Dola në një kopësht pranë shtëpisë, prisja miqtë e mi të vinin me makinë dhe ngrita sytë. Pashë një qiell blu, blu si qiejt e Renesansës, nderur në Florence, Venecie, Milano… Në to nuk kishte kalorës. Një avion kishte lënë një vijëz të bardhë që zgjatej tutje e ndoshta vinte deri tek ti, në përgjumjen e ëmbël të mëngjesit, apo ndoshta diku gjetë, pa mundur të vinte deri tek ti… Në një ditë të dielltë, azuro, ku njeriu e ndjen veten pa peshë, pa gravitacion dhe kështu ti noton në imagjinatë ose në kujtesë. Por papritur mendova për Prustin, kohën e humbur dhe Gilles Deleuze. Të gjithë kemi kujtuar se Prusti shkonte gjithnjë në kërkim të kohës së humbur, por Deleuze na thotë se kjo nënkupton dhe të tashmen, humbja e kohës në përgjithësi, jo vetëm e të kaluarës, por dhe të sotmes. Dhe ndoshta kjo kështu duhet kuptuar. Koha si një lumë që rrjedh dhe nuk mund të rikthehet… Më kujtohet vetja djalosh kur student u thoja shokëve të mi se gjumi është kohë e humbur dhe se në këtë botë duhej fjetur sa më pak. Ishte kohë dashurish, portokajsh, shelgjesh që i merrte era, pa ditur të humbasësh brenda një goje, një zemre. Mund të flije veç mbi gjinj të dashuruar, të dehur, të çlirët, të lëshuar në lirinë e tyre. Le corps humain. Apo mbi vargje të Lorca, Eluard, Ricos ose Prevert që më pëlqenin aq shumë. Pastaj shkova në Versailles… mizëri njerëzish, një ekspo e Anish Kapour… kopshtet, shatërvante, muzika klasike që na ndigjte, musica sacra… dhe diku në një vend Titani që dilte nga dheu me një dorë që mbante një grusht dheu, një imazh i hatashëm dhe simolik sit ë na thoshte se kohërat antike janë aty, dy hapa larg nesh. Tokë që vlonte.
Po ti? Folmë, thuamë ose më pëshpërit, se unë i dëgjoj dhe pëshpërimat, madje dhe pëshpërimat e zogjve në intimitetin e tyre, fshehtësinë që siç thoshte Lasgushi, më e fshehtë se vetë fshehtësia…
Burimi/Facebook


Leave a Reply