Këndvështrim mbi thelbin psikologjik të Etikës Globale
Studimi në këtë hapësirë ndihmon në perceptimin e thelbit të Etikës Globale. Konceptet e reja që diskutohen në dekada, sot marrin rëndësi mbi domosdoshmëri objektive zhvillimi. Kuptimi i ndjeshmërisë së sjelljes njerëzore, të shqisës teknologjike mbi mënyrën e të menduarit, ndikon në perceptimin racional të etikës në zhvillimin e marrëdhënieve botërore politike, ekonomike dhe ushtarake.
Jeta njerëzore ka ngjajshmëri dhe dallime. Sjellja në mënyrë etno – centrike, nuk ka lejuar shtete të fuqishme “të shkëputen nga epërsia e kulturës tradicionale, duke krijuar steriotipin dhe harruar se popujt e tjerë sillen në mënyrë racionale në raport me sisteme të tjera vlerash etike në zhvillimin ekonomik”. (13). Dallimet shfaqen tek individi, sesi ai percepton qasjet kryesore të ekzistencës së marrëdhënieve në harmoni me natyrën, kohën, suksesin, të reflektuara këto në komunitet.
Kuptimi etik i “pozicionit në shtresën kulturore” perceptohet si element i gjerë kulturor në trajtimin e komponentëve të Etikës Globale, duke iu përmbajtur thelbit psikologjik dhe teologjik në pikënisjen e saj. Ai i drejtohet njeriut global, si përfaqësues i shtresa të ndryshme kulturore në ndërveprim me njera – tjetrën.
Ato ndikojnë fort mbi individin, racat, gjinitë, gjuhën, traditat përballë ngjarjeve dhe zhvillimeve politike ndërkombëtare. Ndikimet tradicionale përballen me steriotipin e njeriut (qytetarit) global, të socializuar me gjithçka të re që sjell Globalizimi. Shtresëzimet sociale diktohen nga kultura tradicionale. Në post – modernizëm, ajo shfaqet para ndikimit të kulturave të tjera. Çdo ditë njeriu në lëvizjen e lirë përfshihet në hapësirën e multi – kulturalizmit, duke krijuar personalitetin global, pavarësisht gjuhës, gjinisë, racës apo traditës.
Informacioni mbi qytetërimet e ndryshme (apo civilizimet) dhe pikpamjet e krijuara nga perceptimi racional i fenomeneve që dominiojnë jetën e njeriut, janë objekt kritik i shkencave sociale e humane mbi sjelljen. Thellimi njohës mbi kulturën globale, mbetet objekti i neuro – shkencës, e cila shpjegon dhe dikton lidhjen e përgjithshme të shtresave kulturore drejt kulturës unike.
Shembull:
Imagjinoni gjendjen sociale në vendin tim – në Shqipëri – si do të ishte jeta sot nëse populli do të mbetej peng i kulturës tradicionale të imponuar nga izolimi dhe ideologjizimi i jetës. Kanë kaluar 34 vjet nga ndryshimi i sistemit politik dhe shoqëror. Është emocionuese kur konstatohet ndryshimi psiko – social dhe kulturor i njerëzve, të ndikuar nga antropologjia pozitive e frymës dhe kulturës, të cilët me kurajo dhe sakrificë prekën lëvizjen, kohën, konkurrencën, emigracionin, arsimimin, biznesin, artin, kulturën, sportin, tekonologjinë në shumë vende të perëndimit dhe lindjes, duke i bërë ata të kuptojnë pse sot janë të tillë.
Edhe pse njerëzit në vendin tim janë të vetëdijshëm ndaj tendencave të ndryshme kulturore, gjenerata e re inteligjente e ka pranuar atë kundër steriotipit “të njeriut shqiptar patriot dhe nacionalist”. Pra, janë të lavdërushme përpjekjet për të ruajtur ato cilësi të kulturës dhe traditës që i shërbejnë formimit dhe rritjes së personalitet global. Përvoja e vendit tim vlen për shumë vende të BE-së, politikat dhe popujt e të cilëve janë të prirur drejt nacionalizmit “të heshtur” mbi etninë, gjuhën, kulturën dhe “superioritetin e tyre kombëtar e fetar, kur në fakt shumë më shumë sesa ata, kombi im ka të drejtë të shfaqet nacionalist për shkak të gjenocidit shekullor të kryer mbi të dhe coptimin tragjik në 5 shtete”!
Të ndikuar nga efekti dramatik i hegjemonizmit drejt kulturës globale, për shkak të zhvillimeve të shpejta, brezit inteligjent të lindur në vendin tim, u është ofruar qasja virtuale ndaj kulturave të tjera, e cila ka krijuar mundësi të pamata të njohjes, duke rekomanduar hapësirat e dobishme të ndryshimit.
Kultura e përgjithshme i ka dhënë të drejtën gjeneratës së re të arrijë perceptimin real të kulturave të tjera, si rrugë për të parë ndryshimet dhe vlerat e tyre psikologjike e sociale. Kudo tashmë shikojmë një rini të mençur, të veshur me shije moderne, të pastër, të kujdesur për jetën. Krah tyre jetojnë shumë njerëz të ardhur nga vende të tjera, të cilët ndihen të qetë dhe të sigurtë. Përkatësia etnike nuk pengon integrimin racor as në vendin tim.
Psikologjia, kultura, teknologjia dhe standarti i zhvillimit nuk kanë lidhje me etninë, por me kulturën e përgjithshme, brenda së cilës ruhen lidhjet shpirtërore me vendin, familjen dhe komunitetin. Ka plotë të rinj shqiptarë që jetojnë prej dekadash në Romë, Londër, New York, Milano, Vjenë, Frankfurt apo Sindejin e largët. Ata kulturalisht janë integruar dhe jetojnë si anglezë, italian, austriak, amerikan apo gjermanë dhe nuk janë të prirur të mohojnë identitetin e tyre. Për popullin tim standardet e jetës kanë marrë një kuptim të ri.
Midis ideologjive dhe sistemeve politike, shfaqen etika e bindjes dhe etika e përgjegjësisë. Dy karakteristika, të cilat në thelbin filozofik dhe moral të Etikës Globale përfshijnë Dialogun, Tolerancën, Solidaritetin, Përgjegjësinë, Ndërkulturalizmin, Kozmopolitizmin, Metodologjinë Morale, Universalizmin dhe Relativizmin, Pacifizmin, Mjedisin, etj.
A mjaftohen marrëdhëniet ndërkombëtare vetëm me këto kategori etike dhe a janë ato adekuate për të pranuar “Rendin në Shekullin e Ri” të përfaqësuar nga Globalizmi dhe qeverisja botërore? Ndoshta me një perceptim më parimor (apo pragmatist) thelbi i Etikës Golabe duhet parë disi më ndryshe!
Mundësitë e reja të kohës janë ato që sot i kemi në dorë. Ndryshimi “ndonjëherë është i pamundur…. sepse përdorimi i komunikimeve të shpejta nuk realizohet në mënyrë inteligjente”. (14).
Shkaku është i thjeshtë. Përparësitë teknologjike të kohës janë ende përballë tradicionalizmit dhe formave të vjetra strukturore të mendimit, në të njejtën kohë që globalizimi i financave dhe biznesit diktojnë çdo ditë e më shumë mbi jetën e Njerëzimit.
Përmbajtja e Etikës Globale mbi zhvillimin ekonomik global mund të rreshtojë shumë këshilla, norma dhe kufizime, të cilat shprehen më afër asaj që duhet të jetë, por jo mbi atë që funksionon në interes të globalizimit të tyre.
Mbështetur në konceptet e Filozofisë Sociale dhe të Etikës mund të pranohen gjuha, komunikimi, përshëndetjet, prezantimet, socializimi, mënyrat e paraqitjes, qëndrimet, sjelljet e kulturuara, tradita, por të gjitha këto nuk arrijnë të prekin thelbin e kontradiktës që i gërryen ato ngadalë nga brenda drejt dështimit.
Nderimi i njeriut dhe ligjit për jetën, drejtësinë, mbi të drejtën dhe të vërtetën, paqen dhe humanizmin, të drejtat njerëzore, mbrojtja e mjedisit, integriteti, përgjegjshmëria, janë qasje të shkencave shoqërore, politikës, diplomacisë, gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë. Detyrimi për të jetuar në një botë më të mirë, paqësore, të drejtë, promovon vlerat e demokracisë liberal – perëndimore, kundër autokratizmit, diktaturës, ekstremizmit ideologjik, politik dhe fetar.
Edhe pse trajtimi mbi Etikën Globale ka burimin dhe orientimin hyjnor, në dimensionin e vlerësimit racional, ajo shfaqet e ngurtë dhe e paplotë. Rregulli i artë i thelbit të saj, ende nuk merr kuptim dhe përmbajtje të gjerë në jetën politiko – shoqërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Përmbajtja duhet të përfshijë ligjet themelore të zhvillimit integrues, globalizimit, bashkëjetesës paqësore, të përbëjë thelbin e qasjeve pozitive të politikëbërjes së mirë, si institucion përgjegjës në marrëdhëniet ndërkombëtare për vërtetësinë dhe dobishmërinë e saj globale. A mund të konceptohet përmbajtja dhe suskesi i Globalizmit pa dimensionin real të Etikës Globale?
Të perceptosh të dukshmen, nuk do të thotë të mos përpiqesh të kuptosh të padukshmen, duke mos ia nënshtruar atë kritikës dialektike mbi ligjësitë e jetës. Fakti që jeta e Njerëzimit është kapur nga fenomenet “malinjë”, do të thotë se e sotmja dhe e ardhmja mbi rendin dhe sigurinë janë në diskutim. Etika Globale në thelb duhet të përfaqësojë vijën e sjelljes në politikën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Politika duhet të ketë etikë dhe moral. Morali në politikë është shprehja e përputhjes së sjelljes dhe qëndrimeve politike me të vërtetën. Kjo nuk ka të bëjë me pamjen e jashtme, por me qasjen objektive në çështjet botërore.
Thelbi i Etikës Globale merr kuptim: Skulptura ekziston brenda mermerit, skulptori e nxjerr në dritë me artin e tij. Morali Politik dhe Etika Globale nuk lidhen shumë me gjendjen, por me të vërtetën dhe të drejtën mbi ngjarjet dhe perspektivën, me praninë e dukurive dhe fenomeneve të dobishme dhe të padobishme me ndikim global.
Në mes shfaqet përherë raporti i interesave. Në konceptin e përgjithshëm, Morali, Etika, Realiteti shfaqen në ndërveprim por dhe kundërshtime me të vërtetën dhe të drejtën. Ku e gjen veten këtu Etika Globale?
Për hir të së vërtetës, etika dhe morali në jetën ndërkombëtare funksionojnë në baza interesi, të “veto-s” në KS të OKB-së dhe sipas diktatit dhe fuqisë së shteteve më të mëdha të botës. Vlerat e saj lëkunden hera – herës, diktuar nga dhuna e interesave dhe përballë tyre, lufta për mbijetesë.
Problemet e Etikës Globale dhe Sigurisë në botë, janë e drejta e pranuar për të interpretuar raportet midis të drejtës dhe të vërtetës. Këtu hasen kontradiktat mes interesave të fuqive të mëdha dhe përgjegjësisë për rendin botëror. Vendimmarjet e drejta nuk janë diktat, por kontribut real i ideve dhe vizionit për qasje të reja në përparimin e Njerëzimit.
Në përditshmërinë politike të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Etikës Globale, nuk funksionojnë vlerat universale të moralit. Ka kompromise mes fuqive të mëdha, por jo moral. Kur ana subjektive nuk përkon me anën objektive të problemeve thelbësore të Njerëzimit, atëherë politika nuk ka moral dhe Etika Globale nuk funksionon.
Morali dhe Etika Globale sot duhet të shfaqin vlerat, duke ndaluar luftën në Ukrainë, zgjidhur konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës në Lindjen e Mesme dhe duke zgjidhur çështjet e mprehta etike dhe etnike në botë. Lufta është proces, por individët dhe shtetet kanë rolin e tyre në raport me të.
Dhe këtë mund ta bëjnë SHBA-të dhe fuqitë e tjera të mëdha të botës.
(Vijon me ndonje pjese tjeter)
Sulejman Abazi NESHAJ
Burimi/Facebook


Leave a Reply