“Gjithçka tek ajo ishte në harmoni me tiparet dhe natyrën e shkretëtirave përvëluese. Kishte një ballë të lartë dhe fisnik. Hunda e saj ishte e bukur dhe delikate, me flegëza ovale plot hijeshi. Buzët e saj të kuqe e të freskëta, ishin si një trëndafil i porsaçelur. Mjekra, si e skalitur për merak prej ndonjë skulptori të dashuruar, kishte bardhësinë e qumështit. Vetëm një gjë, të cilën s’kishte mundur ta ndreqte, tradhëtonte kurtizanen: thonjtë e saj të cifluar, që donin mjaft kohë për të marrë sërish një formë elegante…
Esteri e lëshoi Lysjenin dhe ra në kanape si e vdekur. Në situata të tilla, më të shumtat e grave dërdëllitin si papagall. Ato janë në po atë gjendje shpirtërore të ditës së tyre të parë të lumturisë, janë të mrekullueshme në indinjatën, në dëshpërimin, në dashurinë, në zemërimin, në keqardhjen, në tmerrin, në brengën, në parandjenjat e tyre. Me një fjalë ato janë të bukura si një skenë shekspiriane. Por dijeni mirë ama se këto gra nuk dashurojnë. Kur ato dashurojnë me gjithë zemër, ato bëjnë siç bëri Esteri, siç bëjnë fëmijët, siç bën dashuria e vërtetë. Esteri nuk thoshte asnjë fjalë. Ajo dergjej e shembur me fytyrën mbi jastëkët dhe derdhte lot të nxehtë.
– Dëgjo këtu Lysjeni im, – i tha Esteri, – unë nuk do të të them se të dashuroj, kjo do të ishte një marrëzi… Po mbushen gati pesë vjet që mua më duket po aq e natyrshme të të dashuroj, sa edhe të marr frymë, sa edhe të rroj…”
Shkëputur nga “Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve’, Balzak.
Burimi/Facebook/Monda Mara


Leave a Reply