Këtë nostalgji për rrugicat e qytetit tonë na i solli në një postim të tijin, personaliteti sportiv i qytetit tonë, dhe i një prej familjeve më të mira shkodrane, Mark Kroqi.
Rrugicat janë pjesë e lagjeve të ndryshme të qytetit të Shkodres. Janë në të gjitha lagjet nga veriu në jug nga lindja në perëndim. Ato rrugica janë memorja më e lavdishme, më e bukur, më socialja, me e larmishmja, më e fisme, më historike e qytetit tonë. Ato,mbajnë histori të ngjarjeve të ndryshme, histori personalitetesh në luftë e në paqe, histori kulture e muzike por natyrisht edhe histori të trishta. Në ato rrugica linden shumë personalitete shkodrane që i dhanë qytetit dhe kombit vlera dhe kontribute që nuk harrohen lehtë. Ishin rrugicat e Gurakuqve, Kroqve, Gurazezëve, Llujejve, Repishtëve, Boriçve, Koliqve, etj, etj. etj që mbajnë një peshë tepër të rëndësishme në historinë e qytetit. Ishin nyjet kryesore të referimit në qytetin tonë dhe mbanin emra familjesh sepse ato familje ishin më të njohurat, që kishin kontribute. Por përveç disa pikave të referimit për orientim në qytetin tonë si Kafja e Madhe, Arra e Madhe, Kisha e Madhe, Fushë Cela, Dugajt e reja, Parruca, Gjuhadoli, Serreqi referime kishte edhe nga ngjarjet që kishin ndodhur si vendi ku kishin vra Tre Heronjte, ku kishin vrarë Vaso Kadinë, apo Mustaf Dervishin etej.
Rrugicat ishin bërthama të kandëshme të një ambienti social të papërshkruar ku komshinjtë e rrugicës ishin shumë të afërt me njeri tjetrin, shkembenin vizita në raste gëzimesh e mortesh dhe festash. Shkëmbenin biseda, ndihmonin njëri tjetrin, organizonin në oborre apo çardaqe ahengjet shkodrane. Vajzat mblisheshin ku diskutonin problemet e tyre, luanin në shtregulla, qëndisnin. Burrat dhe djemtë mblidheshin dhe diskutonin edhe kur qyteti kishte problemet e tij apo ndihej era e pushtimeve.Në oborre një mbledhje e hareshme ishte ku shkundej mani sepse mblidheshin fëmijët, të rinj të reja por edhe të moshur ku plaste gazi dhe hareja. Por mbledhje kishte edhe kur vileshin fiqtë apo rrushi e sidomos kur pjekej rakia. Por festa ma të bukura ishin dasmat dhe karnevalet. Në dasma shkonte për të parë nusen e gjithë rrugica. Kishte raste që nusja kur largohej për të shkuar tek burri, përshkonte të gjithë rrugicen si për tu përshëndetur me “si vëllezërit” dhe “motrat “e tyre për herë të fundit. Por festa ndizej kur përgatiteshin karnevalet sidomos në komunitetin katolik sepse do të dilnin nga këto rrugica për të manifestuar në rrugët e qytetit. Por pjesa më e bukur qofte e dasmave apo edhe karnivaleve ishtin ditët e përgatitjes së tyre që fillonin me javë përpara dhe rrugica ziente dhe gumzhinte nga fëmijët por edhe banorët që hynin e dilnin nga banesat e njeri tjetrit. Nostalgji të papërshkruar na sillnin festa fetare dhe ritet fetare në këto rrugica. Unë mbaj mend synetlleqet që bëheshin me një pompozitet por mbaj mend edhe krezmimet e vajzave dhe djemve katolikë të veshur me të bardha që ne vajzat e vogla kur i shihnim në piacë shkriheshim nga qejfi. Nga synetlleku mbaj mend shetitjet me karrocë e djemve para se të bëheshin synet dhe në çardaqet tona mbaj mend kur sapo bëhej synet ne fëmijët i binim me lugë një tepsije që tregonte kryerjen me sukses të këtij proçesi. Pastaj festimi i Krishtlindjeve dhe i Bajrameve apo mbajtja e ramazaneve nuk ndihej më gjallë e më hareshëm se askund se sa në rrugicat e qytetit tonë . Aty ziente festa, aty ishte lezeti aty ndihej kënaqësia aty kënaqeshe me buzëqeshjet dhe gëzimet e fëmijëve që visheshin me teshat më të bukura. Këto shkurtimissht ishin rrugicat tona të lezetshme. Gjithsecili mund të bijë historinë e vet në rrugicen e qytetetit tonë ku ka kaluar fëmijërëinë dhe adoleshencen.
Mbasi Mark Kroqi kishte sjellë pamjen e rrugicës së Kroqve që na ngjalli nostalgji unë postova në koment një biografi të fisit Kroqi. Por për të plotësuar këtë kuadër po postoj edhe disa biografi të përsonaliteteve të këtij fisi. Ka edhe të tjerë përsonalitete ky fis por po kufizohen vetëm me këto si më poshtë.



GJON KROQI (1910-1994)
Inxhinier arkitekt. Lindi në Shkodër ku mësimet e para i mori në Kolegjen e Jezuitëve. Për 12 vite studion në Itali në shkollën e mesme (1925-1932) dhe në Universitet (1932- 1937), ku diplomohet për inxhinier arkitekt në Universitetin e Torinos. Pas kthimit nga Italia punon në Shkoder. Pas pushtimit fashist punon në Tiranë, pastaj në Vlorë, përsëri në Shkoder, në Prizren dhe në fund të 1942 në Tiranë deri në fund të jetës më 1994. Pas v. 1944 ka punuar në Ministrinë e Ndertimit, më pas ka punuar si pedagog në Shkollën e Mesme Politeknik “Harri Fulc” dhe nga v. 1980 punoi në Institutin e Ndertimit. Që nga v. 1950 i është perkushtuar dokumentimit të arkitekturës popullore, duke punuar me kohë të pjeshme në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ka rilevuar shumë objekte dhe ka rikonstruktuar shumë të tjera, si shtëpia e Avni Rustemit, e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut e vëllezërve Frashëri etj., punime të cilat janë publikuar në 6 revista të kohes, pa permendur emrin e autorit. Ka bërë projekte të 23 objekteve në Gjirokastër, Berat, Shkoder, etj. të ekspozuar jo vetëm në revistat e kohës por edhe edhe në ekspoziten e hapur në Zagreb (Kroaci) më 1995. Punimet e tjera që ka bërë, si punonjës i Institutit të Ndertimit, siç janë Ura e Mesit Shkoder etj .janë publikuar në revista por pa ja treguar emrin duke fshirë edhe firmen e tij, kurse origjinalet janë në arkiven e Institutit.
GULIELM KROQI (1926-1999)
Inxhinier Topograf. Lindi në Shkodër por rritur e shkolluar ne Tiranë. Me marrjen e maturës pranë Liceut Klasik të Tiranes, në mbarim të Luftës Dytë Botërore, fillon punë pranë Ministrisë së Ndërtimit e më vonë në Ndërmarrjen “Muhamet Gjollesha” duke bëre pjesë në grupin e rindërtimit të rrugëve. Për t’u shenuar redaktimi i hartave topografike për rrugen Delvine – Sarandë 1949 dhe ajo e Kukësit – Diber ( 1951). Në vitin 1961 diplomohet si inxhinier në Degen Gjeodezi-Topografi. Vazhdon të punojë në hartimin e hartave e rilieve në të gjithe vendin ( Fier – Laç – Korce – Kukes). Rreth vitit 1975 fillon punë pranë Institutit Gjeologji- Gjeodezi deri sa doli në pension. Jane të shumtë projektet e rilevimet gjatë karrieres së tij profesionale. Për tu përmendur janë projektet e zonës së Maliqit, Superfosfatit te Lacit, e sidomos puna vertet e madhe në rilevilimin e zonës së kënetës së Kakarriqit. Nga viti 1980 ka qenë pergjegjës i laboratorit të istrumentave dhe i hartave të precizionit të lartë.
FRANKO KROQI (1940-2013)
Inxhinier miniere. Lindi në Shkoder. Në v. 1960 diplomohet inxhinier miniere dhe caktohet të punojë në minieren e bakrit në Kurbnesh, dhe më 1964 është kryeinxhinier i kësaj ndermarjeje. Aplikon në këtë minierë një metodë të re shfrytëzimi atë me shembje nënkati që rriste rendimentin dhe ulte koston, metodë që u aplikua edhe në minierat e tjera të bakrit. Në shtator të 1967 transferohet si kryeinxhinier në ndermarjen e bakrit në Gjegjan të Kukësit, që ishte miniera më e madhe e bakrit në Shqipëri. Në shkurt të 1970 transferohet në Ministrinë e Industrisë dhe Minierave ku punon deri më 1988 me detyrat e specialistit, kryespecialistit dhe drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Minierave. Më 1988 transferohet në Institutin e Minierave, ku më 1989 perfundon projektin e modernizimit të minierës së Bulqizës, ku më vonë e riponon në bashkëpunim me specialistët gjermanë të firmës Shahtleben. Këtë projekt e ka ripunuar në kushtet e ndryshimit të situatës të zhvillimit të punimve në minierë, si pasojë e moszbatimit të këtij projekti dhe moszbatimit nga firma konçensionare “Darfo”. Më 1992 ka qenë zv/ministër në Ministrinëe Ekonomisë Publike dhe Privatizmit. Nuk ka pranuar vlerësimin e aseteve minerare tonat nga të huajt (tërë industrinë minerare tonen ato e vlerësonin me 14 milionë USD) si dhe ka kundërshtuar që të vendosnin së cilës firmë të huaj i duheshin dhënë minierat tona. Nuk i ka pranuar këto kerkesa të huajve as kur në qershor të 1993 e thirren në Këshill të Ministrave. Pas kësaj e emërojnë Ambasador në Kroaci (1994-1996). Më 1997 fillon punë në Institutin e Minierave dhe më vonë kryeinxhinier në Korporaten Albaker deri më 2001 dhe më vonë në firma private. Në 1978 ka marrë Çmim Republike të shkalle së II, per metoden e shfrytëzimit në minierën Kurbnesh dhe Gjegjan të Kukësit s dhe më 1998 Çmim Republike të shkalles së II, per zbatimin e minierës së Bulqizës, zbatimi i së cilës u nderpre abuzivisht nga firma konçensionare “Darfo” . Me 31 mars 1991 , në zgjedhjet e e para pluraliste ka fituar kundër Ramiz Alisë 62%, kundrejt 34%.
KROQI ROZELA (1958)
Inxhiniere mekanike. Lindi në Tiranë në familjen shkodrane të Guliem Kroqit. Më 1984 është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë, dega mekanike. Më 1985 ka marrë titullin Master. Mbas mbarimit të studimeve punon 15 vjet në uzinen “Dajti” në Tiranë. Mbas 1990 ka emigruar në Itali, dhe më 1995 është diplomuar në Politeknikumin e Torinos, për inxhinieri mekanike. Më 1997, në Torino ka marrë titullin “Doktor në inxhinieri mekanike”. Edhe pse e diplomuar si inxhiniere mekanike, ka me shume se 15 vjet që ka punuar në fushen e artit kontemporan. Roli i saj ka qenë ai i inxhinieres së projektimit të strukturës mbajtëse të veprave me permasa të mëdha që jane instaluar në mënyrë permanente në sheshe e parqe në të gjithë boten. Ka ndjekur realizimin dhe montimin e veprave në bashkepunim të ngushtë me disa artistë. Disa nga projektet e realizuara, janë : “Ëave Ufo”, (Vala, Ufo), “Tom Na Hiu” dhe “Oneness”, (Uniciteti) te Mariko Morit; “Ago, Fili e nodo” (Gjilpëra, fija dhe nyja) dhe “Tumbling Tacks”(Pineskat që rrokullisen) e Oldenburg& van Bruggen, “Camel & Needle” (Deveja dhe gjipera) di J. Baldessari; “Lesson on Love”,(Leksion mbi dashurine) dhe “Ëater Bottle” (Shishja e ujit) të H. Abbas. Në fushen e mekanikës ka punuar projekte të Ferrarit dhe të Boing. Në v. 2012, nga Organizata “Albanian Excellence”- Tiranë, i është dhënë titulli “Albanien Excellencë, 2012”
Per Rozela Kroqin dhe aktivitetin e saj kam shkruar artikull te veçante ne revisten „FEMRA MODERNE“
Ne foto Gjon Kroqi, Guliem Kroqi, Franko Kroqi dhe Rozela Kroqi
Burimi/Facebook


Leave a Reply