Jemi në verë, dhe njëra nga frazat kyçe që hasen në përditshmëri është “fluks emigrantësh”
Emigrantë të ikur që në eksodin e 90’tës, e që tashmë kthehen të rritur, të maturuar, e mbi të gjitha familjarë.
Tashmë ata zënë pozicionin e prindërve të moshës së tretë, pasi janë rritur fëmijët e tyre të lindur dhe të rritur në emigracion.
***
Në një shtëpi të madhe, diku në një lagje të hershme të qytetit, oborri gjallon. Fëmijë të vegjël, por edhe adoloshentë, fëmijë të rritur tashmë. Më i madhi nga fëmijët 28 vjeçar, e më i vogli vetëm 3 vjeçar. Familja ka 4 fëmijë dhe të gjithë kanë emigruar prej vitesh. Njëri në Angli, tjetri në Itali, njëra në Spanjë e tjetri në Amerikën e largët. Tashmë të katër fëmijët janë bërë familjarë, janë bërë prindër dhe fëmijët e tyre ua kanë kaluar edhe vetë prindërve për nga gjatësia.
Por,
ajo që të bën përshtypje është se shqipja tek këta fëmijë emigrantësh është shumë e varfër, e ndërkohë dëgjon të flitet rrjedhshëm anglishtja, italishtja e spanishtja.
Një krenari e madhe e prindërve, teksa dëgjojnë fëmijët e tyre të flasin në gjuhë të huaja, por asnjëri prej tyre nuk flet shqip, kanë mësuar vetëm pak fjalë përshëndetëse dhe me aq janë mjaftuar. Aspak më shumë!
Gjyshërit e tyre përpiqen të kënaqen me nipër e mbesa vetëm me gjuhën e shpirtit. Janë të detyruar të mjaftohen me kaq. Ata s’i kuptojnë se ç’flasin me njëri – tjetrin. Mjaftohen vetëm me përqafime, me përkëdhelje, me ledhatime, me puthje në faqe… Ata duan të flasin me ta, por s’arrijnë dot, pasi shqipja për ta është tepër e largët. Ata duan t’u rrëfenjë historitë e rrugëtimeve të tyre jetësore, duan t’u tregojnë si u rritën prindërit e tyre, por e kanë të pamundur…
***
Hyn në një market të qytetit. Diku dëgjohet të flitet anglisht e pak më tutje gjermanisht e italisht. Të duket vetja sikur je në një vend të Europës, e jo në vendin tënd. Ngushëllohesh me faktin se “janë emigrantë”, por a s’janë shqiptarë? Prindërit e tyre nuk morën as më të voglin mundim t’ua mësonin shqipen fëmijëve të tyre, jo thjesht dhe vetëm “disa fjalë”, por një shqipe të meritueshme.
***
Diku në një media dëgjon një intervistë me një figurë të rëndësishme dhe publike të vendit tonë. E dëgjon me kujdes, e teksa vjen momenti të flitet për familjen, personazhi i ftuar shprehet se dy fëmijët e vet i kanë emigruar prej vitesh, tashmë të mirëshkolluar në botën Perëndimore, të martuar tashmë andej dhe prej kohësh kanë ndërtuar edhe familjet e tyre.
Gazetari pyet:
-U martuan me shqiptarë apo…?
Përgjigja:
-Jo! Me të huaj. Kështu erdhi kjo jetë! Të dy kanë marrë të huaj dhe janë bërë prindër.
Gazetari pyet sërish:
-Nipërit dhe mbesat a flasin shqip?
Përgjigja:
-Jo! Vetëm disa fjalë! Megjithëse e ëma dhe i ati përpiqen disi, por jetojnë andej dhe flasin gjuhën e vendit të tyre.
Të tilla raste janë të shumta në vendin tonë.
E kuptueshme që kjo gjeneratë do rritej e do shkollohej në vende të ndryshme të Europës e më gjerë, pasi qëllimi i një emigracioni ishte dhe mbetet “largimi nga vendi yt” “për një jetë më të mirë”
Por,
mbetet gjithnjë detyrim prindëror që fëmijët të mësojnë gjuhën amë të prindërve, ashtu sikurse duhet të mësojnë patjetër edhe kulturën e vendlindjes prindërore
Së pari: mos të harrojmë se një fëmijë që vjen në jetë nga dy prindër të kombësive të ndryshme arrin të mësojë dhe të kuptojë deri në pesë gjuhë të ndryshme. Ndaj njohja dhe mësimi i gjuhës mëmë është gjenetike, jo thjesht “dëshirë”.
Së dyti: Fëmija është trashëgimtar i identitetit prindëror dhe për rrjedhojë “degë e pemës gjenealogjike të trungut familjar”, ndaj prindi e ka për detyrë ta informojë fëmijën e vet dhe ta njohë më nga afër me trashëgiminë e familjes së vet, të prindërve, të rrethit familjar: halla, daja, axha, teze, e më gjerë. Mos harrojmë se ka shumë fëmijë emigrantësh që për fat të keq nuk njohin as rrethin familjar më të afërt, dhe për këtë nuk janë fajtorë ata si fëmijë, por prindërit e tyre që nuk realizuan si duhet detyrat e tyre prindërore.
Së treti: Kthimi në vendlindje s’duhet të ngelet thjesht “një kënaqësi” e momentit duke shkuar e kaluar kohën nëpër kafenetë apo restorantet e qytetit, por është “detyrim prindëror, që fëmijëve të vegjël apo të rritur në moshë, t’u ofrohen informacione të bollshme rreth kulturës familjare dhe shoqërore, ku u rritën dhe u edukuan prindërit e tyre.
Kështu:
– Sa prindër emigrantë ka që i shëtisin fëmijët e tyre nëpër lagjet dhe rrugicat e fshatit apo qytetit për të parë nga afër banesat dhe dyert e hershme?
– Sa prindër emigrantë ka që i dërgojnë fëmijët e tyre në muze për t’u njohur me historikun e vendlindjes prindërore?
– Sa prindër emigrantë ka që ua prezantojnë fëmijëve të tyre mësuesen e klasës së parë, miqtë e ngushtë të familjes së tyre, komshinjtë e lagjes, foto të larmishme të fëmijërisë së kaluar, që lozin së bashku me fëmijët lojrat e tyre fëmijërore, që vizitojnë shkollën ku ata morën dijen dhe kulturën e parë, shoqërinë e tyre të fëmijërisë, vendet e bukura ku kaluan momente të këndshme të fëmijërisë dhe rinisë së tyre, pikat më të veçanta të hapësirave ku jetuan, kalanë e qytetit, kinemanë, teatrin, bibliotekën, qendrën e kulturës, galerinë e arteve…?
– Sa prindër amigrantë ka që ua bëjnë të ditur fëmijëve të tyre të rritur dhe arsimuar në botën e jashtme se si dhe sa funksionojnë gjërat këndej për të bërë një krahasim me zhvillimin e tyre më botën e jashtme; në mënyrë që të jenë më të vetëdijshëm për vlerat që trashëgojnë prindërit e tyre;
psh:
– të shohin nga afër si është një stacion treni apo autobusi
– si është një ambient shkolle
– sa janë hapësirat e gjelbërta këndej dhe sa të disponueshme janë për të realizuar qoftë edhe një piknik,
– sa e frekuentueshme është një bibliotekë apo një librari,
– sa të interesuar janë njerëzit këndej me botanikën, me gjallesat nënujore apo mbitokësore,
– sa funksionalë janë semaforët e qytetit, si dhe sa zbatohen rregullat e qarkullimit rrugor,
– sa të zhvilluara janë parqet për lodra apo këndet argëtuese,
– si funksionojnë parkingjet
– si procedohet me hedhjen e mbeturinave,
– sa vizitohen monumentet e kulturës si: një urë e vjetër, kulla e orës, ndërtesa të vjetra…
– si funksionon një treg frutash e perimesh, në ç’kushte tregtohen, në ç’çmime ofrohen,
– si funksionon një traditë familjare shqiptare,
– cila është gjeneza e familjes trashëgimtar i së cilës është…
Ky brez i ri që po rritet dhe zhvillohet në botën e jashtme janë shtylla kurrizore e identitetit tonë shqiptar, me të cilët duhet të krenohemi për çdo arritje të tyren.
Ndaj, s’janë vendet e huaja që po ndikojnë “për keq” në zhvillimin tonë, por janë gjeneratat prindërore që po shkojnë “të vetëdijshëm” drejt një “asimilimi” të frikshëm që po çon jo vetëm në humbjen graduale të gjuhës, por edhe në tjetërsimin e kulturës mëmë.
Burimi/Facebook/GEGNISHT


Leave a Reply