Tregim humoristik
Çobani Neço Gjiknasti i lëshoi dhitë sipër rrëpirave të “Malit të Kaçakut”, që pa zbardhur mirë dita e shkrepur Dielli, më përtej Kaminës së Jano Dumës që u bë zengjinë me pluhurin e gëlqeres, i cili s’la gurë pa e djegur e përralle pa çkulur, në gjithë faqen e “Malit të Perëndive” që u bë dikur strehë e kaçakut Milo Picari e kështu i mbete edhe emri, në atë kohë që s’mbahet mënd fare. E vari trastën e bukës dhe pagurin e ujit në një cep guri si bri cjapi dhe u shtri të merrte një sy gjumë. E kishte një të mirë, se e zinte gjumi menjëherë, sa vinte kokën leshtore mbi një gur e pastaj, në “atë botë” qëndronte. Me ca “silueta të fantaksura” të Jano Dumës, që e shihte shtrembër kur e krrente kopenë përpjetë malit. “S’ka më e keqe nga zilia e fshatarit që i “ngrohet jastëku” nga paraja”,-thoshte me mëndje. Kur në të djeshmen “frynte hundët”, më nxirë nga Milo Picari i shpellave …Po , ja ku erdhi edhe “dita ime”, si “Pasha” dje e si “Pasha” edhe sot! “E nisa me një dhi, kur u “përmbys e djeshmja” e ja tek i bëra afro dyqind kokë bagëti. Me një kope, edhe më të madhe akoma”. Dhe e “rrëmbyen krahët e gjumit”…
Jano Duma i kishte dëgjuar këmborët e bagëtive të Neços, në gjumë e sipër, e qe hedhur nga krevati, qe veshur me të shpejtë dhe vuri xhezvenë në hirin e zjarrit ende të ngrohtë nga thëngjijtë e druve të shqopes. Mirëpo nga trokëllima që bëri shishja e “ujit të bekuar”, sa qe përplasur me qelqurinat e tjera të dollapit, kur kërkonte ende në terr gotën e rakisë, bëri që të brofte nga krevati edhe Kalua e tij e pazëshme. “Zgjoi edhe dy djemtë,-tha ai me rëndesën e plogët të fjalës,-se na i kaloi Neço Çakalli, i kërreu që me natë ato të “bekuarat nga Perëndia!” që i ranë “si nga qielli”, këtij “njeriu-dhi” e të “pangopur!”.
Ajo nuk e kundërshtonte të shoqin , as në të djeshmen e as në të sotmen, edhe pse jeta ndërroi bashkë me atë sistem, kur punonin xhaba e u binte bretku njerëzisë, duke e ndezur Kaminin e paratë “derdheshin vuuu” në arkën e atij shteti që thuhej se “qe për fukaranë”, por as që dihej se nga shkonin. Gotën e parë të rakisë e pinte me “eks”, si në dimër e në behar, po të dytën e rrufiste me ngadalë , tok me gllënjkat e kafesë…
Dhe vetë i katërt morën faqen e malit, drejt “Bregut të Lisave”, ku bënin kaminin e radhës, atë furrë që digjte gurin e krrente gëlqeren e tyre.. E patën ëndërruar këtë kohë: që gëlqerja e përftuar me aq e kaq mundime të ishte e tyrja ..Dhe vetëm e tyrja!. “Paraja dilte vërtetë nga gurët e malit me mundim, po ama, tani hynte në portofolin tim”,-mendonte Janua duke ecur si kaprolli gur më gur. Pas i vinte si manare e shoqja e heshtur me mandilen lidhur në kokë që i mblidhte leshrat e dendura. Dhe të dy “kecat e tij”, njeri 15 vjeçar e tjetri 10. Do prisnin përralle me kosore a nagaçe në mal, do t’i afronin në kaminë dhe, pas tri orësh, sa te dilte dielli mbi kreshtën e malit, do venin në shkollë. Ai vetë merrej me krijimin e kubes së gurëve brenda një grope të thellë, me dy “vegje” në trajtë goje anësore te gryka, ndërsa gruaja , do e ngarkonte me litar pjesë-pjesë, barrën e prralleve e do i shpinte, për t’i vënë stivë-stivë afër “kamareve” të kaminit. Janua i thoshte që të lakmonin më tepër “shqopet” që e mbanin zjarrin më tepër, po edhe degët e lisave që kishin marrë në të tharë. E, sa të vinte fundi i gushtit, kur “cicërinte” vapa e dëgjoheshin vetëm cincujt, ta ndiznin, teksa kubeja e gurëve gëlqeror,-katër-pesë metra e lartë, priste flakët. E do dëgjohej kërcëllitja e shkarpave, e do të shungëllonte tymi me shtëllunga, që dukeshin gjer në tri fshatra me tutje. Katër-pesë ditë punë, me një zjarr të “pa ngopur” në dru, duke “vjellë” pa reshtur flakë të kuqe natë-ditë, derisa të dilte flaka jeshile, që paralajmëronin mbarimin. Nestori, djali 15 vjeçar i Janos, thoshte se tani guri gëlqeror qe zbërthyer, kishte nxjerrë jashtë vetes gazin karbonik CO-2 dhe qe krijuar pluhuri i bardhë CaCo-3. Dhe Janua e shihte vëngër të birin dhe buzëqeshte. E me duart e trashura nga kallot, të plasaritura nga gurët, i shpupuriste leshrat e dendura të kokës.
Mirëpo, ndërsa digjej guri, sikur “digjej edh mëndja e njerëzve!”…Ca më sipër kaminit, Neçoja qe i pari dhe i vetmi, që “bluante” nga brenda vetes, ngaqë ai merohej si e si ta shtonte gjënë e gjallë nëpër rrëpira e tjetri e “kishte të mirën në një vend”, si të ishte një “fabrikë më vete”…Kështu fliste edhe fshati. Sa më shumë që “u shtohej gara e egër, aq më tepër edhe inati e zilia primitive. Neçoja gërryhej malit për një “cërrë” qumësht, nëpër gëmusha e tjetri e zhveshi malin dhe mbeti duke e djegur kullotën, për atë “LUBI” që nuk fryhej me “ushqim”! Neçoja i mblidhte dhitë në nome e Janua i digjte kullotën… Aqsa , kur i milte i dukej sikur qumështi i tyre shterej. Po, tek vuri re se i mungonin edhe dy kecat me të majmë, i hipi në koke dyshimi se këtë “proçkë” ia kishte bërë ai i gëlqeres dhe vajti e u zu me të, i akërryer. “Ti more hajdut i kecave të mi,-i tha ,duke i dëftyer dhëmbët si çakenjë e kërrabën përpjetë,- sos që ua shfarose hejën atyre “të gjorave”, pa le që nga zjarri i madh që ka përpara,- të vajti mëndja edhe për mish të pjekut zotrote!”,-përfundoi Çobani Neço, me “sy të keq”. Kërrei të dy kecat!”…”Mos ke lojtur nga mëndja , ore Neço,-i preu hovin me qetësi Janua,-Nuk e bëj veten për një kec të zgjebosur e kockëtharë!”, “Mase kështu janë katandisur , teksa Zotrote “e qethe malin” nga shkarpat e asnjë fije bari nuk mbinë më …Po ja që unë i pashe kecat e mi tek loznin përreth kaminit tënde!”…
Por njeriu i zjarreve nuk e bëri veten që t’ia vishte me pëllëmbë surratit…Se mezi e mbante përbrenda vetes edhe dyshimin se qe ai që, kur i tekej, i vinte zjarrin malit!…I ktheu krahët dhe vajti e zuri nga “mënga e xhaketës me shumë xhepa” kryeplakun Harallamb dhe i tha atij se “mund edhe ta “zhdukë fare” nga faqja e malit këtë çoban të korruptuar e faqezi që akuzon “individët e ndershëm të sistemit të ri kapitalist!”. Po nuk e “ndreqët” ju, “e ndreq si di unë”, bashkë me drutë që i vërvitë kaminit” e hedhë!…S’ka më kaçakë në të sotmen!”,- tha këto fjalë e iku me rrëmbim..
Kryeplaku e ndjeu veten ngushtë, ngaqë prej të dyve “kapitalistëve të fshatit” e kishte pranuar ndonjë dhuratë “të vogël” (sepse dhuratën nuk e refuzon as mbreti!), si ndonjë kec për Pashkën e Madhe nga Neçoja, ashtu edhe ca thasë me gëlqere kur (një ditë prej dite, e ngriti edhe ai vilën e tij), prej “pronarit të kaminit” Jano Duma…Por i thirri ata në zyrën e adoptuar në njërën nga shtëpitë me “çati të rrëzuara” të fshatit, në atë të kushëriut Ndreko, për të cilin thuhej se kishte emigruar gjer në Alaskën e largët, si kishte lexuar librin e Xhek Londonit, për “Kërkuesit e Floririt”… Në pranin e të tre këshilltarëve, nga tri lagjet e fshati, të fshatit të vjetër (të rrëzës), të atij të riut (më afër detit), si edhe të lagjes së të ardhurve rishtas (para shpalljes së ligjit 7501), për të cilët flitej se qenë “të pa korruptuar”, nga ata individë që “nuk e kishin ngjyer akoma “gjishtin në mjaltë”…Merrte pjesë (kohët e fundit) edhe një shoqe,-një grua aktiviste që dikur kishte sajuar “Shoqatën Kulturore “Trëndelinë dhe Këngë” dhe që tani ishte bashkuar me “Partinë e re: SHQTMK” që e kishte çpikur dhe drejtonte një zeshkan i ri (i pa punë) nga qyteti dhe e njohur edhe nga KQZ-ja qendrore. Vetë Kryeplaku qe njëri nga ata që ishte kthyer prej shtetit fqinjë, nga pamundësia e gjetjes së një pune të përshtatshme për të, si edhe nga mosha paksa “e thyer”. Dhe se qe i mendjes se nuk duhej “prishur terezia me pasanikët e rijë” dhe lypsej të “bëhej kujdes” me ta, ngaqë sistemi i ri nuk qe ashtu si e shanim dje! Dikush duhej të pasurohej…Pra, dinte “ta dridhte”!
Në atë mbledhje u “ndez llafi” ca më keq se zjarri brenda kaminit. Teksa shkrin njeriu e jo guri! Sepse ata të tre, qenë ndarë sipas “parimeve të pluralizmit”: i pari qe me mazhorancën, i dyti me PD-ën dhe i treti me partinë e “Të Drejtave të Njeriut”. Kurse Zonja-Shoqe, Trëndelina, e pa të arsyeshme të abstenonte…E sekush i “binte kavallit”, sipas grupimeve politike që kishin, pa asnjë përputhje, si në atë emisionin televiziv “Përputhja”. Ndërsa Çobani Neço me atë Gëlqerebërësin u “therën e u grinë” e për pak sa u rrahën, para syve të tyre!…U krijua si një “biçim debati” i modelit “Pozitë-Opozitë”! “Ti mos u krekos ashtu,-iu drejtua ai i Partisë “Për të Drejtat e Njeriut”,-sepse, o të keqenë, nuk je ti ai çobani i njëhershëm i kooperativës tënë, që të ka demaskuar kolektivi për “therrje bagëtish të imta” dhe që i “kallafatisje” në numërim, (duke bërë “Proçes-Verbale”sikur i kishte ngrënë shqerat ujku e çakalli?!”).”Hë mo, të lumtë goja!,- ia priti “Zjarrmëtari i Gëlqeres”.-Ky njeri fshihej pas tesrës së “Partisë së Punës” , e cila qe si “Parti e Shejtanit me Brirë!”…”Ç’thua, more?!.-ia priti me “rrufe” Neçua,-Gëlqerja është vërtetë e bardhë, po ti e ke nxirë faqen, qysh kur të bënë Sekretar Partie, e haje edhe t’i me ata Revizorët” e njëhershëm, nga kecat e mi të shkretë!”…Rra heshtja, si ndonjë re e zezë.”Në mes të “thelave” dje e po “në mes të tyre” edhe sot!, keni qënë,-tha Opozitari,-Qejf, o qejf që bën Dervishi”,-i thonë kësajë”…Dhe Kryeplaku, i bërë “daulle”, nuk dinte t’i jepte “dum” muhabetit që “krisi keq” e as që ta “krrente tymin nga oxhaku”…Vetëm tha se ky avaz, nuk mund të vërtetohej, nga mungesa e fakteve konkrete, si një ngjarje pa dëshmitarë konkret, edhe sikur “SPAK”-ut, t’i drejtoheshim me ndonjë “Dosje Voluminoze”, për një kope të tërë të munguar..
Më mbrapa sikur “ra qetësia” nga ca probleme edhe më të rënda që kishte fshati. Jeta u kthye në normalitetin e saj, paksa më vonë. Sepse njerëzia sikur “miqësohen edhe me të keqen” dhe e “shtyjnë jetën “ si të munden…Kjo çështje, (e ngjarë kështu, e jo ndryshe!) dhe e mbetur në “tymnajën e kohës” do të qartësohej vetëm nga vjeshta, kur Jano Duma e shiti gjithë gëlqeren e në fundin e kaminit gjeti edhe skeletet e të dy kecave të Neços!…E me vrap te Kryeplaku..I tha “ashtu e kështu”…Porse Kryeplaku, në ca takime veç e veç me të dy “kokosharët “e fshatit , me nga një gotë përpara, u thoshte ,me “zë të ulët”, se “Sistemi ynë kapitalist , është edhe ca “i pamëshirshëm”, e jo të gjithë “u bëkan të pasur”! Duke provuar buzëqeshjen e tij të zakonshme në buzë dhe duke i thënë atij që i “gjeti kokallet”, me përzemërsi :”Mos ja thuaj njeriu këtë se do qeshin me ty pastaj. Do të thonë “Ku i kishe sytë, zotrote”?!, po edhe sherri do vejë pas sherreve, se keca ka plotë Neçua, po “fjalët bëhen litarë!” , po edhe ti, nuk je pa gjë fare! “Djegë gurin a pjekë kecat e tjetrit në furrë,-do të thonë”… Dhe kështu mbeti kjo “mesele fshati”: “Pa kokë e pa bishtë”,… Qe si një “fërtunë në gotën e ujit”, po ama “tymin e zi” e nxori sheshit…Si një shaka e kripur!
Piqeras, në të dalë të qershorit, 2025

Burimi/Facebook


Leave a Reply