… Nëna e saj, Ferdinanda, e bukur dhe me origjinë fisnike, vdiq në vitin 1903 për shkak të ndërlikimeve gjatë lindjes. Në atë kohë, lindjet bëheshin ende në shtëpi, dhe as paratë dhe as rangu nuk ishin të mjaftueshme për të shpëtuar një jetë.
Marguerite nuk e njohu kurrë nënën e saj. Ndoshta ndonjëherë e imagjinonte, ndoshta jo. Por si mund të të mungojë diçka që nuk e ke pasur kurrë?
Ajo u rrit në një vilë të shkëlqyer në veri të Francës, e rrethuar nga dashuria e babait dhe gjyshes së saj. Ishte një fëmijë i parakohshëm, kurioz, një lexuese e pangopur.
Në moshën tetë vjeç lexonte Racine dhe Aristofanin. Në moshën dhjetë vjeç studioi latinisht. Në moshën dymbëdhjetë vjeç u zhyt në greqishten e lashtë. Babai i saj, erudit dhe shumë i ëmbël, e inkurajoi çdo pasion, çdo çudi, çdo ëndërr.
Por jeta, siç ndodh shpesh, ndryshon pa paralajmërim. Brenda pak vitesh, Marguerite i humbi të gjithë. Ajo mbeti vetëm.
Dhe ndërsa Franca ra nën pushtimin nazist, ajo u detyrua të ikte, duke gjetur strehim në Shtetet e Bashkuara. Atje mbijetoi sa më mirë që mundi, duke dhënë mësime të letërsisë franceze dhe histori arti. Nuk ishte e lehtë. Por ia doli.
Në dhjetor të vitit 1948, diçka nga e kaluara u kthye. Nga Zvicra, mbërriti një valixhe e vjetër që e kishte lënë vite më parë te miqtë e besuar. Brenda kishte dokumente të vjetra familjare, shënime, kujtime… dhe diçka më shumë.
Një letër.
“I dashur Marco, këtë mëngjes shkova te mjeku im…”
Marguerite nuk e kuptoi në fillim. Nuk e mbante mend ta kishte shkruar. Kush ishte Marco?
Pastaj, duke e lexuar përsëri, ajo kuptoi gjithçka. Marko ishte Mark Aureli, dhe autori i letrës ishte perandori Adrian.
Ajo letër ishte një ushtrim letrar i shkruar vite më parë, i frymëzuar nga një udhëtim në Itali me të atin. Duke ecur midis rrënojave të Vilës së Adrianit, nën diellin e një burimi të lashtë, ajo kishte imagjinuar një zë, një shpirt, një lamtumirë.
Ajo letër nuk ishte thjesht një fragment i harruar. Ishte një derë e lënë pak hapur.
Marguerite e hapi. Dhe ajo nuk u mbyll kurrë.
“Që nga ai moment,” do të shkruante ajo më vonë,
“Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse ta shkruaja atë libër. Me çdo kusht.”
Nga ajo letër lindi “Kujtimet e Adrianit” , një nga veprat më të thella dhe të pavdekshme të shekullit të njëzetë.
Marguerite nënshkroi me pseudonimin e saj: Marguerite Yourcenar – një anagram i rafinuar i emrit të saj të vërtetë, Marguerite Cleenewerck de Crayencour.
Ai libër e çoi atë, aty ku asnjë grua nuk kishte shkuar më parë: ajo ishte gruaja e parë që hyri në Akademinë Franceze, një simbol i një bote, që për shekuj me radhë kishte përjashtuar zërat femërorë nga letërsia e saj zyrtare.
E gjitha filloi me një letër të harruar në një valixhe.
Dhe me një vajzë jetime që mësoi ta transformonte humbjen në pasion dhe bukuri…
Përktheu: Fatmir Shqarri…
Burimi/Facebook/Mësimi/Fatmir Shqarri
Leave a Reply