A zbatohet e drejta për jetë dhe integritet fizik, e garantuar nga Kushtetuta Gjermane, edhe kur vende të tjera vrasin njerëz larg Gjermanisë, me ndihmën gjermane, qoftë edhe në mënyrë indirekte? Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë duhej t’i përgjigjej kësaj pyetjeje komplekse. Arsyeja për këtë ishte një padi e ngritur nga dy burra, të afërmit e të cilëve u vranë në vitin 2012 në një sulm të synuar me dronë amerikan në Jemen. Me këtë rast, u përdor edhe infrastruktura teknike e bazës amerikane Ramstein, në Rheinland-Pfalz. Në rastin konkret, padia u rrëzua si e pabazë.
Politika e jashtme dhe siguria: Por vendimi nuk jep leje të plotë për operacione të ardhshme me dronë që mund të jenë vdekjeprurëse. Në shpjegim thuhet se Gjermania duhet të mbrojë të drejtat themelore të njeriut dhe normat kryesore të së drejtës ndërkombëtare humanitare kur bëhet fjalë për të huajt jashtë vendit. Megjithatë, Gjykata i dha qeverisë gjermane liri të gjerë veprimi për të vendosur në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Detyrimi i mbrojtjes që gjykata ka deklaruar tani lidhet me dy parakushte: duhet të ketë një lidhje mjaftueshëm të qartë me autoritetin shtetëror gjerman dhe duhet të ketë një kërcënim serioz të një shkeljeje sistematike të së drejtës ndërkombëtare.
Në rastin e sulmeve me dronë në Jemen, sipas Gjykatës, ky nuk ishte rasti. Shtetet e Bashkuara janë vlerësuar si një vend që merr parasysh mbrojtjen e civilëve në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Vendimi përmend “objektiva legjitime ushtarake”.
Është veçanërisht tragjike që sulmi, i cili u drejtua nga Ramstein, vrau civilë të pafajshëm përveç terroristëve të dyshuar. Ekspertja ligjore Paulina Starski nga Universiteti i Freiburgut e kritikoi këtë në emisionin publik Phönix: “Nëse nuk e dinë saktësisht se kë po sulmojnë, duhet të supozojnë se është një civil.” Kjo është arsyeja pse vrasjet e synuara janë shpesh shumë problematike nga pikëpamja humanitare dhe ligjore ndërkombëtare, thotë ajo.
Lexo artikullin të plotë: https://www.dw.com/…/gjykata-kushtetuese…/a-73292126

Burimi/Facebook/DW Shqip


Leave a Reply