Ja, që ndodhë edhe kështu: që aktori lindë dhe nuk zhbëhet më! Ai as që e ka menduar këtë, po JETA, -si një skenë e madhe,-zbulon tek ai vlerat e aktrimit bazë, si ai bebi i porsalindur kur përballet me dritën, lëvizjet e ekranin dhe pulit sytë, buzëqesh vetiu e i lëviz doçkat e vogla në ajrin përreth… Apo si në filmat e Xhanfise Kekos, ku aktorët e vegjël , lozin më natyrshëm se artistët me “Shkollë të Lartë Aktrimi”. Ky fenomen organik është “i bërë” e jo “i thënë” nga asnjë shkencë artistike, teksa një artist i ardhur nga jeta, si Charles Caplin mahniti botën , me talentin e lindur dhe “universalitetin e tij artistik”, si skenarist, aktor, regjisor, kompozitor e skenograf. Në një harmoni përsosmërie. Si shëmbëlltyra e artistit Gjenial që nënshkroi edhe PAVDEKËSINË E TIJ.
Si pasues i Gjenialitetit të Shekspirit, i cili u ritë buzë lumit Evon të Stratfordit,-i biri i një zanatçiu, me një shkollim të mangët atje, që krijoi në Londër Teatrin”GLOGUS”, me kupolë qiellin, teksa njerëzimi pa vetveten, me tragjeditë më tronditëse e me komeditë më gazmore. Një TEATËR që do më mahniste edhe tani, pas 500 vitesh, duke u ulur enkas po në atë llozhë ku ulej përherë “spektatorja” e tij më e rregullt: Mbretëresha e Anglisë Elisabetë, për të parë:”Ëndër e një nate vere”. Qe si një ëndërr e vërtetë, edhe për një Kritik Teatri që vinte aty po nga ajo ILIRI që Shekspiri e përmend tek komedia tjetër e famëshme:“Nata e dymbëdhjetë” dhe që do të shihte rishtazi, po atë komedi brilante, me plot jetë!…
Po mrekullia e artit të pavdekshëm të këtij GJENIU TË TEATRIT, rridhte prej teorisë së Artit të Aktrimit, e thënë fare thjesht, po prej tij, ndërmjet dialogut të Hamletit me aktorët e vënë, për të sfiduar me një “lojë teatrale”, mbretin Uzurpator që i rrëmbeu mbretërinë, po edhe nënën e tij për grua, me sentencën e tij universale teorike: ”Harmonizoni fjalën me veprimin dhe veprimin me fjalën dhe mos dilni jashtë natyrësisë!” Dhe Çarli, si komediant i madh që ishte, po i kësaj Mbretërie, ndonëse në planin satirik, në librin e tij “JETA IME”, do të shkruante thuajse të njëjtën sentencë teorike: ”Aktori, në radhë të parë, duhet të dijë të përmbahet, duhet të jetë i qetë dhe pa tension, të kontrollojë dhe të drejtojë ngjitjen dhe zbritjen e emocioneve të veta…Unë jam ai që jam, si gjithë bota!”
Ne nuk do ta kishim një Teatër Kombëtar, pa gjenialitete (të lindur edhe ata!), si Mihal Popi, Naim Frasheri, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Kadri Roshi, Nikolin Xhoja, Pandi Raidhi, Sulejman Potarka, Prokop Mima dhe Mihal Stefa, që ishin më se organik e të pa tjetërsueshëm, individualitete të karakterit intuitiv, që me talentin e tyre nënshkruan edhe ata pavdekësinë e tyre. Po Teatri ynë Kombëtar u pasurua e u ngritë disa stade më lartë me Personalitete të shkolluara të Artit skenik, nga Sokrat Mio, Pandi Stillu, Mihal Luarasi, Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Andrea Malo dhe Serafin Fanko, të cilët po ashtu nënshkruan pavdekësinë e tyre me vepra skenike madhore, modele aktrimi, si “Karnavalet e Korçës”, ”Revizori”, “Dhelpra dhe Rushtë”, “Hamleti” “Gratë Gazmore të Uindsorit”, “Arturo Ui”, “Xhaxha Vanja”,”Borgjezi Fisnik”, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Morali i Zonjës Dulska” e “Quo Vadis”?. Këta Artistë të regjisë , bënë të mundur që figura e personaliteteve te plejadës së parë të aktrimit, në ato kohë të vështira, të gjente “shprehjen Universale të përjetësisë” së Teatrit të tyre. Ata nuk janë më, po ARTI I TYRE, mbeti i pavdekshëm…
Me një veçori të madhe “elasticiteti”, brenda “rrethit të hekurt” të censurës partiake të “Realizmit Socialist”, kur talentet e mëdha, “gjetën edhe shtigjet” e mbijetesës, doemos jo edhe pa viktima, si ajo e dramaturgut Et’hem Haxhiademi, e kineastit Viktor Stratobërdha, të aktorëve Dhimitër Furxhiu e Enver Likmeta, gjoja “për Agjitacion e Propogandë”, si edhe “Për pikëpamje revizioniste” (nga e njëjta shfaqje: “Njollat e Murme”) për Minush Jeron si dramaturg, Mihal Luarasin si regjisor dhe Miho Gjinin si kritik i Teatrit…Me një listë të gjatë të përndjekurish, me burgimin e dramaturgut Fadil Paçrami e të disa të tjerëve, “me punë riedukuese”: si Kujtim Spahivoglin, Kadri Roshin, Viktor Gjokën, Josif Papagjonin, Bujar Kapexhiun, Edi Luarasin, Justina Aliajin, Leka Bungon, Naum Priftin, e me radhe, për “rrëshqitje ideologjike e morale”…Pa përmendur torturën psikologjike për “Cene Biografike”, që i patën bërë gjithë jetën e tyre: Sandër Prosit, Prokop Mimës, Nikolin Xhojës, Robert Ndrenikës, Ilia Shytit, Pëllumb Kullës, Bujar Lakos e të tjerëve artistë të gjinive të ndryshme…Kur tensionet politike e tronditnin artistin aq sa, t’i jepte fund jetës , sikundër do të ndodhte me Sandër Prosim e me Llazi Serbon, që i dhanë fund jetës, në fazën e lavdisë së tyre. Teksa ndëshkohej edhe i vdekuri, sikur do të ndodhte me përcjelljen e arkivolit të Artistit të Popullit Nikolin Xhoja, si të ishte “ASKUSHI!”…Edhe pse, bëhej fjalë për një talent që nuk i vjen më Shqipërisë…
Kryegjisori Rus Sergei Jutkeviç, pas realizimit të filmit “Skënderbeu”, jo vetëm që la një vepër kinematografike madhore, radhitur po nga të huajt në 10 ekranizimet më me vlerë në Botë,-shkroi edhe një libër, me dashuri të sinqertë për Shqipërinë, ku fletë për tre figura madhore të Artit Shqiptar: Për Mihal Popin që e karahasonte me aktorin më të madh rus VarlIamov, dhe ëndëronte ta realizonte Prefektin e Nikollaj Gogolit me të, po në vendin e tij! Ndërsa tek Pali i Naim Frashërit , shihte figurën e Hamletit. Ai mahnitej nga pasionet e vrulIshme të këtij artisti, aq sa do t’i thoshte se: “do të vdesësh shumë shpejt Naim i dashur, nëse nuk e frenon temperamentin tënd të zjarrtë!”…Duke mos e anashkaluar figurën e vogël të Gjergj Arianitit të Mihal Stefës, që shprehej madhërishëm në skenën e “Kuvendit të Lezhës”, përmes thjeshtësisë e vitalitetit të tij organik. I cili e nisi jetën në vitet 30 të shekullit të kaluar dhe vdiq thuajse i papërfillur, në një “Kasolle qerpiçi”, i vetmuar, tek “Varri i Bamit” në Tiranë. Ai,“Aktori i Madh i Roleve të Vogla”, i pavdekshmi Mihal Stefa… Aktorja e dramaturgia greke Titika Sariguli, gjithashtu mahnitej para interpretimit të Hekubës,-Mbretërshës së Trojës nga “Diva Shqiptare” Margarita Xhepa, së cilës i ka shtrënguar duart në një Festival të Selanikut edhe “Diva Greke” (me origjinë shqiptare, nga i ati), Irena Papass. Që do të pasohej me interpretimin e saj në skenën Greke, me rolin e Nënës së Kostandinit, (nga legjenda “Kostandini e Doruntina”), në një shfaqje të dy regjisoreve grek, midis interpretueseve të rolit të së njejtës figurë nëne nga aktoret serbe, rumune, bullgare e greke. Ajo ndërroi jete para pak kohësh, por e kishte nënshkruar me kohë pavdekësinë e saj…Aktore me rrezatim Ndërkombëtar, si edhe Tinka Kurti, të cilat, në tragjeditë më të rënda dinin të qanin “pa zë”!
Po ku janë ata, të mëvonshmit trashëgimtarë , të “brezit të dytë të aktrimit”, po aq të madhërishëm? Nga më të mirët prej tyre: “25 YJET E SKENËS DHE TË EKRANIT”, që i përzgjodha në librin tim “Brezi i Artë i Aktrimit”, 14 prej tyre nuk janë më! …Mungon Bexhet Nelku,-i pari,- që nuk arriti dot të fliste me shkëlqimin e tij të parakohshëm, “Aristokrati i Aktrimit” Agim Qirjaqi, “Gjenerali i Aktrimit” Bujar Lako, “Njeriu i Dëborës” Rikard Ljarja, Njeriu që “dubloi” Ismail Qemalin, Fatos Sela, “Artisti-Filozof” Serafin Fanko, Tragji-Komiku i natyrshëm Roland Trebicka , “Kalorësja e Aktrimit” Edi Luarasi, Aktori i Bukur, Guljem Radoja, “Qiellori” Vangjush Furxhiu, Sheriu i Mitajve, që dublonte vetveten si personazh, Shpëtim Shëmili brilant, “Sokrati Modern” i lashtësisë Mirush Kabashi, si edhe Aktori që donte të vdiste si Bekim Fehmiu, LIazi Serbo, së toku me Korçarin tjetër Minella Borove, që intereretoi në një ”Udhëtim në Pranverë” e nuk pa asnjë pranverë të vërtetë në vendin e tij dhe e “kërkoi”Lumturnë” gjer në Argjentinë e nuk e gjeti dot?!
Ata “lodrojnë” tani me “KËNGËT E ZOGJVE TË QIELLIT”… E s’ka pak muaj që shkoi t’i gjejë “ATJE” edhe “DIVA SHQIPTARE” e tri epokave Margarita Xhepa, Margaritaria e Aktrimit, më e bukura grua në përjetësinë e saj, që “Diva Greke” Irena Papas i shtrëngoi duart në Festivalin e filmit në Sealanik dhe e uroi me ca fjalë shqip, që nuk i kishte harruar nga ati i saj, Korçari Petro?! Dhe do më kujtohej edhe mua, ish Inspektorit të dikurshëm të Ministrisë së Kulturës, tek shihnim në Kinostudjon tonë premjerën e filmit “Avanturat e Ulisit, dhe , pas filmit, Ulisi-Bekim Fehmiu, u ngritë e tha me krenari: “ E lozëm këtë film dy Shqiptarë, dhe kam fol me Irenën shkip sa jam shkep!”. Gjë që Bekimi i Bekuar, e shkruan edhe në librin e tij me kujtime… Edhe këta te dy , sapo kishin nënshkruar pavdekësinë e tyre…Ashtu sikundër Aleksandër Moisiu, që nuk pranoi asnjë n/shtetësi tjetër përveç tonës, edhe pse katër shtete e të tjera, pretendonin se ishte i tyre. Po ja që ndodhë edhe kështu: të tjerë merren me llafe “pa bereqet” dhe ata nënshkruajnë në “ALTARIN E ARTIT” PAVDEKËSINË E TYRE, si QYTETARË TË BOTËS.
Piqeras, më 9 gusht 2025





Burimi/Facebook


Leave a Reply