Kam lexuar shumë për sorren dhe për zgjuarsinë e saj, për simbolikën e ndërlikuar mes mitit dhe shkencës, për praninë e saj të ngulitur në kujtesën njerëzore, pavarësisht pendëve të zeza dhe pozitës së pakëndshme që ka në librat për fëmijë.
E vërteta është se mjafton të thuhet se është shpendi që i mësoi njeriut ritin e varrosjes, për të kuptuar se sorra nuk është thjesht një krijesë që krrokat kot, por një qenie me një arkitekturë etike që s’duhet nënvlerësuar, me një kujtesë të egër dhe, ndonjëherë, me një prirje filozofike ndaj jetës dhe vdekjes.
Në tregimet e vjetra, sorra shfaqet si krijesë që nuk mashtrohet dot. Në trashëgiminë tonë, ajo rrëfehet njësoj si pleqtë e urtë të fiseve. Në Perëndim, sidomos në Anglinë mesjetare, sorra kishte një status pothuajse të nderuar, si qytetar nderi. Ta lëndoje sorrwn, ishte shkelje që dënohej me gjobë, sikur t’i kishe folur keq ndonjë udhëheqësi.
Madje, edhe oborri mbretëror ruante sorra në Kullën e Londrës, duke besuar se zhdukja e tyre do të ishte ogur i rënies së mbretërisë.
Në mitologjinë greke, sorra u përkthye si simbol i mençurisë: thuhet se, kur pa një enë të thellë me ujë, nisi të hidhte brenda gurë një nga një derisa uji u ngjit lart dhe piu. Po ta kishte bërë një njeri, do të ishte shkruar për të një libër motivues me titullin: “Hidh gurin tënd dhe krijo ujin tënd.” Por sorres i mjaftoi të shuante etjen.
Dhe ndoshta, më shumë se çdo gjë tjetër, ajo që ma ngjall respektin për sorren, që më bën ta vlerësoj dhe të çmoj mençurinë e saj, nuk është inteligjenca e saj legjendare, as trashëgimia simbolike, por fakti se është i vetmi ndër të gjitha krijesat që mendon se vendi më i përshtatshëm për të defektuar është koka e njerëzve.
Çfarë veprimi me largpamësi të thellë dhe aspak pa filozofi të fshehur.
Kur sorra fluturon në qiell, ose qëndron në degën e një peme dhe e zë nevoja, teksa përgatitet të shkarkojë ngarkesën, duket sikur thotë me dinakërinë e të diturve:
“Meqë trutë ju mungojnë… le ta zëvendësojë glasa ime vendin e tyre.”
Omar Al Amoudi, shkrimtar jemenas
Shqip nga Elmaz Fida
Burimi/Facebook/Neutrale


Leave a Reply