Deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun Lezhë, Gjin Gjoni, ka reaguar ashpër ndaj aksionit të ndërmarrë së fundmi nga Bashkia Lezhë për lirimin e hapësirave publike në qytet. Përmes një deklarate të fortë publike, ai e cilëson këtë nismë si një “show dhe hipokrizi politike”, që sipas tij vjen pas vitesh lejimesh të qëllimshme dhe abuzive.
“Pas shumë vitesh heshtjeje dhe lejimesh të qëllimshme, Bashkia Lezhë u kujtua më në fund të heqë strukturat që kanë zënë hapësirat publike. Por lind një pyetje: ku ishin këta ‘shpëtimtarë’ deri dje?”, shkruan Gjoni.
Ai thekson se strukturat që sot shemben, kanë funksionuar për vite me radhë me bekimin e bashkisë, ndërsa ishin frekuentuar nga vetë zyrtarët lokalë, madje edhe përdorur për qëllime elektorale nga Partia Socialiste gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
“Unë jam pro rikthimit të hapësirave publike qytetarëve, por ky aksion nuk mund të fshihet pas fasadës së ligjshmërisë, kur vetë Bashkia është përgjegjëse për lejimin dhe dhënien e lejeve”, deklaron deputeti demokrat.
Në vijim të denoncimit, Gjoni paralajmëron se janë duke u mbledhur prova për çdo ndërtim pa leje të kryer me miratim nga Bashkia Lezhë, ndërsa akuzon se ditët e fundit janë legalizuar pallate të ndërtuara në mënyrë të paligjshme nga persona të lidhur me fushatën e PS.
Deputeti Gjoni bën me dije se, duke nisur nga shtatori, do të depozitohen kallëzime penale ndaj çdo zyrtari të përfshirë në veprime abuzive me detyrën, pa asnjë përjashtim.
Burimi/Facebook/Lezha Webs


Leave a Reply