Nexhat Behluli – një njeri që, sipas bindjes sime, e ka kthyer interesin personal në armë kundër shqiptarëve!
Kur interesi personal dhe përfitimet bëhen më të rëndësishme se dinjiteti kombëtar, atëherë nuk kemi të bëjmë me një qëndrim parimor, por me një lojë të rrezikshme politike. Unë nuk kam ndërmend të hesht përballë askujt që përpiqet të njollosë shqiptarët që nuk pranojnë të bashkëpunojnë me të apo me strukturat e pushtetit serb.
Sa i përket meje, po e them qartë dhe pa asnjë hezitim: unë nuk jam boshnjake, por SHQIPTARE, me gjak, me rrënjë, me fis dhe me identitet të palëkundur!
Jam ndër gratë që e kanë ngritur zërin në Sanxhak për të drejtat e shqiptarëve, edhe atëherë kur shumëkush ka zgjedhur të heshtë. Nuk më ka frikësuar presioni dhe nuk më ka blerë interesi personal. Unë nuk kam hyrë në këtë rrugë për tenderë, për favore apo për përfitime, por për kombin tim dhe për dinjitetin e shqiptarëve të Sanxhakut.
Sa i përket mbiemrit tim, NUROVIQ, unë nuk e kam fshehur kurrë dhe nuk kam arsye ta fsheh. Mbiemri im është i sllavizuar, siç janë sllavizuar shumë mbiemra të shqiptarëve gjatë historisë. Kjo nuk ma ndryshon gjakun, nuk ma fshin prejardhjen dhe nuk ma mohon identitetin shqiptar.
Por, me sa duket, disa njerëz nuk e kuptojnë as historinë, as dhimbjen dhe as përvojat që kanë kaluar shqiptarët e Sanxhakut. Mbiemri nuk e përcakton kombin, e aq më pak mund ta përdorë dikush si armë për të njollosur një shqiptare!
Dhe nëse dikujt i pengon fakti që jam grua, se nuk jam përkulur dhe nuk jam shitur për interesa personale, atëherë problemi nuk është tek unë. Problemi është tek ata që nuk mund ta pranojnë një grua që flet hapur, që kërkon llogari dhe që nuk ua ul kokën përballë presionit.
Për çështjen e çantave shkollore, unë kam kërkuar transparencë dhe kam kërkuar të di se kush i ka dhuruar, pikërisht që t’i falënderoj njerëzit që kanë kontribuar për fëmijët shqiptarë. I kam dërguar mesazh dy herë Nexhat Behlulit për të marrë informacionin e nevojshëm. Në vend që të sqarohej çështja me fakte, emri im u përfshi në akuza për keqpërdorim fondesh.
Prandaj, nëse dikush pretendon se kam keqpërdorur fonde, le t’i paraqesë provat para publikut! Unë kërkoj fakte, jo shpifje; transparencë, jo manipulim; përgjegjësi, jo fushata për njollosjen e njerëzve.
Nuk lejoj që puna ime, mundi im dhe përkushtimi im për shqiptarët të përdoren për lojëra personale. Kam punuar për komunitetin tim edhe në kohë kur nuk kam pasur as mbështetje financiare(ende nuk e kam), as kushte të lehta. Prandaj, askush nuk mund të ma blejë zërin dhe askush nuk mund të ma frikësojë ndërgjegjen.
Edhe kur njerëzit m’i kanë dërguar paratë për mua personalisht, unë i kam dërguar në zyrë për të mirën e komunitetit! E ti po më tregon mua se kush është shqiptar e kush nuk është, o shoku i Vojislav Sheshelit?!
Nexhat Behluli, mbaje mend një gjë: një grua që e ka ndërgjegjen e pastër nuk hesht nga frika e askujt! Unë nuk e mas veten me tenderë, me lidhje politike të Serbisë apo me favore. Unë e mas veten me punën që kam bërë dhe me qëndrimin që kam mbajtur për shqiptarët.
Sanxhaku nuk ka nevojë për përçarje, për etiketime dhe për sulme ndaj atyre që kërkojnë të drejtat e shqiptarëve. Ka nevojë për njerëz që e mbrojnë identitetin, gjuhën, dinjitetin dhe të ardhmen e këtij komuniteti.
Unë jam Amina Nuraj (Nuroviq). Jam shqiptare dhe nuk kam ndërmend të kërkoj leje nga askush për të qenë ajo që jam. Nuk më blen interesi, nuk më thyen presioni dhe nuk më hesht askush!
IDENTITETI IM NUK NEGOCIOHET. DINJITETI IM NUK SHITET. ZËRI IM NUK HESHTET!
Burimi/Facebook


Leave a Reply