Sa më thellë të hysh në periferitë e sistemit të drejtësisë, aq më shumë të duket sikur ke hyrë në ndonjë mbretëri të vogël personale, ku gjyqtari nuk është më një zbatues i ligjit, por një sundimtar i pavetëdijshëm për kufijtë e pushtetit të tij. Në gjykatat e vogla dhe provinciale, arroganca nuk është përjashtim është standard pune. Aty ku mungon transparenca, lulëzon fodullëku; aty ku s’ka sy të vëzhgojnë, ka gojë që urdhërojnë.
Gjyqtarët e këtyre institucioneve duket sikur e kanë keqkuptuar rolin e tyre. Në vend që të ulen në pozicionin e përulësisë që kërkon balanca dhe maturia e drejtësisë, ata rrinë lart, në fronin e tyre të padukshëm, duke folur me arrogancën e një perandori të vogël që pret homazhe, jo argumente. Avokatët sillen si të jenë në gjyqin e ndonjë sulltani, ndërsa qytetarët që kërkojnë të drejtën, merren si pengje të një sistemi që i sheh si numra, jo si njerëz.
Në mungesë të mbikëqyrjes reale, këto gjykata shndërrohen në vende ku drejtësia nuk jepet, por komandohet. Shpesh, zbatimi i ligjit varet jo nga provat, por nga lidhjet lokale, miqësitë, apo nga humori i ditës së gjyqtarit. Ironikisht, sa më pak të dijë një gjyqtar për përgjegjësinë e vet, aq më shumë flet me autoritet. Dhe sa më larg Tiranës, aq më shumë mendon se është vetë Kushtetuta.
Drejtësia në periferi nuk ka nevojë për frone, por për përgjegjësi. Nuk ka nevojë për arrogancë, por për dinjitet. Dhe mbi të gjitha, nuk ka nevojë për gjyqtarë që sillen si të paprekshëm, por për profesionistë që kuptojnë se çdo vendim është një akt i rëndë që prek jetë njerëzish, jo një mundësi për të demonstruar pushtet personal.
Burimi/Facebook


Leave a Reply