Pas ndalesës së shkurtër të gushtit, rifillon ky cikël dialogësh, pararendës i librit “Rilindja Shpirtërore”. Sepse Dialogu nuk mbaron. Ndonjëherë hesht, por vetëm për të pritur çastin e duhur që të vijojë. Çdo stinë ka bukurinë dhe kuptimin e saj, kur i jepet vend edhe qetësisë, edhe mendimit. Sidomos shtatori, që është pranvera e mendimit.
Mendimi nuk fillon me përgjigjet, por me pyetjet. Pyetja lind kur Njeriu nuk kënaqet më vetëm me atë që di, por kërkon të kuptojë.
Edhe historia ka nevojë për këtë hap. Nuk mjafton të pyetet: Çfarë ka ndodhur? Por edhe: Pse ka ndodhur? Dhe, mbi të gjitha: Çfarë kuptimi ka ajo që ka ndodhur për vetë fatin e Njeriut të sotëm? Pikërisht këtu historia pushon së qeni vetëm kujtesë e së kaluarës dhe fillon të bëhet pyetje jetike për të tashmen.
Figurat e mëdha shqiptare, nga Skënderbeu te Nënë Tereza, nuk presin vetëm të kujtohen, por të pyeten. Çfarë është Liria? Çfarë është Dinjiteti? Çfarë është Përgjegjësia? Çfarë është Ndërgjegjja? Çfarë i detyrohet Njeriu Tjetrit?
Kur fillojnë pyetjet e mëdha, fillojnë të zbulohen edhe idetë e mëdha. Atëherë historia nuk mbetet më vetëm histori. Bëhet kuptim për Njeriun. Aty fillon pikërisht mendimi. Dhe kur mendimi arrin deri në Ndërgjegje, fillon edhe Rilindja Shpirtërore.
Ndryshon fati i Njeriut.
Pikërisht këtu qëndron një nga sfidat e mëdha për mendimin akademik shqiptar: kalimi nga historia e fakteve te Bota e Ideve.
Përfundimisht, Akademia kur do të fillojë të ndërmarrë këtë hap?
Ky Dialog vazhdon…
Në ditët që vijnë do të publikoj fragmente nga libri “Rilindja Shpirtërore”.
Burimi/Facebook


Leave a Reply