Shpesh disa histori janë aq mbresëlënëse sa e ke të pamundur të qartësosh nëse kemi të bëjmë me një të vërtetë apo një legjendë urbane. E tillë ishte edhe historia e fëmijës dhjetë muajsh dhe prindërve të tij në kufijtë e dëshpërimit dhe humanizmi i yllit të futbollit Cristiano Ronaldos.
Kanë kaluar vite, por veprat e mëdha të humanizmit dhe domethënia e tyre, ndalojnë kohën, në një qasje për të rithënë disa gjëra dhe pasuruar me zhvillime të tjera.
Në verën e vitit 2014, bota ishte me sytë nga Brazili, ku zhvillohej Kupa e Botës në Futboll. Në qendër të vëmendjes, si gjithnjë, ishte Cristiano Ronaldo, simbol i atletizmit, bukurisë, suksesit. Por në një nga ndeshjet, ai doli në fushë me një prerje flokësh të pazakontë, një vijë të thellë dhe diagonale në anën e djathtë të kokës.
Rrjetet sociale shpërthyen me humor dhe ironi. Memet qarkulluan pa ndalur. Media kërkoi interpretime të çuditshme për “stilin e ri”. Por ajo që askush nuk dinte (ose nuk u përpoq ta kuptonte) ishte se ajo vijë në kokën e Ronaldos nuk ishte për stil, por për shpresë.
Në fshatin e vogël Villaluenga de la Sagra, pranë Toledos në Spanjë, një foshnjë vetëm 10 muajsh po përballej me një armik të padukshëm dhe të egër. Quhej Erik Ortiz Cruz. Ai vuante nga displazia kortikale, një keqformim i rëndë i trurit që i shkaktonte deri në 30 kriza epileptike në ditë.
Familja e tij, në një përpjekje të dëshpëruar për ta shpëtuar, nisi një fushatë për të mbledhur 60.000-83.000 dollarë për një ndërhyrje kirurgjikale tepër të specializuar në tru. Ata vendosën t’i shkruajnë një letër Cristiano Ronaldos, duke kërkuar vetëm një fanellë dhe një palë këpucë për t’i shitur në ankand. Ylli i futbollit i prekur nga historia ka reaguar: “Mos u shqetësoni – u ka thënë ai nënës dhe babait të Erikut, siç raportohet nga gazetat iberike -. Unë do të kujdesem për koston e operacionit” .
Cristiano Ronaldo, në heshtje dhe pa e shpallur askund, pagoi të gjithë shumën e nevojshme për operacionin e Erikut, përfshirë testet e shtrenjta para-operatore dhe trajtimin pas operacionit. Ai refuzoi çdo zhurmë mediatike. Asnjë konferencë, asnjë postim. Asgjë që ta vendoste aktin e tij në qendër të vëmendjes.
Por Ronaldo deshi të linte një shenjë. Dhe e bëri përmes asaj vije të çuditshme në kokë, një vijë që përngjan me plagën kirurgjikale që Erik do të kishte në kokë pas ndërhyrjes. Ndërsa bota bënte shaka, Ronaldo mbante në kokë simbolin e një jete që kishte ndihmuar të shpëtohej.
Ky gjest përbën një manifest të dhembshurisë në kohën e zhurmës. Në një epokë ku ndihma shpesh shoqërohet me kamera dhe llogari klikimesh, Ronaldo zgjodhi heshtjen. Ai nuk e bëri këtë për të ndërtuar markën e tij njerëzore, por për të shpëtuar një jetë, thjesht dhe qartë.
Nga pikëpamja psikologjike, ky akt tregon një ndjeshmëri të thellë, aftësinë për të parë përtej vetes, për të përqafuar dhimbjen e një tjetri të panjohur, për ta bërë atë pjesë të vetes, deri në pikën ku ajo simbolizohet fizikisht në trupin tënd.
Nga një këndvështrim estetik, ajo vijë nuk ishte “e bukur” sipas kodit vizual të zakonshëm, por ishte e thellë, e rëndë, e ngarkuar me kuptim, një vijë që nuk vizatohej për syrin, por për shpirtin.
Nga pikëpamja etike dhe morale, Ronaldo jo vetëm që mbajti një premtim të pazbuluar, por bëri diçka që i përket traditës më të lashtë të njerëzimit, të japësh pa e treguar. Ai ndihmoi siç ndihmonte dikur samaritani i mirë, duke parë dhimbjen, pa pyetur kush është, çfarë feje ka, sa vlen në sytë e botës.
Sot, falë një kërkimi të kujdesshëm në rrjete sociale, u zbulua një foto e datës 3 tetor 2022, ku një djalë i vogël, me emrin Erik Ortiz Cruz, shihet duke buzëqeshur në një park lojërash, me trup të shëndetshëm, në një gjendje dukshëm të mirë fizike dhe emocionale.
Ajo foto është më shumë se një kujtim: është prova e gjallë e suksesit të aktit të heshtur të eupatisë dhe humanizmit. Është përmbushja e misionit që nuk kërkoi asnjë trofe. Të shpëtosh një jetë dhe të ikësh në heshtje.
Cristiano Ronaldo, një prej emrave më të mëdhenj të historisë së futbollit, nuk ka nevojë për një kapitull të tillë për të qenë i pavdekshëm në sport. Por kjo histori e bën atë i pavdekshëm në njerëzi.
Në një botë që shpesh harron t’i shohë ata që nuk duken, një vijë në kokë u kthye në një vijë shprese, një metaforë e dhembshurisë, një kujtesë se mirësia më e pastër është ajo që ndodh kur askush nuk sheh.
Në fund, fëmija që mbijetoi dhe njeriu që ndihmoi janë të lidhur përgjithmonë jo nga fama, jo nga titujt, por nga një akt heshtjeje që shpëtoi një jetë dhe fisnikëron bujarinë.
Përgati me plotësime të nevojshme: Albert Vataj
Burimi/Facebook/Neutrale


Leave a Reply