideologjik.
Dhe shoqëria fillon të humbasë lirinë e saj. Prandaj kujtimi i Osman Islamit nuk është vetëm nostalgji. Është përgjegjësi.Ne, që ishim nxënës në atë shkollë, kemi një detyrim ndaj së kaluarës: të mos lejojmë që njerëzit që vuajtën për shkak të mendimit të tyre të mbeten vetëm emra në kujtimet familjare. Duhet t’i rikthejmë në historinë e arsimit. Në historinë e kulturës. Në historinë e demokracisë shqiptare. Në historinë e qëndresës morale. Sepse qëndresa nuk ka gjithmonë formën e një deklarate politike.
Ndonjëherë ajo është një mësues që refuzon të thotë atë që nuk beson. Një profesor që kërkon të diskutojë një ide. Një nxënës që lexon një libër të ndaluar. Një poet që shkruan një varg ndryshe. Një njeri që dëgjon një radio për të mësuar se çfarë ndodh përtej kufirit. Këto janë gjeste të vogla në pamje të parë.Por në një diktaturë, ato mund të marrin një peshë të jashtëzakonshme.
Në fund, historia e Osman Islamit na çon te një pyetje edhe më e madhe: çfarë mbetet tek njeriu kur pushteti përpiqet t’i marrë lirinë? Mbetet mendimi. Mbetet kujtesa. Mbetet dinjiteti. Albert Camus, në filozofinë e tij të revoltës, e shihte aktin e “jo”-së si një pohim të dinjitetit njerëzor. Në The Rebel, ideja e revoltës lidhet me zbulimin se individi ka një kufi moral përtej të cilit nuk pranon të poshtërohet. Revolta nuk është vetëm kundërshtim; ajo është edhe pohim i vlerës së njeriut.
Kjo e bën të kuptueshme edhe një histori si ajo e Osman Islamit. Ai nuk kishte pushtet për ta rrëzuar regjimin. Por kishte një pushtet që regjimi nuk mund ta kontrollonte plotësisht: aftësinë për të menduar. Në këtë kuptim, mësuesi i shkollës së mesme të Tropojës ishte më i fuqishëm se sa dukej. Sepse pushteti mund të urdhërojë heshtjen e gojës. Nuk mund të urdhërojë gjithmonë bindjen e mendjes.
Në historinë e Shqipërisë komuniste, mësuesi dhe intelektuali i persekutuar nuk duhet të shihen vetëm si viktima. Ata duhet të shihen edhe si dëshmitarë të lirisë. Osman Islami ishte një prej tyre. Ai nuk e mundi diktaturën në kuptimin politik të fjalës. As nuk kishte si ta bënte. Por ruajti diçka që diktatura kërkonte t’ia merrte:
dinjitetin e mendimit. Burgu mund ta ndante nga nxënësit.Mund ta largonte nga klasa e tij kujdestare.Mund ta izolonte nga jeta publike. Por nuk mund ta kthente në atë që regjimi dëshironte të ishte. Prandaj, sot, pas kaq dekadash, ai nuk kujtohet për akuzat e ngritura ndaj tij. Kujtohet për atë që ishte. Mësues. Intelektual. Erudit. Njeri i dijes. Dhe, mbi të gjitha, një njeri që e pagoi shtrenjtë të drejtën për të menduar. Kjo është arsyeja pse emri i Osman Islamit duhet të zërë vend në kujtesën e arsimit shqiptar dhe në historinë e intelektualëve të persekutuar të komunizmit.
Jo për të hapur plagë të reja. Por për të mos harruar se sa kushton humbja e lirisë. Sepse një shoqëri që harron mësuesit e burgosur për fjalën e tyre, rrezikon të harrojë edhe vlerën e vetë fjalës së lirë.
Në vend të epilogut
Prandaj, kur sot shkruaj për Osman Islamin, nuk shkruaj vetëm për një mësues të Tropojës. Shkruaj për një brez. Për mësuesit që e mbajtën gjallë dijen në një kohë kur dija duhej të kalonte përmes filtrit politik. Për intelektualët që ruajtën një hapësirë të mendimit të pavarur. Për familjet që paguan çmimin e biografisë. Për nxënësit që mësuan, ndoshta pa e kuptuar plotësisht, se libri mund të ishte një dritare drejt lirisë. Dhe shkruaj edhe për veten time si ish-nxënës i asaj shkolle. Sepse kujtesa personale, kur lidhet me të vërtetën historike, bëhet dëshmi.
Kam qenë aty. Kam parë atë shkollë. Kam njohur nxënësit. Kam ndarë me ta bisedat për letërsinë. Kam parë se si fjala dhe libri mund të krijonin një hapësirë tjetër brenda një bote të mbyllur. Sot, shumë vite më vonë, e kuptoj më mirë edhe atë që atëherë nuk mund ta kuptonim: Osman Islami nuk u arrestua vetëm sepse kishte thënë disa fjalë që regjimit nuk i pëlqenin. Ai u arrestua sepse përfaqësonte një lloj njeriu që diktatura nuk mund ta kontrollonte plotësisht: intelektualin që mendon vetë. Dhe kjo është arsyeja pse historia e tij meriton të shkruhet. Jo vetëm si histori e një burgimi. Jo vetëm si histori e një padrejtësie. Por si histori e një lirie të mbrojtur në kushtet më të vështira. Diktatura e futi mësuesin në burg. Por nuk mundi ta fuste në burg kujtimin e tij. Kujtimi mbeti në shkollë. Mbeti te nxënësit. Mbeti te familja. Mbeti në Tropojë dhe në historinë e qendresës antidiktaurë të njerëzimit.
Dhe sot, duke e rikthyer në kohë, ai bëhet pjesë e asaj historie më të madhe shqiptare që nuk shkruhet vetëm me emrat e fitimtarëve, por edhe me emrat e atyre që, në ditët më të vështira, refuzuan të dorëzonin lirinë e tyre të brendshme. Në fund të fundit, kjo është edhe pyetja që na lë trashëgim historia e tij: A mund të burgoset një njeri për mendimin e tij? Po. Regjimet totalitare e kanë bërë këtë. Por a mund të burgoset vetë mendimi? Historia e Osman Islamit na jep një përgjigje tjetër.
Jo, nëse ai mendim mbijeton në kujtesën e njerëzve. Dhe ndoshta kjo është forma më e thellë e fitores së tij.Sepse mësuesi që diktatura e nxori nga klasa me pranga në duar, sot kthehet përsëri në të. Jo si i akuzuar. Jo si i dënuar. Por si mësues i lirisë. Osman Islami është njëri prej tyre.
2. OSMAN ISLAMI, MËSUESI QË DIKTATURA NUK MUNDI TA BURGOSTE
Një kujtim nga shkolla e mesme e Tropojës dhe portreti i një intelektuali që pagoi me liri çmimin e mendimit të pavarur
Nga Dr. Mujë Buçpapaj
Ka kujtime që nuk plaken.
Mund të kalojnë dhjetëra vite, të ndryshojnë sistemet politike, të shemben regjimet, të ndërrohen brezat dhe të zbehen shumë nga hollësitë e së kaluarës, por disa pamje mbeten të pandryshuara në kujtesë. Ato nuk kërkojnë të rikthehen; rikthehen vetë.
Për mua, një nga këto pamje lidhet me shkollën e mesme të Tropojës dhe me emrin e mësuesit Osman Islami.
Unë isha nxënës i asaj shkolle. Isha në një moshë kur bota na dukej ende e madhe dhe e hapur, edhe pse jetonim brenda një vendi të mbyllur. Ne zbulonim letërsinë, lexonim librat që mund të gjendeshin në bibliotekën e shkollës, diskutonim për poetët dhe shkrimtarët, përpiqeshim të kuptonim botën përtej kufijve që nuk mund t’i kapërcenim fizikisht.
Unë kisha nisur të botoja poezi në shtypin e Tiranës. Në atë mjedis, fjala kishte një peshë të veçantë.Por atëherë nuk e kuptonim plotësisht se sa e rrezikshme mund të bëhej fjala në një shtet ku pushteti kërkonte të kishte jo vetëm kontrollin mbi jetën e qytetarëve, por edhe mbi mendimet e tyre.
Sot, duke u kthyer pas në atë periudhë, e kuptoj më qartë se shkolla jonë ishte një nga ato hapësira ku përplaseshin dy botë: bota e dijes dhe bota e dogmës.Në njërën anë ishin librat, letërsia, historia, filozofia, dëshira për të ditur.Në anën tjetër ishte një sistem politik që kërkonte ta përcaktonte paraprakisht se çfarë duhej të mendonte njeriu.Në mes të kësaj përplasjeje ishte mësuesi.
Dhe njëri prej mësuesve që e përjetoi më tragjikisht këtë konflikt ishte Osman Islami.
________________________________________
Osman Islami ishte një nga ata mësues që nuk kufizoheshin te programi.
Ai kishte përfunduar studimet e larta në Gjuhë dhe Letërsi me rezultate të shkëlqyera dhe njihej për kulturën e tij të gjerë. Ish-nxënësit dhe ish-kolegët e kujtojnë si një intelektual erudit, me njohuri të shumta dhe me një aftësi të veçantë për t’i lidhur disiplinat e ndryshme të dijes.
Letërsia ishte fusha e tij, por ai mund të kalonte natyrshëm nga letërsia te historia, nga historia te filozofia, nga filozofia te gjeografia, madje edhe te matematika.Kjo nuk ishte thjesht një shenjë e inteligjencës.Ishte një mënyrë e të menduarit.
Për të, dija nuk ishte e ndarë në dhoma të mbyllura. Ajo ishte një sistem lidhjesh. Një ide të çonte te një tjetër; një libër hapte një tjetër libër; një pyetje prodhonte një tjetër pyetje.Një mësues i tillë ishte veçanërisht i rëndësishëm për një brez të ri që jetonte në një shoqëri të izoluar.Por pikërisht një mësues i tillë ishte edhe i papërshtatshëm për një sistem që kërkonte bindje.
Sepse një njeri me kulturë të gjerë nuk pranon lehtë të jetojë vetëm brenda një të vërtete të shpallur nga pushteti.
________________________________________
Më 18 shkurt 1977 ndodhi ajo që do të mbetej një nga skenat më të dhimbshme të kujtesës së shkollës së mesme të Tropojës.Rreth orës dhjetë të paradites, Osman Islami u arrestua në mjediset e shkollës nga organet e Sigurimit të Shtetit.
Sipas dëshmive të ish-nxënësve dhe kujtimeve të atyre që e përjetuan ngjarjen, arrestimi u bë në mënyrë demonstrative, përpara nxënësve. Ai u lidh me duart pas shpine dhe u shoqërua drejt automjetit të organeve të punëve të brendshme.Nuk ishte vetëm një arrestim.Ishte një spektakël frike.Diktaturat e kuptojnë shumë mirë fuqinë simbolike të një skene publike. Ato nuk ndëshkojnë vetëm individin; përmes individit komunikojnë me të gjithë të tjerët.
Mesazhi ishte i qartë:Nëse prek kufirin e lejuar të mendimit, ky mund të jetë fati yt.
Nxënësit e rrethuan me keqardhje.Por ai nuk mund t’u jepte asnjë shpjegim.Në atë çast, një vështrim zëvendësoi fjalët.Një lamtumirë me sy.Dhe pastaj makina u largua.Për një nxënës, kjo pamje është e vështirë të harrohet. Për një shoqëri, ajo duhet të jetë e pamundur të harrohet.
________________________________________
Pse u arrestua Osman Islami?
Në një shtet normal, kjo pyetje do të kërkonte prova për një vepër penale.
Në diktaturë, pyetja ishte tjetër: a kishte menduar ai në mënyrën e duhur?
Një nga akuzat lidhej me dëgjimin e Radio Prishtinës, e cila në atë kohë ishte e ndaluar nga regjimi. Në një Shqipëri të izoluar nga bota, edhe informacioni radiofonik mund të konsiderohej kërcënim politik.Por pas kësaj qëndronte një problem shumë më i madh: Osman Islami kishte një mënyrë të pavarur të të menduarit.
Ai kishte diskutuar edhe çështje teorike që preknin drejtpërdrejt doktrinën zyrtare.Në ligjëratat dhe diskutimet e tij kishte prekur edhe një ide të rëndësishme të teorisë marksiste: çështjen e marrëdhënies midis kapitalizmit dhe socializmit, si dhe pamundësinë e ndërtimit të një rendi të tillë në mënyrë të shkëputur nga zhvillimet ndërkombëtare.
Në një mjedis akademik, një diskutim i tillë do të ishte krejtësisht normal.Por në Shqipërinë e Enver Hoxhës, teoria politike nuk ishte objekt studimi.Ishte dogmë.Kritika nuk ishte debat.Ishte devijim.Dhe devijimi mund të bëhej krim.Regjimi shqiptar kishte ndërtuar një sistem të jashtëzakonshëm izolimi. Vendi ishte shkëputur jo vetëm nga demokracitë perëndimore, por gradualisht edhe nga aleatët e tij të mëparshëm socialistë.
Megjithatë, propaganda duhej ta paraqiste këtë vetmi si fitore.Shqipëria, sipas narrativës zyrtare, nuk ishte e izoluar; ajo ishte e pavarur.Nuk ishte e varfër; po sakrifikonte për socializmin.Nuk ishte e frikësuar; ishte vigjilente.Nuk kishte mungesë lirie; kishte unitet ideologjik.Kjo gjuhë e dyfishtë ishte një nga themelet e sistemit.Dhe një intelektual që i vendoste këto çështje në diskutim mund të konsiderohej i rrezikshëm.Osman Islami nuk kishte nevojë të organizonte ndonjë veprimtari politike për t’u bërë i dyshimtë.Mjaftonte të mendonte ndryshe.
________________________________________
Pastaj erdhi mekanizmi i njohur i denoncimeve.
Në procesin ndaj tij u përfshinë edhe akuza nga kolegë për qëndrime në mbledhje, për diskutime, për marrëdhëniet me njerëzit e Partisë në shkollë, për karakterin e tij, për mënyrën e sjelljes dhe për episode që në një shoqëri të lirë nuk do të kishin asnjë vlerë juridike.Kjo ishte një nga teknikat më të frikshme të sistemit represiv.Kur pushteti nuk mund të provonte një “krim”, ai ndërtonte një portret të “armikut” me deshsmitare te rreme .
Njeriu nuk gjykohej më për veprën.Gjykohej për karakterin.Për shoqërinë.Për mendimet.Për reputacionin.Për atë që kishte thënë.Për atë që dikush pretendonte se kishte thënë.Në këtë mënyrë, individi humbiste edhe të drejtën për t’u mbrojtur si person.Ai bëhej një dosje.
Osman Islami u dënua me burgim dhe vuajti vitet e tij në burgjet politike të diktaturës, ndërsa familja e tij u përball me pasojat e persekutimit.Por regjimi nuk u mjaftua me ndëshkimin e tij.Ai goditi edhe familjen.
________________________________________
Këtu kujtesa ime personale kryqëzohet me historinë e familjes së Osman Islamit.Motra e tij, Sosja, ishte nxënëse e shkëlqyer.Ajo ishte rreth dy vjet më e madhe se unë dhe e kishte pasur Osmanin mësues kujdestar.
Në pushimet e shkollës diskutonim shpesh për letërsinë. Bashkë me Agron Gjedinë, Ramadan Çelakun, Feride Nezirin, Zog Muhametin, Lulash Mulën dhe shokë të tjerë, krijonim atë lloj rrethi të vogël letrar që lind natyrshëm në çdo shkollë ku ka nxënës që duan librin.Më kujtohet sidomos etja për të lexuar.Biblioteka e shkollës ishte për ne një botë.Por ishte një botë me kufij.Lexonim autorët shqiptarë dhe ata të letërsisë klasike europiane që lejoheshin nga regjimi. Letërsia moderne perëndimore ishte shumë më e kufizuar. Megjithatë, edhe brenda atij kufizimi, ne kërkonim hapësira.Unë kisha botuar që atëherë poezi në shtypin e Tiranës.Sosja i kishte lexuar pothuajse të gjithë autorët e rëndësishëm që gjendeshin në bibliotekën e shkollës.
Ajo kishte talent dhe dëshirë për të vazhduar studimet e larta.Por biografia politike e familjes u bë më e fuqishme se talenti i saj.Nuk iu lejua të ndiqte rrugën arsimore që meritonte.Edhe notat, siç kujtojnë ata që e njohën, mund të ndikohej nga kriteri politik.Kjo ishte tragjedia e dytë.Diktatura nuk mjaftohej me burgosjen e një intelektuali.Ajo përpiqej të kontrollonte edhe të ardhmen e fëmijëve dhe familjarëve të tij.Një sistem i tillë nuk kishte frikë vetëm nga kundërshtari i sotëm.Kishte frikë edhe nga fëmija i tij nesër.
Në këtë atmosferë, rrethi letrar i shkollës kishte një rëndësi që sot mund të mos kuptohet plotësisht.Mësuesi Ukë Haxhia, një pedagog i shkëlqyer dhe dashamirës i të rinjve me prirje letrare, e drejtonte këtë rreth me përkushtim.Për ne, ai ishte një territor i vogël lirie.Atje flitej për letërsinë.Për poezinë.Për autorët.Për gjuhën.Për jetën.Në një sistem që kërkonte të kontrollonte çdo hapësirë të mendimit, edhe një bisedë letrare mund të kishte një funksion emancipues.
Letërsia nuk të mëson domosdoshmërisht të rebelohesh.Por të mëson të shohësh.
Të krahasosh.Të dyshosh.Të imagjinosh.Të kuptosh se bota mund të ishte ndryshe.Dhe ky ishte një rrezik i madh për çdo diktaturë.
Sot, pas dekadash, mendoj se Osman Islami duhet parë në një kontekst më të gjerë se historia e tij personale.Ai ishte pjesë e një brezi intelektualësh shqiptarë që u përplasën me një sistem ku liria e mendimit ishte e kufizuar nga pushteti politik.Në këtë kuptim, ai i përket historisë së mësuesve dhe intelektualëve shqiptarë të persekutuar nga komunizmi.Një histori që përfshin emra të mëdhenj të kulturës shqiptare, por edhe qindra figura të tjera lokale, të harruara ose të njohura vetëm nga nxënësit, familjet dhe komunitetet e tyre.Historia e tyre nuk është periferike.Është pjesë e historisë kombëtare.Sepse një vend nuk matet vetëm me emrat e atyre që shkruan librat më të famshëm.Matet edhe me mënyrën se si trajtoi mësuesit e vet.Dhe diktatura shqiptare ka lënë pas një bilanc të rëndë pikërisht në këtë drejtim.Ajo burgosi njerëz që duhej të mësonin.Dënoi njerëz që duhej të shkruanin.Përndoqi njerëz që duhej të mendonin.Dhe deformoi jetën e brezave që duhej të studionin.Osman Islami ishte një prej tyre.
Një veçori shqiptare e represionit komunist
Historia e mësuesve dhe intelektualëve shqiptarë të persekutuar nga komunizmi duhet parë edhe në krahasim me përvojën e vendeve të tjera komuniste të Europës Lindore. Represioni politik ishte një realitet i rëndë edhe në Bashkimin Sovjetik, në Çekosllovaki, Poloni, Hungari apo në ish-Jugosllavi; disidentë të njohur u burgosën, u internuan, u pushuan nga puna dhe u mbajtën nën survejim. Por, pas vdekjes së Stalinit dhe sidomos pas Kongresit XX të Partisë Komuniste Sovjetike në vitin 1956, në Bashkimin Sovjetik nisi një proces i de-stalinizimit që solli, megjithëse në mënyrë të pjesshme dhe të kufizuar, denoncimin e kultit të individit, lirimin e një pjese të të burgosurve politikë dhe një zbutje të terrorit masiv të periudhës staliniste. Edhe në vende të tjera të bllokut lindor pati periudha liberalizimi dhe hapësira të ndryshme për mendimin disident; figura si Václav Havel do të përballeshin me burgosje dhe represion, por ekzistenca e tyre publike dhe intelektuale u bë e mundur brenda një hapësire politike që, me gjithë kufizimet, nuk ishte e ngrirë përgjithmonë në modelin e terrorit stalinist. Në Shqipërinë e Enver Hoxhës ndodhi e kundërta: ndërsa pjesë të Europës Lindore nisën të distancoheshin nga stalinistët e tyre dhe nga format më brutale të terrorit, regjimi shqiptar jo vetëm e ruajti dogmën staliniste, por e thelloi izolimin, luftën e klasave dhe mekanizmin e ndëshkimit politik. Për më tepër, represioni shqiptar kishte një karakter veçanërisht gjithëpërfshirës: ndëshkimi nuk mbaronte te individi i shpallur “armik”, por mund të zgjatej mbi bashkëshorten, fëmijët, vëllezërit, motrat dhe pasardhësit e tij, duke u mohuar atyre arsimin, profesionin, të drejtën për të jetuar në vendin e tyre dhe mundësinë për të ndërtuar një jetë të pavarur nga “biografia” e familjes. Kjo e bën historinë e Osman Islamit veçanërisht domethënëse: ai nuk ishte vetëm një mësues i burgosur për mendimet dhe fjalët e tij, por një intelektual mbi të cilin regjimi projektoi ndëshkimin edhe te familja e tij. Në këtë kuptim, tragjedia e tij është pjesë e historisë më të gjerë të intelektualit shqiptar nën komunizëm, por edhe një dëshmi e veçantisë së një sistemi që kërkonte të kontrollonte jo vetëm të tashmen e kundërshtarit, por edhe të ardhmen e fëmijëve të tij.
Pas rënies së komunizmit, ai u rehabilitua dhe hyri në jetën politike të Shqipërisë së re demokratike. Në Tropojë u bë një nga figurat e njohura të Partisë Demokratike antikomuniste dhe mori pjesë në jetën publike të zonës.Për një njeri që kishte njohur burgun politik, ky ishte një kthim i vonuar në hapësirën publike.Por rehabilitimi politik dhe juridik nuk mund të kthente kohën.Nuk mund të kthente vitet e humbura.Nuk mund të fshinte traumën e arrestimit.Nuk mund të kthente vitet e humbura të familjes.Nuk mund t’i kthente Sosjes atë që i ishte mohuar.Drejtësia historike nuk përfundon me rehabilitimin.Ajo fillon aty.Ajo kërkon kujtesë.Kërkon dokumentim.Kërkon që historitë e njerëzve të mos humbasin në heshtjen e arkivave.
Sot, kur mendoj për Osman Islamin, nuk më shfaqet para syve vetëm figura e një ish-mësuesi.Më shfaqet një epokë.Më shfaqet oborri i shkollës.Më shfaqen nxënësit.
Më shfaqet një burrë që largohet i shoqëruar nga njerëzit e Sigurimit.Më shfaqet Sosja me dashurinë e saj për librin.Më shfaqen shokët me të cilët diskutonim letërsinë.Më shfaqen librat e bibliotekës.Më shfaqet rrethi letrar i Ukë Haxhisë.Dhe mbi të gjitha më shfaqet pyetja që koha na e ka lënë trashëgim:Çfarë ndodh me një shoqëri kur pushteti vendos se çfarë duhet të mendojë mësuesi?Përgjigjen e kemi parë.Shkolla pushon së qeni vend i dijes dhe kthehet në instrument kontrolli.
Mësuesi pushon së qeni udhëheqës i mendimit dhe kthehet në zbatues të vijës zyrtare.Nxënësi pushon së qeni qytetar në formim dhe bëhet objekt edukimi ideologjik.Dhe shoqëria fillon të humbasë lirinë e saj.
Prandaj kujtimi i Osman Islamit nuk është vetëm nostalgji.Është përgjegjësi.Ne, që ishim nxënës në atë shkollë, kemi një detyrim ndaj së kaluarës: të mos lejojmë që njerëzit që vuajtën për shkak të mendimit të tyre të mbeten vetëm emra në kujtimet familjare.Duhet t’i rikthejmë në historinë e arsimit.Në historinë e kulturës.Në historinë e demokracisë shqiptare.Në historinë e qëndresës morale.Sepse qëndresa nuk ka gjithmonë formën e një deklarate politike.Ndonjëherë ajo është një mësues që refuzon të thotë atë që nuk beson.Një profesor që kërkon të diskutojë një ide.Një nxënës që lexon një libër të ndaluar.Një shkrimtar që shkruan një varg ndryshe.
Një njeri që dëgjon një radio për të mësuar se çfarë ndodh përtej kufirit.Këto janë gjeste të vogla në pamje të parë.Por në një diktaturë, ato mund të marrin një peshë të jashtëzakonshme.
Osman Islami e pagoi shtrenjtë këtë liri të brendshme.Ai humbi vite në burg.Familja e tij vuajti.Një motër e talentuar u përball me kufizimet e biografisë.Një karrierë akademike dhe profesionale u ndërpre.Por diktatura nuk arriti ta fshinte atë nga kujtesa.Pikërisht këtu qëndron dështimi i saj më i madh.Ajo mund të kontrollonte institucionet.Mund të kontrollonte shtypin.Mund të kontrollonte librat.Mund të kontrollonte shkollat.Mund të hapte dosje dhe burgje.Por nuk mund të kontrollonte plotësisht kujtesën njerëzore.Dhe kujtesa është një nga format më të fuqishme të drejtësisë.
________________________________________
Prandaj, kur sot shkruaj për Osman Islamin, nuk shkruaj vetëm për një mësues të Tropojës.Shkruaj për një brez.
Për mësuesit që e mbajtën gjallë dijen në një kohë kur dija duhej të kalonte përmes filtrit politik.Për intelektualët që ruajtën një hapësirë të mendimit të pavarur.Për familjet që paguan çmimin e biografisë.Për nxënësit që mësuan, ndoshta pa e kuptuar plotësisht, se libri mund të ishte një dritare drejt lirisë.Dhe shkruaj edhe për veten time si nxënës i asaj shkolle.Sepse kujtesa personale, kur lidhet me të vërtetën historike, bëhet dëshmi.Kam qenë aty.Kam parë atë shkollë.Kam njohur nxënësit.Kam ndarë me ta bisedat për letërsinë.Kam parë se si fjala dhe libri mund të krijonin një hapësirë tjetër brenda një bote të mbyllur.
Sot, shumë vite më vonë, e kuptoj më mirë edhe atë që atëherë nuk mund ta kuptonim:
Osman Islami nuk u arrestua vetëm sepse kishte thënë disa fjalë që regjimit nuk i pëlqenin. Ai u arrestua sepse përfaqësonte një lloj njeriu që diktatura nuk mund ta kontrollonte plotësisht: intelektualin që mendon vetë.
Dhe kjo është arsyeja pse historia e tij meriton të shkruhet.
Në historinë e Shqipërisë komuniste, mësuesi dhe intelektuali i persekutuar nuk duhet të shihen vetëm si viktima.Ata duhet të shihen edhe si dëshmitarë të lirisë.Osman Islami ishte një prej tyre.Ai nuk e mundi diktaturën në kuptimin politik të fjalës. As nuk kishte si ta bënte. Por ruajti diçka që diktatura kërkonte t’ia merrte: dinjitetin e mendimit.Burgu mund ta ndante nga nxënësit.
Mund ta largonte nga klasa.Mund ta izolonte nga jeta publike.Por nuk mund ta kthente në atë që regjimi dëshironte të ishte.Prandaj, sot, pas kaq dekadash, ai nuk kujtohet për akuzat e ngritura ndaj tij.Kujtohet për atë që ishte.Mësues.Intelektual.Erudit.Njeri i dijes.Dhe, mbi të gjitha, një njeri që e pagoi shtrenjtë të drejtën për të menduar.
Kjo është arsyeja pse emri i Osman Islamit duhet të zërë vend në kujtesën e arsimit shqiptar dhe në historinë e intelektualëve të persekutuar të komunizmit.Jo për të hapur plagë të reja.Por për të mos harruar se sa kushton humbja e lirisë.Sepse një shoqëri që harron mësuesit e burgosur për fjalën e tyre, rrezikon të harrojë edhe vlerën e vetë fjalës së lirë.
Dhe ndoshta, pas gjithë këtyre viteve, ky është mësimi më i madh që na vjen nga historia e Osman Islamit.Diktatura e futi mësuesin në burg.Por nuk mundi ta fuste në burg kujtimin e tij.Kujtimi mbeti në shkollë.Mbeti te nxënësit.Mbeti te familja.Mbeti te Tropoja.Dhe sot, duke e rikthyer në fjalë, ai bëhet pjesë e asaj historie më të madhe shqiptare që nuk shkruhet vetëm me emrat e fitimtarëve, por edhe me emrat e atyre që, në ditët më të vështira, refuzuan të dorëzonin lirinë e tyre të brendshme.
Osman Islami është njëri prej tyre.



Burimi/Facebook/Gazeta Nacional


Leave a Reply