Nga arti, dhuna dhe turpi i kohës sonë.
Në lavazh takova dy djem të rinj.
M’u afruan me atë gatishmëri të njerëzve që janë mësuar të mos humbasin asnjë mundësi pune. Ishin gati të ma lanin makinën.
— Kemi respekt për ju, — më tha njëri. — E njohim krijimtarinë tuaj.
U befasova.
— Po si? — e pyeta.
Ai buzëqeshi lehtë, sikur po më rrëfente një pjesë të jetës së tij që ende nuk kishte gjetur vendin e duhur.
— Kam mbaruar konservatorin për piano. Diplomën e kam mbrojtur me Rachmaninoffin.
U ktheva nga tjetri.
— Po ti, bir?
— Regjisor teatri. Diplomën e kam mbrojtur me Spiunin e Bertolt Brechtit.
Për një çast, nuk gjeta fjalë.
Njëri kishte studiuar për t’i dhënë shpirt heshtjes përmes tasteve të pianos. Tjetri kishte mësuar të fliste me gjuhën e skenës, të zbulonte maskat e pushtetit dhe të nxirrte në dritë të vërtetat që njerëzit shpesh kanë frikë t’i thonë.
— Po mirë, mor bir, po çfarë kërkoni ju këtu?
Përgjigjja erdhi e thjeshtë, e qetë, pa asnjë ankesë.
— Derisa të gjejmë punë në profesionin tonë, duhet të mbijetojmë. Duhet të paguajmë qiranë e shtëpisë.
Dy diploma, dy ëndrra, dy jetë të reja… dhe një qira që duhej paguar.
U ndamë me respekt. Ata mbetën në punën e tyre, unë vazhdova rrugën, por diçka brenda meje kishte ndryshuar.
Atë ditë, lavazhi m’u duk si një skenë teatri. Vetëm se askush nuk e kishte shkruar dramën, askush nuk e kishte ngritur perden dhe askush nuk e kishte njoftuar publikun se shfaqja kishte filluar.
Por drama vazhdonte.
Në mbrëmje, mendova të ulesha para televizorit. Doja ta lija pas vetes trishtimin e ditës, të qetësohesha pak, të harroja për disa orë dy djemtë që lanin makina, ndërsa ëndrrat e tyre prisnin diku, pa afat.
Por ekrani ma ktheu dhimbjen në tmerr.
Rrahje. Arrestime. Studentë të ndjekur rrugëve. Fëmijë që shkëputeshin nga duart e nënave të tyre dhe futeshin në furgona. Vajza që tërhiqeshin zvarrë. Njerëz që goditeshin me një egërsi që nuk i përket një shoqërie njerëzore.
Pashë tre policë që ndiqnin një grup të rinjsh. Njëri prej tyre u shkëput nga grupi. E rrethuan dhe filluan ta godisnin pa ndërprerje, derisa trupi i tij u lëshua mbi trotuar.
Ai kishte një fletore në xhep.
Pastaj, mes turmës, u shfaqën fotoreporterë, gazetarë, operatorë kamerash.
Njëri prej tyre e kapi fytyrën e të riut në objektiv.
Dhe unë e njoha.
Ishte ai.
Pianisti i lavazhit.
Për një çast, ekrani u zhduk. Nuk dëgjova më zhurmën e rrugës. Pashë vetëm djalin që pak orë më parë më kishte folur për Rachmaninoffin. Djalin që, me një përulësi të admirueshme, kishte pranuar se duhej të lante makina derisa të gjente një punë në profesionin e tij.
Tani ishte vetë jeta e tij që po përplasej brutalisht në asfalt.
Dhe në xhepin e tij, ndoshta, ishte ende ajo fletore.
M’u kujtua filmi Pianisti.
M’u kujtua Władysław Szpilman, pianisti hebre i mbijetuar mes rrënojave të Varshavës, dhe oficeri gjerman që, përballë artit të tij, i solli ushqim. Një gjest njerëzor në mes të një barbarie që kishte shkatërruar çdo kufi të moralit.
M’u kujtua ai çast kur muzika e Chopin-it arriti atje ku nuk mund të arrinte asnjë urdhër ushtarak: në ndërgjegjen e një njeriu.
Atëherë, mes goditjeve, pashë të ndërhynte edhe shoku i tij, regjisori.
Ai kishte studiuar Brechtin.
Ai që pak orë më parë më kishte folur për teatrin, tani po përpiqej të mbronte njeriun që kishte zgjedhur muzikën.
Brecht e kishte njohur fytyrën e pushtetit që e shndërron frikën në mjet sundimi, propagandën në të vërtetë zyrtare dhe bindjen në detyrim. Ai e kishte vënë në skenë mekanizmin e ngritjes së diktatorit, duke na paralajmëruar se barbaria nuk vjen gjithmonë me një fytyrë të panjohur.
Ndonjëherë ajo vishet me kostum, mban një fjalim, buzëqesh para kamerave dhe u kërkon të tjerëve ta quajnë normalitet.
M’u kujtua Arturo Ui.
Thelbi është uniforma që, në vend të mbrojë qytetarin, përdoret për ta poshtëruar. Është pushteti që ngatërron autoritetin me frikën dhe forcën me të drejtën.
Heshtin njerëzit që duhet të flasin. Heshtin institucionet që duhet të kërkojnë llogari. Heshtin ata që kanë mundësi ta dënojnë dhunën, por zgjedhin të presin, të vazhdojnë, të llogarisin interesat e tyre.
Por sa e tmerrshme është kur një nënë duhet të ketë frikë se mos ia marrin fëmijën nga duart! Kur një student duhet të mendohet dy herë përpara se të dalë në rrugë! Kur një i ri me një fletore në xhep mund të përfundojë i shtrirë mbi trotuar!
Çfarë shoqërie është kjo, ku frika kërkon të zërë vendin e lirisë?
Dhe unë, edhe nëse vitet do të më rëndojnë mbi supe, edhe nëse një ditë do të eci me bastun në dorë, kam një premtim me veten.
Do të shkoj ta shoh Arturo Ui-në, kur regjisori që takova në lavazh ta sjellë në skenë.
Dhe, kur shfaqja të mbarojë, do të ngrihem, do t’i afrohem regjisorit dhe do t’i dhuroj lule.
Jo vetëm për regjinë, por për guximin për të mos heshtur.
Por kam frikë.
Kam frikë se, përpara se t’u dhuroj lulet artistëve, mund të më dalë përpara hija e atij që financon zellin e dhunshëm të njerëzve të pushtetit, atij që paguan 2 500 euro në muaj, siç thuhet, për t’i pasur disa njerëz gjithmonë gati për të ndjekur, frikësuar e goditur kundërshtarin.
Sepse një ditë, kur të bjerë perdja e kësaj drame, nuk do të kujtojmë se kush i kishte duartrokitjet më të forta. Do të kujtojmë kush pati guximin të mos duartrokiste dhunën.
Burimi/Facebook


Leave a Reply