Nga Erida Petriti…
U nis ashtu, shpejt e shpejt, me çape të vegjël drejt asaj rruge të gjatë.
Nuk ishte hera e parë atë pranverë.
Motra ishte e vogël dhe nëna e saj, nuk kishte qumësht gjiri, që ta ushqente.
Lopa e tyre në atë periudhë nuk kishte, ndaj i vetmi vend ku mund të merrnin qumësht ishte gjyshja e saj, nga ana e nënës.
Gjyshja banonte në fshatin fqinjë, ajo nuk e kishte idenë e largësisë, por e dinte rrugën përmendësh.
Më parë duhet të bënte një rrugë të gjatë deri tek përroi, që ndante fshatin e saj me fshatin fqinjë.
Do kalonte nga ana tjetër e tij, e më pas do të ecte përgjatë rrjedhës së ujit dhe, kur të mbaronte, do të ngjitej në një malore. Rruga aty ishte e gjerë e në një kënd kishte një grumbull shtëpish, ku kishte ndodhur të kërkonte ujë kur kishte etje.
Nëse ngjitej lart asaj maloreje, e lodhshme për një vajzë dhjetë vjeç të ushqyer keq, e kishte hequr më të shumtën e rrugës dhe mund të ulej të pushonte pakëz, të merrte forcat e të niste përsëri udhëtimin.
Por jo atë ditë. Atë ditë s’mund t’ia lejonte vetes shplodhjen.
Në orën 18:00, ishte programi i kukullave dhe e ëma i kishte dhënë fjalën, se mund ta shihte nëse bëhej vajzë e mirë dhe nëse sillte qumështin për të motrën në orar.
Ajo e donte shumë motrën e saj të vogël, por kur fillonte e qante, nuk e duronte dot. Shumë herë zgjohej natën nga të qarat e saj. Shikonte nënën teksa mundohej ta qetësonte. Herë pas here i fuste gjoksin në gojë, por ajo foshnjë, kur e kuptonte që s’kishte pikë qumështi, ulërinte akoma më fort.
Zgjidhja e tyre ishte gjyshja, lopa e saj, ndaj çdo tre ditë, shkonte të merrte pak lëng të bardhë kështu, vogëlushja e mbyllte gojën, që kur e hapte si shpellë, të fuste frikën.
E kaloi maloren, ja dhe një copëz rruge e drejtë ku mund të ecte me lehtësi, ja dhe pylli plot me drurë të vegjël, që u ngjanin më tepër shkurreve. Ishte ajo pjesa më e lodhshme e atij udhëtimi të mundimshëm. Pylli ngrihej në një kodër shumë të lartë, prej nga mund të admiroje panoramën e të gjithë fshatit, por ajo nuk kishte kohë për këto vogëlsira. Sot nuk mund të mblidhte as lulet që kishin çelur ngado. Kishte vërtet ngut. Pylli nuk kishte rrugë të mirëfillta, por vija të ngushta ku mund të kaloje, e shumta, me gomar. Ajo ecte në rrugët e formuara nga shkelja e njerëzve. Zbriti poshtë dhe, tek kroi që gjendej në fund, freskoi fytyrën e djersitur.
Kaloi qendrën e fshatit, dyqanet, një buke dhe një ushqimoreje dhe, më në fund, iu shfaq shtëpia e gjyshes së saj të dashur.
“Sa është ora?” E pyeti pa e përshëndetur mirë.
Kur gjyshja ia tha, vazhdoi:
“Mendoj se jam në kohë për kukullat. Më jep shpejt qumështin se duhet të nisem!”
“Rri pak moj bijë, se je e lodhur!” Ia ktheu e gjyshja, së cilës i vinte keq për të mbesën që, ndonëse e vogël, i duhej të përballonte këto sakrifica.
Kur e pa që vajza këmbëngulte, i dha një torbë, brenda së cilës futi dy shishe plot e përplot me qumësht.
Dhe ndërsa mbesa po i rregullonte tek supi i saj i brishtë, i zgjati një fetë buke me sheqer dhe ajkë qumështi, që e pëlqente shumë.
Anës së vogël i ndritën sytë dhe ndërsa largohej me nxitim, filloi ta kafshonte gjithë shije.
E përsëri rruga mes qendrës, e përsëri përroi, dhe përsëri pylli me maloren e tij të mundimshme.
Këmbët e saj të vogla po lodheshin, çanta me shishet e qumështit, po ia priste supin.
Mbaroi kafshatën e fundit të bukës dhe më pas ndërroi krahun që ta ndjente më pak peshën.
Në atë moment u shfaq ai … një mesoburrë, hipur në gomar. Ai e përshëndeti buzagaz.
Ajo ia ktheu përshëndetjen me ndrojtje.
“Ku po shkon, moj vajzë e bukur?” E pyeti.
E Ana ia tregoi.
“Banoke larg…”
Pasi ndenji pak në heshtje, i tha vajzës:
“Nëse do, m’i jep mua shishet e qumështit. T’i mbaj derisa të kalojmë pyllin… kështu je më e lehtë.”
Ana në fillim ngurroi, por shikimi i butë i burrit e qetësoi dhe ajo hoqi nga supi torbën e rëndë.
Ecën një copë herë ashtu, ai në majë të gomarit dhe ajo në tokë, gati vraponte për të mos ngelur pas.
Burri i bënte herë pas here ndonjë pyetje, së cilës i përgjigjej gati duke iu marrë fryma, ngaqë nxitonte. Ndërsa kaluan nga ana tjetër e pyllit, shoqëruesi i saj e pyeti ëmbël:
“U lodhe?”
“Pak!” Iu përgjigj ajo me gjysmë zëri.
Burri zbriti, e mori hopa dhe e hipi në vendin e vet.
Ana në fillim protestoi disi, por ai i vuri dorën në sup dhe me zë të ngrohtë prindëror, i foli që të rrinte mirë, se duhej të shplodhte këmbët e vogla.
Kapi gomarin prej kapistre dhe po i paraprinte vetë, si për ta mbrojtur vajzën nga ndonjë e papritur jo e këndshme.
Ecën për pak ashtu, pa folur, kur burri u pengua tek një shkurre dhe ra përtokë.
“U vrave?” E pyeti vajza e shqetësuar.
“Po më dhemb këmba… më duket se e kam ndrydhur, ndoshta mund të jetë thyer.” Tha ai ndërsa fërkonte vendin ku i dhimbte.
Ana, bëri të zbriste nga gomari, por ai nuk ia lejoi.
“Ti nuk mund të ecësh!” I tha ajo duke u ndjerë fajtore, “ndaj është më mirë të zbres unë.”
“Gomari na mban të dyve!” Iu përgjigj burri pa e prishur terezinë dhe menjëherë hipi pas saj.
E mbështolli fort në krahët e tij. E shtrëngoi pas vetes.
Ana nuk foli. Po mendonte ende për kukullat, që do fillonin pas pak. Ndoshta tani kafsha ecte më shpejt, se nuk duhej të priste hapat e njeriut.
Ndoshta ishte akoma në kohë për t’i parë, e shumta mund të humbte fillimin. Por burri i ndërroi rrugën gomarit…
“Jo, andej!” I tha Ana me gjysmë zëri. “Nuk është andej rruga!”
“Këtu i biem më shkurt!” I tha burri ndërsa shtrëngohej më fort pas trupit të saj të njomë.
Ana heshti. Nuk foli as kur ai e futi në një kasolle të braktisur, qëndroi si statujë edhe kur ai po e zhvishte. Një britmë lëshoi kur ai u sul mbi të, të cilën burri ia mbyti me dorën e tij të stërmadhe.
Lotët iu thanë në fytyrën e vogël dhe ndërsa ai po rregullonte rripin e pantallonave ajo kërcëllinte dhëmbët.
“Pastrohu!” I tha ai duke i hedhur një shami duarsh “ dhe mos i trego njeriu! Vetë deshe. Nuk the asgjë.”
I përplasi përtokë shishet dhe u largua.
Ajo, ndenji në kllapi për një kohë të gjatë dhe, kur u bë errësirë, u nis për në shtëpi.
Teatri i kukullave kishte mbaruar.
Burimi/Facebook/Mësimi/Fatmir Shqarri


Leave a Reply