Para shumë kohësh pata lexuar diku se flokët kaçurrela, nëse lyhen të lagur me pak birrë e pastaj thahen, rrinë më bukur dhe ç’është më e rëndësishme dëmtohen më pak.
I pata provuar një herë, më pëlqeu rezultati dhe e përdor ende.
Më kishte mbaruar birra, e dola të blej një tjetër. Meridiani afër shtëpisë sime sapo ishte kapluar nga flakët, si pasojë e një shkëndije në kabllot e frigoriferëve.
Më erdhi keq për dëmin e shkaktuar.
U nisa te një market i vogël që sapo është hapur. Duke mos parë asgjëkundi birra, i drejtohem punëtorit të marketit, i cili po u shërbente një çifti klientësh:
– Më falni, ku i keni birrat?
– S’kemi fare, – ma ktheu me një buzëqeshje në fytyrë.
Iu drejtova përsëri:
– Më falni që po pyes, por… për çështje feje apo çfarë?
– Jo, më tha ai, po vëllai im ka përvojë të gjatë në markete dhe ka pasur problem me pijet.
Diçka nuk më bindi, sepse në fakt, pikërisht pijet alkoolike rrallë kanë probleme me afatet. Por thashë me vete: “Lëre me kaq.”
Bleva një shalqi (që doli vërtet i ëmbël), e urova për hapjen e dyqanit dhe dola.
Në të dalë, më del përpara një djalë tjetër me ato mjekërrat karakteristike, i veshur me një bluzë që mbante logon e marketit.
Çova shalqinin në shtëpi dhe dola prapë, këtë herë te një market tjetër për të blerë birrën.
– Më falni, ku i keni birrat?
– Nuk mbajmë pije alkoolike ne, ma ktheu disi vrazhdë djali që punon aty prej vitesh.
E ndjeva si një lloj “si nuk e ditke ti që kaq vite se ne nuk mbajmë pije?!”.
U ktheva në shtëpi paksa e “tronditur” dhe i kërkova djalit që të më sillte një birrë kur të kthehej.
Tani, të them të drejtën, si opsion B kam lëngun e limonit dhe si opsion C shkumën për flokë. Pra, zgjidhje kam, por gjendja më la një shije të çuditshme.
Pikërisht sot, rreth orës 16, sapo përfundova punën, pashë një tip me mjekër (si djali me bluzën me logon e marketit), para Grandit, me mikrofon e libër në dorë, duke kënduar arabisht. Një grua iu afrua dhe i hodhi një monedhë në kutinë e lëmoshës.
Pikërisht tani, më vjen të them: ku po shkojmë kështu?
Vite më parë, edhe “Dëshmitarët e Jehovait” shkaktuan jo pak dëm në Shqipëri, sidomos tek adoleshentët, duke ua shpëlarë trurin dhe fatkeqësisht, duke i çuar disa deri në vetëvrasje.
Më kujtohet kur në Prishtinë, dy gra që shpërndanin fletushka, i ndala dhe u thashë:
– Bëtë goxha dëm në Shqipëri. Këtu nuk gjeni terren. Largohuni më mirë.
Ama kjo që po ndodh sot është një tjetër fytyrë e të njëjtit fenomen: ideologji të huaja që futen tinëz, nën petkun e besimit, për të ndikuar mendjet e njoma dhe për të përçarë shoqërinë.
Nuk ka të bëjë më me bindje personale, por me një prani agresive që gradualisht po ndryshon pamjen e hapësirës publike, marrëdhëniet shoqërore dhe vetë ndjesinë e përbashkët të bashkëjetesës sonë.
Nuk e di ku do të na çojë kjo heshtje kolektive, por jam e sigurt që nëse nuk i themi gjërat me emër sot, nesër s’do kemi më as zë, as vend për t’i thënë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply