Nga: Rufki Dogani (Ish-pjesëtar i Grupit të Kumanovës, i dënuar padrejtësisht nga shteti i RMV-së)
Të nderuar bashkëkombës, media dhe përfaqësues të institucioneve të të drejtave të njeriut,
Përmes këtij reagimi publik, dëshiroj t’ju informoj mbi një incident të rëndë dhe mjaft shqetësues që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, më 20.10.2026, rreth orës 21:00 – 22:00, brenda ambienteve të burgut.
Teksa po merrja trajtim mjekësor në ambulancën e burgut, në momentin që kam dalë nga dera e ambulancës, nga ana e Njësisë Speciale (njësi e caktuar posaçërisht për sigurimin e Grupit të Kumanovës), pa asnjë arsye dhe pa asnjë shkas, janë shkrepur rreth 8 plumba nga një armë automatike.
Meqenëse arma automatike ka pasur të vendosur heshtës (silenciator), zhurma e krisjeve nuk është dëgjuar e fortë. Sapo kam dëgjuar këto krisma, shqetësimi im i parë dhe i menjëhershëm ka qenë se plumbat po shkrepeshin direkt drejt meje — një ngjarje që më ka shqetësuar pa masë mua dhe ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë time fizike dhe psiqike.
Ajo që e bën akoma më të rëndë këtë situatë është se ky rast alarmant nuk është publikuar dhe as nuk është regjistruar nga organet kompetente të burgut, duke u përpjekur të mbahet i fshehur nga opinioni publik.
Përmes këtij postimi kërkoj nga:
* Organizatat për të Drejtat e Njeriut dhe Avokati i Popullit të ndërhyjnë menjëherë për të verifikuar këtë incident.
* Mediat e pavarura të hulumtojnë dhe të zbardhin të vërtetën e kësaj ngjarjeje.
* Organet kompetente të japin llogari se pse përdoret armatimi me silenciator në ambientet e burgut dhe pse po tentohet fshehja e këtij rasti!
Siguria jonë brenda këtyre ambienteve është e cenuar çdo ditë, dhe heshtja e institucioneve është bashkëfajësi!
Ju lutem shpërndajeni!
Rufki Dogani
21 Tetor 2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply