
Tragjedi në Lëpushë, humb jetën alpinisti Florian Sini – një nga alpinistët më të njohur në vend
Një aksident tragjik në malet e Kelmendit i ka marrë jetën sot alpinistit Florian Sini, një prej alpinistëve më të mirë dhe më të apasionuar në Shqipëri.
Sini humbi jetën pas rënies në një humnerë në zonën e Lëpushës, teksa ndodhej në terren malor. Ditët e fundit ai kishte zgjedhur sërish malet, duke eksploruar së bashku me miqtë e tij kalimet mes Bjeshkëve të Namuna dhe Lëpushës.
Për Florian Sinin, malet nuk ishin thjesht një destinacion. Për vite me radhë ai kishte shëtitur dhe eksploruar thuajse çdo cep të Shqipërisë, por edhe shumë destinacione malore jashtë vendit, duke e kthyer alpinizmin në një pjesë të rëndësishme të jetës së tij.
Ai ka qenë pjesë e Federatës së Alpinizmit dhe Turizmit Malor, e cila ka reaguar me dhimbje pas lajmit të rëndë.
“Me hidhërim të thellë morëm lajmin e humbjes së jetës në një aksident tragjik të alpinistit Florian Sini. I shprehim ngushëllime familjes dhe shoqërisë!
I përjetshëm kujtimi yt, Florian Sini!”, shprehet Federata.
Një jetë e lidhur me malet u ndërpre tragjikisht pikërisht në terrenin që ai e kishte dashur dhe eksploruar për vite me radhë.
Florian Sini do të kujtohet nga miqtë dhe komuniteti i alpinistëve si një prej njerëzve që e njihte dhe e jetonte më së afërmi Shqipërinë malore.
Burimi/Facebook/Portali Veriu Sot


Leave a Reply