Në historinë e Mirditës, një krahinë e njohur për qëndresën dhe besnikërinë ndaj lirisë dhe identitetit kombëtar, një vend të veçantë zë Familja Lufi nga Tranga e Selitës.
Kjo derë e hershme e fisnike ka dhënë ndër shekuj djem të shquar në mbrojtje të trojeve shqiptare, duke qenë një bazë e rëndësishme e kryengritjeve kundër pushtuesve osmanë dhe më vonë një vatër e fortë rezistence ndaj regjimit komunist.
Që në moshë të re, pinjollët e kësaj familjeje u bënë pjesë e kryengritjeve anti-osmane, duke luftuar krah për krah me figurat kryesore të Mirditës.
Ndër ta spikat Ndrec Lufi, i cili bashkë me të vëllanë, Gjon Lufin, një ndër krerët e kryengritjeve, morën pjesë në shumë beteja për çlirimin e vendit.
Familja Lufi nuk ishte thjesht pjesë e një lëvizjeje krahinore, por një shtyllë e mbrojtjes së identitetit shqiptar në veri.
Në kohën e Mbretërisë Shqiptare, Ndrec Lufi mbajti gradën Kapiten i Parë në ushtri.
Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, ai iu bashkua Lëvizjes Nacionalçlirimtare si zv-komandant i forcave vullnetare.
Angazhimi i tij shkaktoi hakmarrjen e pushtuesve italianë, të cilët i dogjën kullën në Selitë, simbolin e derës së fortë të familjes.
Pas mbarimit të luftës, Ndreca u rreshtua krah forcave nacionaliste dhe u bë një nga udhëheqësit e rezistencës antikomuniste në malet e Mirditës. Ai mori pjesë në kuvendet ndërkrahinore të Bruçit, Lurës e më gjerë, duke mbrojtur idealin e një Shqipërie të lirë e demokratike.
Fitorja e komunizmit solli një tragjedi të madhe për këtë familje.
Nga shpia e Lufit u vranë 9 burra, ndërsa dy fëmijë vdiqën në internim, duke u bërë një nga familjet më të goditura të Mirditës.
– Ndrec Lufi dhe djali i tij Nikolla u pushkatuan pasi u arratisën në Jugosllavi.
– Ndue Gjon Lufi, Gjin Llesh Lufi dhe Tanush Lufi u vranë në mal gjatë përleshjeve me forcat ndjekëse.
Historia e tyre është një shembull i dhimbjes kolektive të Mirditës, ku dera fisnike u shënjestrua për të zhdukur frymën e qëndresës.
Shtëpia e Lufit në Selitë cilësohet si një nga dyert më të forta të Mirditës, që dha ndër breza bijtë më të mirë në mbrojtje të tokës dhe nderit.
Kjo derë u bë simbol i burrërisë, sakrificës dhe krenarisë mirditore.
Madje, edhe në letërsi, figura e Ndrecës u përjetësua.
Në librin “Udha e Brezave”, në poemën “Unë jam vëllai juaj me autor Ndrec Molla”, ai shfaqet në vargjet:
“Dredh cigare në qelibare
Kulla e Lufit nuk del fare”.
Një metaforë e heshtjes së dhunshme që regjimi i imponoi kujtesës së tyre.
Familja Lufi mbetet një dëshmi e gjallë e asaj se si Mirdita, përmes dyerve të saj fisnike, ka dhënë gjithmonë bij për lirinë dhe ka paguar çmime të larta për qëndresën.
Historia e tyre është e ndërthurur mes lavdisë luftarake dhe dhimbjes së persekutimit, duke u bërë pjesë e kujtesës kolektive që nuk duhet të shuhet.
Historia e familjes Lufi është një kapitull i rëndësishëm për studiuesit, historianët dhe brezat e rinj, që kërkojnë të kuptojnë se si krahinat shqiptare, përmes sakrificës së familjeve fisnike, ruajtën identitetin, besimin dhe dinjitetin kombëtar përballë pushtuesve dhe diktaturës.
Nga: Leon Molla
Shënim: Autori i këtij shkrimi Leon Molla është stërnip i kësaj dere, nëna e nënës së Leonit, Mrika e Ndre Gjon Lekgegës është bija e Lufit.
Burimi/Facebook


Leave a Reply