Atje ku n’asnjë kohë, në asnjë stinë, kurrë s’u shitën qejzet e bëra në vek nga duart e malësoreve të Rugovës, atje, varur n’shkallë mermeri të hotelit shumë yjesh, shiteshin tirqit e një kaçaku, që mirë e kisha njohur!
Ah, erdhi një kohë tjetër, një “zaman”, do të thoshte ai burri trupvogël që i kishte mbajtur dikur këta tirqi — tani të varura në grilat e një hoteli me shumë yje, duke pritur blerësit, – mërgimtarët që i djeg malli për baballarët që s’janë më.
Ndoshta ata do t’i paguajnë shtrenjtë, — jo për copën e stofit, por për të mbajtur në dorë një histori të shkuar.
– Ku e ke xhamadanin? – i thashë, me një zë të trazuar.
Babain tënd s’e kam parë kurrë pa xhamadan e pa qystekun e sahatit.
Kur më merrte në grykë, qysteku më përplasej në qafë, i ftohtë si gjarpër i hollë.
– Më thuaj, ku e ke sahatin? Ku e ke qystekun? – shtova me ngulm.
U zverdh… ndërroi qehërën. Në heshtje më shau, mbase.
“Ku dika ky qerrata për orën dhe qystekun? Ku e njohu ky tim et?” – sikur pshërtiu thellë.
– Yt at kurrë nuk dilte në sokak pa xhamadan, e kurrë nuk shkonte te kojshitë pa sahatin e qystekun.
– Dy herë qafën e mbështillte me shallin si qefin, e katër herë kokën. Një pëllëmbë shalli e linte si tufë, si flamur mbi kokën e vogël.
– Ai ishte malësori më karizmatik që kam parë në jetë – i thashë.
Për çudi, nuk me njohu por m’u hodh në grykë dhe ma lagu gjoksin me lot.
– Paske harruar që edhe këtu mbërritën ca paramilitarë? – më tha me ngashërima.
– Qysteku i dukatit ma shpëtoi jetën.
Ora e babës përfundoi në xhepin e shkjaut, por plumbi i tij nuk më mori mua!
I bleva tirqit e filanit.
Por, ah!
S’i kam edhe b…të e tij që t’i mbushin e të më rrinë mirë si atij.
I bleva tani, kur trupi është fishkur, kur mishi ka ikur e gjaku është ftohur.
– Me çka t’i mbush tirqit me gajtanat e zinj? – i thashë vetes,
teksa vetura ime u përbirua rrugës lakore, nën hijen e pishave të zeza.
31 Maj 2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply