Nëse flet, i thonë “mos fol shumë, se po cenon pavarësinë e gjykatës”. Nëse hesht, e qortojnë për “mosmbrojtje” dhe i thonë “po i le klientët pa zë”.
Pra, sipas kësaj logjike të përkryer, avokati ideal duhet të jetë një shurdhmemec i veshur me togë, të mos dëgjojë, të mos flasë, vetëm të ulë kokën dhe të mbajë radhën.Me pak fjalë, të duket, por të mos ekzistojë.
Por më falni, unë nuk jam dekor. Nuk jam as figurant në këtë teatër ku çdo skenë quhet “seancë gjyqësore” dhe çdo maskë “pavarësi”.
Unë jam avokat. Detyra ime nuk është të jem i pëlqyeshëm, por i drejtë. Nuk jam as i sistemit, as i heshtjes jam i së drejtës dhe i mbrojtjes.
Kur sistemi i drejtësisë fyen vetveten duke quajtur fjalën e avokatit “cënim”,kur heshtja kërkohet si kusht për “qetësi”,dhe kur mbrojtja e klientit shihet si “sulm institucional”, atëherë është koha të flas më fort se kurrë.
Po, do flas. Edhe nëse nuk u pëlqen.Edhe nëse më shikojnë shtrembër nga lartësia e kolltukut. Edhe nëse fjala ime ua trazon letargjinë e rreme.
Sepse drejtësia nuk bëhet me heshtje, por me zë.
Sepse drejtësia nuk rrezikohet nga mbrojtja, por nga përkëdhelja e padrejtësisë.
Ky sqarim është për të gjithë ata që pëshpëritin se “mua nuk më duan gjyqtarët dhe prokurorët” sepse publikoj shkeljet e tyre në media, si të ishte kjo ndonjë faj.
Le ta themi qartë, nuk kam dalë të më duan, por të mbroj klientët dhe të zbuloj padrejtësitë që të tjerët i mbulojnë me kostumin e pushtetit. Nuk jam këtu për të bërë miq në korridoret e drejtësisë, por për të mbrojtur ata që sistemi shpesh i lë pa zë.
Në fund, më mirë të më quajnë “i zëshëm” sesa “bashkëfajtor i heshtur”. Më mirë të mërzis sistemin, sesa të tradhtoj klientin.
Burimi/Facebook


Leave a Reply